01/07/2013

LETRA E ORTODOKSËVE SHQIPTARË TË STAMBOLLIT

Letër e ortodoksëve shqiptarë të Stambollit drejtuar Kryetarit të Parlamentit Shqiptar Pandeli Evangjeli .

Letër e ortodoksëve shqiptarë të Stambollit drejtuar Kryetarit të Parlamentit Shqiptar Pandeli Evangjeli ku i ankohen për gjendjen e vështirë në të cilën ndodheshin anëtarët e kësaj kolonie

                                              Shkëlqesisë së Tij Kryetarit të Parlamentit Shqiptar z.Pandeli Vangjeli

                                                                                                                                            31 gusht 1929

Shkëlqesë,Ju faleminderit për letrën që patët mirësinë të na adresoni, si përgjigje e lutjes që ju bëmë për të vizituar qytetin tonë. U hidhruam tepër se letra jonë arriti vonë dhe kësisoj rasti nuk na u dha t’u prezantonim për së afërmi falënderimet si dhe mirënjohjen për interesin që dënjuat të ç’faqni për sa i përket çështjes të ortodhoksëvet të Stambollit.

Gjëndja kritike e kollofisë, vuajtjet tona, për të cilat shumë herë kemi bërë thirrje, mjerisht më kot, në shtyllat e gazetës “Shqipëria e Re” të Konstancës, na shtrëngojnë të adresohemi pranë Shkëlqesisë T’uaj, duke bazuar mbi ndjenjat patriotike të larta, që kurdoherë edhe në çdo rast i kini çfaqur, edhe t’u lutemi të  kini mirësinë të ndërhyni pranë Lartmadhërisë T’ij Mbretit Shpëtimtar të kombit Zog I si dhe pranë Shkëlqesisë së Tij kryeministrit Kostaq Kota, që kësisoj duke i dhënë çështjes tonë rëndësinë e duhur, të merren masat e duhura për të përmirësuar situatën tonë fort të rezikëshme.

Orthodhoksët e Stambollit një sasi prej 10 000 - 15 000 fryma të stabilizuar me vjetë në kët qytet, viktima të një traktati shumë të dëmshmë për ta, u detyruan me pak përjashtime të optojnë për nënështetësinë turke për të mos humbur pasurinë e tyre të tundur dhe të pa tundur, që e kishin fituar me kaqë vjetë mërgimi me kaqë vjetë mundime edhe vuajtje. Paniku dhe kriza ekonomike që e kishin burrimin nga çështja e këmbimit të popullsisë turko-greke, nuk u jepte dorë orthodhoksëvet shqiptarë të shitnin pasurinë e tyre me një vleftë shumë të unjur edhe nga ky shkak preferuan të mbeten natyrisht pa dashje nënështetas turk.

Me gjithkëto nuk na shkonte kurrën e kurrës në mëndje se masi të optonim për nënshtetësinë turke do të ishim të detyruar të ndëronim edhe origjinën tonë. Fatkeqësisht guverna turke duke marë parasysh vetëm fenë dhe jo nasionalitetin me gjith protestimet tona, na ka vënë në kategorin e grekërvet me gjith konsekuensat e saj. Gjithashtu orthodhoksët e mjerë nuk kanë të drejtë të blenë ose të shesin pasurin e tyre të pa tundur, janë të ndaluar të bëjnë udhëtim jashtë kufisë turke, me një fjalë ato masa të repta që janë marrë kundra elementit grek të qytetit tonë, gjith ato masa i përkasin edhe shqiptarëvet orthodhoksë.

Kujtojmë se Ministria e Punëvet Jashtme me në krye z. Rauf Ficon është fort mirë në korrent të këtyre ngjarjeve me qënë se e ka studiuar pozitën tonë për së afërmi kur ishte ministër në Ankara. Pyesim atëherë nga se vjen vallë ky desinteresim i plotë për orthodhoksët e Stambollit? - Cili është shkaku që ata janë lënë në fatin e tyre pa do një përkrahje pa ndihmë morale? Nuk janë edhe ata anëtarët e asaj familje të madhe që quhet Shqipëri? Apo me qënë se fati  i ka shtrënguar të largohen nga atdheu, nuk meritojnë të quhen edhe ata djemtë e Shqipërisë?

Ne pritnim nga qeverija përparimtare mbretnore një proteksë të veçantë për të mbajtur lart idealin tonë kombëtar dhe jo të na lërë krejt të demoralizuar, të dezorganizuar, të persekutuar nga gjith bota.

Por, si kur nuk na mjaftonin ndalimet e otoritetevet turke, na se ku faqet propagania greke me Patriakanën në krye, na se ku nepërkat e Sillogrit Vorioepirot vërtiten posht e lartë për të helmuar zemrat e bashkatdhetarëvet tanë. Në anë tjatër gazetat greke të Stambollit dita me ditën mbajnë artikulla kundra qeverisë kombëtare, kundra kishës autoqefale, të cilën duan ta prezantojnë para opinionit publik si një bllof të bërë prej disa aventurierëve pa dashjen dhe pa aprovimin e popullsisë shqiptare orthodhokse. Kuptohet fort mirë se sa dëme të mëdha i sjellin çështjes tonë këto lëvizje antikombëtare, të cilat profitojnë nga inakativiteti i Ministrisë të Punevet të Jashtme, që nuk ka marë asnjë masë kundra këtyre propagandistëve që punojnë për të bërë grekër mijëra shqiptarë orthodhoksë.

Pandeli Evangjeli

Pandeli Evangjeli lindi në Korçë në vitin 1859. Origjina e familjes Evangjeli është nga fshati Shalës i Jano Evanjeli, i vëllai, Nikollaqi, dhe dy motrat Sofia dhe Marina, u shpërngulën në Korçë, ku shpresonin se do të kishin kushte më të mira jetese.
Kolonjës. Si shumë familje të tjera, babai i Pandeliut,


Në vitin 1877, në moshën 18-vjeçare, ashtu si bashkëmoshatarët e tij, Pandeliu përfundoi gjimnazin grek me rezultate shumë të mira. Njohuritë dhe diturinë e tij, si autodidakt, ai vazhdoi t’i zgjerojë përgjatë gjithë jetës. Mjafton të përmendim faktin se, përveç gjuhës shqipe, që në moshë të re ai fliste e shkruante frëngjishten, greqishten, rumanishten dhe italishten, gjë që i dha mundësi që me kalimin e kohës të formohej akoma më mirë, të zgjeronte horizontin kulturor, shkencor e politik.

Për shkak të kushteve të vështira ekonomike ashtu si shumë bashkatdhetarë të tjerë në ato vite, edhe pjesëtarët e familjes Evangjeli u detyruan të merrnin rrugën e mërgimit. Kështu, rreth vitit 1878, në moshën 19-vjeçare, Pandeliu bashkë me të vëllanë Nikollaqin emigroi në Rumani. Fillimisht u vendos në Buçiumeni, në rrethinat e Bukureshtit, pranë Kostandin Eftimiut, me origjinë nga Drenova e Korçës, tek i cili filloi të punojë si ndihmës, apo çirak. Pasi punoi 4-5 vjet në Buçimeni, ai u vendos brenda në Bukuresht, ku vazhdoi të merrej me tregti, tani më vete.

Shumë shpejt ai mori pjesë në lëvizjen patriotike të emigracionit shqiptar në Bukuresht duke u bërë anëtar i shoqërisë “Dituria” dhe më vonë, më 7 janar 1896, u zgjodh edhe kryetar i saj. Nën drejtimin e Pandeli Evangjelit kjo shoqëri botoi abetaret e para shqipe, librat e Naimit e të Sami Frashërit, si dhe një numër të madh librash me karakter patriotik, të cilët ndaheshin falas në të gjitha trevat shqiptare. Duke kujtuar vitet kur jetonte e punonte si çirak i Pandeli Evangjelit, Thanas Viso Mborja ka shkruar: “Fillova të vete edhe në dyqanin e patriotit Pandeli Evangjeli, ku gjeta patriotë të mirë, si dhe libra të shkruar nga shkrimtarët e Rilindjes, me një fjalë një atmosferë kombëtare. Ai më mbante gjithmonë pranë, më jepte libra për të lexuar dhe, pasi t’i kisha lexuar, më pyeste për përmbajtjen e tyre. Kënaqej nga leximi im dhe herë pas here më shpinte në dhomën e bibliotekës së dyqanit të tij, e cila shërbente edhe si zyra e shoqërisë “Dituria”. Pandeli Evangjeli e kish treguar veten si një patriot i mirë, i mbante gjithnjë afër shqiptarët dhe kur ish nevoja edhe i ndihmonte; takimet me patriotët në dyqanin e Pandeli Evangjelit si dhe bisedimet që bënja me të dhe me Nikolla Naçon më zhvilluan mjaft ndjenjat e mija kombëtare”. Ndërsa një tjetër protagonist i asaj kohe, Eqërem bej Vlora, në kujtimet e tij për Pandeli Evangjelin shkruan: “Kafeneja e Pandeliut ishte qendra e lëvizjes kombëtare shqiptare. Pandeli Evangjeli ishte në atë kohë njeri i thjeshtë, shtatpakët, por me mendje të shëndoshë që falë pikëpamjeve të tij për mirëkuptim dhe bashkim nderohej shumë nga të gjithë shqiptarët e Bukureshtit”.

Pandeli Evangjeli është konsideruar si një nga organizatorët e mbledhjes në hotel “Kontinental”, bashkë me Asdrenin, Nikolla Naçon, Vasil Zografin, Spiridon Ilon etj. Në këtë mbledhje Ismail Qemali u foli patriotëve shqiptarë lidhur me misionin e tij, për shpalljen e pavarësisë vetëm pas pak ditësh. Në emër të Komitetit Shqiptar të Bukureshtit, kryetari i tij, Pandeli Evangjeli, u dërgoi letra, telegrame dhe kopjen e vendimeve të Bukureshtit shumë patriotëve e shoqërive shqiptare jashtë atdheut për t’i vënë në dijeni për vendimet e mbledhjes së Bukureshtit, për masat që po merreshin për ta shpëtuar vendin nga situata e rrezikshme në të cilin ndodhej dhe për të kërkuar prej tyre që të jepnin edhe ata ndihmesën e tyre morale e materiale në të mirë të Shqipërisë, duke dërguar përfaqësuesit e tyre për të marrë pjesë në veprimtaritë që do të zhvilloheshin në atdhe.

Më 14 nëntor 1912, Komiteti zgjodhi një delegacion prej 9 vetash të kryesuar prej Pandeli Evangjelit, i cili do të përfaqësonte koloninë shqiptare të Bukureshtit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Por, për arsye shëndetësore ky i fundit nuk mundi të merrte pjesë. Megjithatë, ai ishte një nga iniciatorët dhe organizatorët e mitingjeve që u mbajtën nga kolonia shqiptare e Bukureshtit për mbrojtjen e pavarësisë së shpallur në Vlorë dhe të trojeve kombëtare shqiptare të pushtuara nga ushtritë ballkanike. Pandeli Evangjeli ishte gjithashtu personaliteti kryesor i kolonisë së Bukureshtit, i cili komunikonte me qeverinë e Vlorës dhe me kancelaritë evropiane. Ai mbante fjalime, hartonte protesta e memorandume, duke u bërë kështu shprehës i aspiratave të popullit shqiptar.

Pasi u formua qeveria e Vlorës e kryesuar nga Ismail Qemali, Pandeli Evangjeli, në emër të të gjithë shqiptarëve të Rumanisë i dërgoi asaj këtë telegram urimi: “Shqiptarët e Rumanisë i dërgojnë me entuziazëm të madh zotërisë t’uaj dhe gjithë qeverisë shqiptare urimet për veprën e madhe patriotike që mbaruat. Rroftë qeveria e parë e Shqipërisë! Rroftë Shqipëria e lirë!”. Në telegramin e përgjigjes drejtuar kolonisë shqiptare të Bukureshtit, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi shkruanin: “Përpjekjet tuaja na japin gëzim, kurajo dhe ndihmë. Rrofshin shqiptarët e Rumanisë!”.

Siç del dhe nga dokumentet arkivore të kohës, duke vlerësuar ndihmesën e çmuar të Pandeli Evangjelit, Ismail Qemali i propozoi atij që pasi të organizonte situatën definitive në Shqipëri do ta emëronte si ministër. Mirëpo, kjo nuk u arrit që të vihej në jetë, sepse qeveria e Ismail Qemalit nuk vazhdoi gjatë pas këtij propozimi.

Më 12 janar 1914, kolonia shqiptare e Bukureshtit organizoi një mbledhje në të cilën vendosi të dërgonte përfaqësuesit e saj në atdhe, për të marrë pjesë në pritjen që do t’i bëhej princ Vidit, me ç’rast do t’i shprehnin atij “nderimin, gëzimin dhe devotshmërinë e kolonisë”. Si kryetar i kësaj përfaqësie u zgjodh Pandeli Evangjeli.

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e organizuar me rastin e ardhjes së princ Vidit në Durrës, më 7 mars 1914, në emër të kolonisë shqiptare të Bukureshtit Pandeli Evangjeli deklaroi ndër të tjera: “Që sot e tutje hymë në radhën e shteteve të qytetëruara. Shqipëria jonë e dashur, Albania, ka vendin e saj në mes të shteteve të botës. Që sot e tutje secilido prej nesh do të quhet me madhështi shqiptar”.

Duke pasur parasysh kontributin dhe rolin e tij në afirmimin e çështjes kombëtare, qeveria e princ Vidit e ngarkoi Pandeli Evangjelin me detyrën e prefektit të Korçës. Kur mori këtë detyrë, gjendja e Korçës dhe e qarkut të saj ishte mjaft e rëndë. Forcat greke, edhe pas vendimeve të Konferencës së Londrës për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar vazhdonin të mbanin të pushtuara një pjesë të madhe të Shqipërisë së Jugut. Një plagë e rëndë ishte dhe përçarja fetare që ato kishin futur në popull. Prandaj, që ditët e para atij iu desh të përballej me një numër të madh problemesh. Megjithëse qëndroi për një kohë të shkurtër në Korçë, për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, si rezultat i përpjekjeve që ai bëri u arrit që administrata e shtetit shqiptar të vendoste sovranitetin e saj edhe në këto zona. Fryma e bashkëjetesës dhe harmonia midis elementëve me përkatësi të ndryshme fetare u forcua. Edhe largimi nga Korça ishte, sipas vlerësimit të vetë Pandeliut, “një episod me të vërtetë dramatik”.

Në vitin 1919, kur po mbahej Konferenca e Paqes në Paris, edhe kolonia shqiptare e Bukureshtit dërgoi delegacionin e vet ku bënte pjesë Pandeli Evangjeli, Ibrahim Temo dhe Dhimitër Berati.

Pandeli Evangjeli qëndroi në Paris gati dy vjet, ku zhvilloi një veprimtari të ngjeshur politike e diplomatike dhe u tregua, sipas vlerësimeve të shtypit, një ndër politikanët më të mirë të kohës.

Veprimtaria e frytshme diplomatike e Pandeli Evangjelit në Paris bëhet edhe më e plotë kur asaj i shtohen përpjekjet e tij për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Ishte pikërisht ai i cili, në emër të qeverisë shqiptare i dërgoi z. Erik Drummond, Sekretarit të PërgjithshëmLK-së në Londër, më 12 tetor 1920, kërkesën e mëposhtme: “Qeveria e Shqipërisë, interprete besnike e ndjenjave të gjithë popullit shqiptar, duke dashur shumë që në Ballkan të konsolidohet paqa, kërkon që të pranohet në Lidhjen e Kombeve dhe të marrë pjesë në Asamblenë e madhe që do të mblidhet në Gjenevë më 15 nëntorin e ardhshëm”, kërkesë, e cila megjithë vështirësitë, që pati, u pranua.

Më 5 dhjetor 1920, qeveria e Iliaz Vrionit shpalli ligjin për zgjedhjet e reja. Këto do të ishin zgjedhjet e para parlamentare në Shqipërinë e pavarur. Pandeli Evangjeli kandidoi dhe u zgjodh një ndër 10 deputetët e prefekturës së Korçës.

21 prill 1921 u hap Parlamenti i Parë Shqiptar. Çështja e rendit të ditës ishte zgjedhja e kryesisë, ku me votim të fshehtë kryetar u zgjodh Pandeli Evangjeli. Nën drejtimin e tij u diskutuan probleme të ndryshme, u miratuan projektligje, u thirrën në interpelancë kryeministri dhe anëtarë të qeverisë për të dhënë shpjegime mbi gjendjen e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë etj. Por Pandeli Evangjeli qëndroi vetëm pak kohë në krye të Parlamentit Shqiptar. Më 11 korrik 1921 u riorganizua kabineti qeveritar, ku me propozim të Kryesisë së Këshillit të Ministrave ai u emërua ministër i Jashtëm i këtij kabineti. Pandeli Evangjeli, për t’i shërbyer atdheut atje ku kishte më shumë nevojë, e pranoi detyrën e re dhe u tërhoq nga ajo e kryetarit të Parlamentit.

Përgjatë detyrës së tij si ministër i Jashtëm ai bëri përpjekje për zgjidhjen e një sërë çështjesh që Shqipëria kishte me fqinjët, sidomos mbi popullsinë shqiptare që jetonte atje apo lidhur me kufijtë, të cilët akoma në disa zona nuk kishin gjetur zgjidhje përfundimtare.

Si rezultat i kompromisit të realizuar nga grupimi politik “Bashkimi i Shenjtë”, më 16 tetor 1921 u formua kabineti i ri qeveritar në krye të të cilit si figurë e pranuar nga të gjithë u zgjodh Pandeli Evangjeli, që njëkohësisht do të mbante edhe postin e ministrit të Jashtëm. Në fjalimin që mbajti me këtë rast përpara Parlamentit, ai deklaroi ndër të tjera se: “Nuk erdhëm në qeveri me qëllim për të zënë kolltukët, por vetëm për t’i shërbyer atdheut...”. Megjithë kohën e shkurtër që qëndroi në krye të këtij kabineti, ai u përpoq me të gjitha forcat për të qetësuar situatën politike dhe për stabilizimin e vendit.

Pandeli Evangjeli vazhdoi të mbante detyra të rëndësishme edhe më vonë. Kështu, më 24 shtator 1925, Presidenti i Republikës, Ahmet Zogu, nënshkroi dekretin për emërimin e tij si kryetar i Senatit, veprimtarinë e të cilit e drejtoi me kompetencë për rreth tre vjet, deri në gusht 1928.

Në mbledhjen e parë të Asamblesë Kushtetuese që u mbajt më 25 gusht 1928 me qëllim për të rishikuar statutin dhe formën e regjimit, ai u zgjodh si kryetar i përkohshëm dhe në mbledhjen e dytë si kryetar definitiv i saj. Pas shpalljes së Shqipërisë Monarki dhe shpërndarjes së Asamblesë, ai u rikthye në krye të Parlamentit deri në marsvitit 1930, kur mori edhe drejtimin e qeverisë shqiptare.

Vitet 1930-1935, kur ai ishte kryeministër në tri qeveri radhazi, ishin të mbushura me ngjarje dhe zhvillime të mëdha politike. Ai u përball me krizën ekonomike që përfshiu mbarë botën, reformën agrare dhe arsimore brenda vendit, acarimin e marrëdhënieve me Italinë e të tjera problematika të kësaj natyre.

shtator të vitit 1938, Pandeli Evangjeli u zgjodh përsëri kryetar i Parlamentit Shqiptar. Ai qëndroi në krye të tij deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.

Pas 7 prillit 1939, ndryshe nga shumë politikanë të tjerë, ai u tërhoq nga jeta politike dhe nuk mori pjesë në qeveritë që u krijuan nga pushtuesi.

Çlirimi i Shqipërisë atë e gjeti në një moshë të thyer, por plot shpresë e gëzim për të ardhmen e vendit.

Regjimi komunist nuk e kurseu as këtë figurë. Megjithëse nuk e arrestoi, në vitin 1946 e nxori nga shtëpia, e cila fillimisht u përdor si seli e Ambasadës Jugosllave. Në vitin 1947 ai u dëbua nga Tirana dhe u vendos në Korçë, ku edhe vdiq në moshën 90-vjeçare.

Memorandumi i Kristo Dakos dhe Mihal Gramenos drejtuar Presidentit të SHBA Wilson


“Të drejtat dhe kërkimet e Shqipërisë për indipendencë dhe për tërësinë e vendit”
është teksti shqip i memorandumit që iu dërgua Presidentit Wilson më 20 korrik 1919 nga Kristo Dako dhe Mihal Grameno.
Ky memorandum u botua në trajtën e një broshure në shqip me titullin e mësipërm dhe në gjuhën angleze me titullin “Albania`s Rights and Claims to Indipendence and Territorial Integrity”. Përveç se një dokument zyrtar, ai është një historik i shkurtër i vendit tone dhe një kontribut modest në mendimin historiografik shqiptar. Por, mbi të gjitha ai mer vlerë për faktin se u shkrua dhe iu paraqit një personaliteti të njohur botëror në kohën kur fatet e Shqipërisë do të diskutoheshin në Konferencën e Paqes në Paris.
--------------------------------------------------------------------------------------------------
Ptolemeu është i pari shkrimtar, i cili bën fjalë për shqiptarët, mirë po shqiptarët, bijtë e shkabës malësore sikundër ata e quajnë veten e tyre, janë rraca më e vjetër që ndodhet në Europë, ndenjësit autoktonë të Gadishullit Ballkanik, të cilën e qeverisën për mijëra vjet më parë se të kapërcejnë barbarët Tunën. Shqiptarët janë stërnipat e maqedonasve të vjetër, të ilirjanëvet dhe të epirjotëve, të cilët ishin pasardhësit e Pellazgëve. Shqiptarët janë prej një brumi me cilësi fizike dhe mendore të shquara. Historia na jep një listë shqiptarësh të shquar si nga cilësia ashtu dhe nga sasia, edhe fushën e gjerë në të cilën vepruan. Në tërë brezat shqiptarët kanë qëndruar në ballë të punërave të botës. Aleksandri i Madh, Pirrua, Teuta, Skëndërbeu, Ali Pashë Janina, Mehmet Ali Pasha që liroi Misirin (Egjiptin), Krispi burrë shteti i Italisë, Trikupi buurrë shteti i Greqisë, janë ca nga këta. Qëndrimi heroik që treguan shqiptarët në kohët e kaluara kundër Romanëve, Gothëvet, Hunëvet, Serbëvet, Bullgarëve dhe Normanëve s’është më e pakë se një çudi. Të bijtë e shqiponjës përmbijetuan pesë perandori dhe bashkërisht kundërshtuan çdo përpjekje për t’i shkombtarizuar. E ruajtën gjuhën, zakonet kombëtare dhe traditat në tërë brezat dhe kështu provuan se janë një komb që nuk mund të vihet nën thundër ose të tretet. Në të 15 shekull kur Europa ishte duke gëzuar bekimet e Rilindjes shqiptarët nën udhëheqjen e heroit të tyre të famshëm Gjergj Kastriot Skëndërbeu mundën më shumë se 20 ushtri osmane nga të cilat disa ishin nën komandën e vetë sulltanëve dhe kështu i ndaluan t’a zgjatnin pushtimin e tyre në Europë dhe kështu iu sigurua paqja popujve të perëndimit, iu ndihmua të arrijnë shkallën e lartë të diturisë e të qytetërimit. Pas vdekjes së Skënderbeut vendi ynë ra nën qeverimin e keq të otomanëve të cilët nisën dhe vunë në veprim një sistem shkelje dhe ndjekje kundër shqiptarëve dhe u mohuan të drejtën e shenjtë për t’u arsimuar në gjuhën e vet, kurse propogandës dhe intrigës së huaj i hapën dyert dhe i dhanë liri të plotë të ndajnë dhe të shkombëtarizojnë kombin shqiptar. Kjo propogandë dhe intrigë e huaj ka pasur një natyrë të tillë sa ende nuk është zhdukur krejt nga rrethi ynë dhe në këtë vend i cili është i zbrazët nga të tilla manevra. Me gjthë këto fuqia jetike e kombit shqiptar si një trup është e tillë sa mundi të ruajë të pa cënuara cilësitë kombëtare dhe më shumë se një here u ngrit duke kërkuar tërësinë dhe indipendencën, mire po disa nga Fuqitë e Mëdha nga shkaku i interesave të tyre e gjetën për më mire të mbajnë stusquonë e Perandorisë Osmane, se sa të njohin dhe të vulosin indipendencën e Shqipërisë.
Më 1912 në kohën e luftës ballkanike Shqipëria u bë kockë mosmarrëveshjeje midis Greqisë, Serbisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi të cilët kërkonin ndarjen e saj, por Italia dhe Austria hynë në mes për të ndalur një ndarje të tillë. Në këto e sipër shqiptarët nën udhëheqjen e veteranit burrë shteti, Ismail Qemal Bej Vlora, proklamuan indipendencën e vendit të tyre dhe i adresuan Europës një thirrje për tërësinë e Shqipërisë. Një muaj më vonë, Konferenca e Londrës e shtërnguar prej kësaj fuqie reale dhe demokratike që krijoi këtë shtet të ri, edhe si dëshmi e besimit të saj në parimin e kombësisë vulosi indipendencën e Shqipërisë, të cilën independencë e proklamuan shqiptarët vetë më 28 nëntor 1912. Fatkeqësisht një pjesë e madhe e Shqipërisë padejtësisht dhe paturpësisht u shkëput nga trupi i saj dhe iu dha Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë.
Fqinjët tanë lakmonjës nuk u kënaqën me atë që morën në Koferencën e Londrës, por për njëherësh nisën të shkelin vendin, megjithëse kishin deklaruar zyrtarisht se pranonin vendimet e mbledhjes së Europës dhe e shkatërruan makinerinë e këtij shteti që porsa kishte lindur, më pare se të kishte kohë të ngrihej në këmbë. Ligësitë dhe masakrat që u bënë në Shqipëri prej ushtrive pushtuese në verë të vitit 1914 pak kohë përpara luftës Europiane do të mbeten një njollë gjaku në histori të botës. Gëzohemi të mësojmë se burra shteti dhe patriotë të Greqisë dhe të Serbisë filluan të kuptojnë se fushën natyrale për zgjerimin e tyre nuk është as Shqipëria e Jugut ose Epiri, as Shqipëria e Veriut ose “Serbia e Vjetër” ndenjësit e të cilave vise janë shqiptarë dhe nga rraca, nga ghuha dhe nga ndjenjat por për Greqinë në lindje, në nisë të Detit Egje, edhe në Azi të Vogël; dhe për Serbinë në Veri, Bosnje, Hercegovinë, Kroaci, etj… Sot për sot Shqipëria megjithëse u vendos prej Europës të jetë neutrale është shkelur prej fuqive luftonjëse dhe po vuan në heshtje më shumë se Belgjika. Që kur se nisi lufta e madhe, shqiptarët, besnikë të çështjes së drejtë të aleatëve të cilët po luftojnë për triumph të parimit të shenjtë të kombësisë edhe ndenjës besnikë të Shteteve të Bashkuara, po gëzohen duke dëgjuar zërin fisnik dhe duke mësuar kërkimet e Presidentit Wilson për mbrojtjen e të drejtave të kombësive të vogla. Gëzimi ynë është sot edhe më i madh duke pare si kryefjalë: “Të mbretëruarit të nomit (ligjit), duke pasur si themel lejen ose dashjen të të qeverisurvet edhe përkrahje të opinionit të organizuar të njerëzimit”. Duke ditur se tërë përpjekjet që u bënë në kohërat e kaluara për të zgjidhur problemin e Ballkanit, pa marë ndër sy të drejtat e elementit shqiptar, ranë krejt; duke ditur se sa kohë një komb, kudo që të jetë, mbetet nën thunder të pushtonjësvet, aq kohë paqe e botës është e pa siguruar; duke ditur se paqja që do të pasojë këtë luftë nuk do të jetë e qëndrueshme dhe e përherëshme, në qoftë se padrejtësitë e mëparshme vazhdojnë; duke ditur qëndrimin e patundur të aleatëve për të luftuar për një zgjidhje të sosur, jemi plotësisht të bindur se parimet e mëdha dhe fisnike të popullit Amerikan do të triumfojnë dhe se Shqipërisë midis të tjerave kombësi të vogla, do t`i jepen kërkimet e saja të drejta për indipendencë të plotë politike dhe ekonomike, si dhe tërësia e vendit. Shqiptarët drejtësisht kërkojnë të gjitha viset në perëndim të Gadishullit Ballkanik, të cilat janë të banuara prej shqiptarësh.Kufinë e saj lehtazi mund ta ndjekim në çdo hartë. Nga lumi Bojana, ky kufi pason kufinë e vjetër të Malit të Zi, në Veri, gjer sa prek krahinën e Novipazarit, në Jug të Beranës, që kun is të ndjekë lumin Ibër gjer në Mitrovicë. Kufiri pushton udhën e hekurt gjer në Qyprili duke marë përbrenda Ferizajn dhe Shkupin. Prej Qyprilisë kufiri drejtohet në Jug dhe pret hekurudhën Manastir-Selanik pranë Follorinës duke shkuar midis liqenevet të Prespës dhe të Ostrovës dhe pastaj drejtohet në Lindje gjer në një pikë, në jug të liqenit të Prespës duke lënë jasht Kosturin; së këtejmi merr përsëri drejtimin jugor dhe duke u zgjatur prek kufinë e vjetër të Greqisë.
Wadham Peacock në librin e tij “Albania, the foundling state of Europe”, duke folur mbi vendin e banuar nga shqiptarët dhe për kërkimet e tyre thotë: “Kjo përpjekje për të hequr kufinë e Shqipërisë, padyshim se do të ishte e akspetuar prej Konferencës së Londrës, po të ishin shqiptarët mjaft të forte ose mjaft popullorë për të propaganda si ajo që organizuan miqtë e grekëve, të bullgarëve dhe të serbëve, sepse pushtonte vendin, në të cilin shqiptarët me të vërtetë formojnë shumicën dhe në të cilin vend kombësitë e tjera qëndruan duke përdorur intrigat më të dobta fetare dhe politike”. Zoti Rene Pinon një tjetër shkronjës i paanëshëm në problemet e Ballkanit duke folur mbi këtë temë thotë: “Prej fushave të Vardarit gjer në Adriatik, prej Thesalisë gjer në Mal të Zi, shqiptari është zot, edhe ngase është i pari ndenjës, edhe ngase është më i forti në këto vise”. Amerikës së fuqishme së drejtë dhe liridashëse i bie barra, por edhe nderi për të mbrojtur kërkesat e këtij kombi jetim, që të mund të gëzojnë edhe shqiptarët të drejtën për të zhvilluar lirisht dhe në paqe qytetërimin e tyre duke pasur të drejtë si një komb i veçantë nga një rracë e veçantë, me një gjuhë të veçantë, t`i jepet gjith ai shtet si edhe tërë kombësivet të tjera të vogla.

27/06/2013

Gjergji Qirijazi (1865-1912)

Sikundër i vëllai, edhe Gjergji hyri shumë herët në lëvizjen patriotike të Rilindjes. Ai dha kontribut të cmuar në mbajtjen hapur e në veprim të Shkollës së Vashave në Korcë, pas vdekjes së Gjerasimit.
Gjergji u shqua në fushën publicistike, duke botuar mjaft artikuj me Kryefjalë Shqipërinë dhe të ardhmen e saj, në organe të ndryshme të shtypit shqiptar të kohës.
Gjergji ishte ndër iniciatorët në  krjimin e Klubit Kuturor Shqiptar të Manastirit me emrin “Bashkimi” më 1908.Në fillim kreu detyrën e sekretarit të këtij Klubi e më pas atë të N/Kryetarit.
Gjergji Qiriazi Luajti rol kryesor në organizimin dhe zhvillimin me sukses të Kongresit të Manastirit më 1908 dhe në Komisionin që hartoi Alfabetin e Gjuhës së shkruar Shqipe.
Ai përfaqësonte krahun e armatosur në këtë Klub së bashku me Bajo Topullin dhe shumë shpejt u krijua ceta e parë komite,e Cerciz Topullit.Daljen e parë e saj si e tillë shënohet në malësinë e Kolonjës, në Llokaf dhe në Starje të Kolonjës.
Gjergj Qiriazi dha kontribute me vlerë në hartimin e teksteve shkollore për shkollat që ishin celur e ato që do të  shtoheshin më tej.
Gjergji Qiriazi është autor i të parit tekst të fizikës në gjuhën shqipe, botuar në Bukuresht më 1899 dhe që përmbante edhe të dhënat më të fundit në këtë shkencë.

Gjerasim Qirjazi (1861-1894)

             

            Gjerasimi përfundoi shkollën fillore dhe gjimnazin grek në Manastir me rezultate të larta.
Në vitin 1882 përfundoi Kolegjin Amarikan të Samokovit në Bullgari.
Në Lëvizjen patriotike shqiptare u angazhua herët dhe për ta lehtësuar veprimtarinë e tij në dobi të atdheut, pranoi ofertën për të drejtuar Shoqërinë Biblike Angleze në Shqipëri e Maqedoni.
Më 1885 Gjerasimi hapi në Manastir një shkollë shqipe. I ndihmuar edhe nga i tij-Gjergji dhe e motra-Sevastia, përktheu copa letrare, krijoi edhe vetë të tilla, përshtati mjaft tekste mësimi, të cilat u përdorën në këtë shkollë.
Për t’u ardhur në ndihmë shkollave shqipe harton tekstin “Gramatika e gjuhës shqipe”.
Bashkë me motrat e tij,Parashqevinë dhe Sevastinë-bënë të gjitha hapat konkrete për të arsimuar edhe femrën shqiptare.Pas përgatitjeve, hapën në Korcë Shkollën Shqipe për Vashat më 1891.
Për të siguruar vazhdimësi të shkollës, ai krijoi po në Korcë shoqërinë  “Vëllazërimi”
Vdiq në moshë të re, në kulmin e energjive krijuese dhe të kontributit për Rilindjen e Shqipërisë.
Megjithëse lëngonte në shtrat,para se të vdiste, ai i la së motrës, Sevastisë, këtë amanet:
“…Mos harro që je shqiptare.Ti ke patur fatin të jesh e vetmja që morre arsim të lartë, por gratë e tjera të vëndit tënd, motrat e tua, janë të pamësuara.Është detyra jote të punosh e të mundohesh që të bëhen edhe ato të mësuara…”
Shkrimet e tij letrare e patriotike, vëllai i tij Gjergji, i botoi me titullin “Krisomathia” (1902 dhe 1907), të cilat u përdorën në shkollat shqiptare të Rilindjes dhe të pas Pavarësisë, si lëndë mësimore për edukimin.
Gjerasimi ushtroi veprimtari të gjërë arsimore e pedagogjike. Ai punoi jo vetëm si mësues, por edhe përpunoi në një farë mënyre një sistem te vet pedagogjik.