Showing posts with label Dorëshkrime-dhe-Figura-të-Shquara. Show all posts
Showing posts with label Dorëshkrime-dhe-Figura-të-Shquara. Show all posts

14/02/2024

Historia e Pushkatimit të Themistokli Gërmenjit

 PËRSE U PUSHKATUA THEMISTOKLI GËRMENJI?


Shpallja e Vetëqeverimit shqiptar të qarkut të Korçës më 10 dhjetor 1916 është një ngjarje madhore në historinë e Shqipërisë. Ajo kishte shkakësi  historike rrezikun e aneksimit të tij nga Greqia, para Luftës së Parë Botërore, gjatë dhe pas saj. 

Siç dihet, përgjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912 dhe më pas, qarku i Korçës dhe i Gjirokastrës u pushtuan nga ushtria greke, e cila vendosi një regjim ushtarak, që bashkë me andartët dhe bandat kriminale të sjella nga Kreta dhe “batalionet e shenjta” të krijuara në Shqipëri, kryen genocid ndaj popullsisë shqiptare në vitet 1913-14, siç janë masakrat e përgjakshme në fshatrat kufitare të Kolonjës e të Leskovikut, Përmetit, Skraparit, Gjirokastrës, Tepelenës Bilanci i të vrarëve dhe të masakruarve arriti në 7000 frymë, 192 fshatra të djegur, mëse 100.000 njerëz të shpërngulur me dhunë nga vatrat e tyre, nga të cilët 4000 vdiqën nga uria dhe tifoja, përveçse shkatërrimeve të mëdha materiale, djegiet e shtëpive, rrëmbimin e bagëtive e të pasurive.

Përpos pushtimit ushtarak, në Korçë u vendos edhe regjimi civil grek, në krye të të cilit qëndronte qeveritari Argjiropulos. Greqia nuk hiqte dorë nga përpjekja për të aneksuar jugun e Shqipërisë të ashtuquajtur prej saj Vorio- Epir, në kundërshtim edhe me vendimet e Konferencës së Londrës të 29 korrikut 1913 dhe protokollin e Firences për përcaktimin e kufijve jugorë.

Fuqitë e Mëdha, në notën e 31 janarit 1914 drejtuar qeverisë greke, kërkonin largimin e ushtrisë greke nga Korça e Gjirokastra, si kompensim i dhënies së Greqisë të ishujve të detit Egje. Nën presionin ndërkombëtar, qeveria greke, më në fund pranoi të largonte ushtritë nga qarku i Korçës, duke përfunduar evakuimin më 1 mars 1914. Më 2 mars hynë në Korçë forcat e gjindarmërisë shqiptare me oficerët hollandezë në krye. Në Korçë u vendos një administratë shqiptare nën vartësinë e KNK dhe një korpus vullnetarësh shqiptarë nën komandën e Themistokli Germenjit.

Pikërisht në këtë kohë nisi dredhia e politikës  greke për ta marrë kalanë nga brenda. Më 2 mars 1914, ditën që forcat shqiptare hynë në Korçë, u shpall në Gjirokastër e ashtuquajtura “Autonomi e Vorio-Epirit” nga Zografos, ish-ministër i Jashtëm i Greqisë, i cili krijoi edhe një qeveri të përkohshme kukull, ku merrnin pjesë edhe ish-funksionarë të lartë dhe peshkopë grekë. Për të mbështetur Zografon zbarkuan në Sarandë bandat e ardhura nga Gjiriti si edhe u kontigjentet vendase të rekrutuara tek Ierollohitët. Disa ditë më pas, majori i ushtrisë greke Spiro Milo shpalli “autonominë e Himarës”, që përfshinte 7 fshatra të banuara historikisht nga shqiptarët. Autoritetet civile greke dhe ushtarake greke, të mbështetur edhe nga Kisha greke në Korçë, aktivizuan andartët dhe banditë të sjellë nga Greqia, që zëvendësuan ushtrinë e rregullt greke dhe organizuan një kryengritje brenda në Korçë, duke e kombinuar me mësymjen nga jashtë, për t’i treguar botës se atje ishte Greqi dhe se popullsia e Korçës donte bashkimin me Greqinë. Kështu u organizua puçi ushtarak i 2 prillit 1914. Skenari ishte ky: një kryengritje nga ushtarët grekë, të veshur civilë si edhe të andartëve, të fshehur në Mitropoli, në  spital si të sëmurë, nëpër shtëpi e gjetkë dhe të ierollohitëve vendas. Peshkopi grek Germanos u ra kambanave të kushtrimit, si edhe njoftoi  ushtrinë greke, që të ndërhynte për të “shpëtuar” vëllezërit në Korçë, pra një kombinim i puçit nga brenda me ndëryrjen ushtarake nga jashtë. Puçistët e armatosur dolëm në mesnatë nga vendet ku ishin fshehur, atyre u erdhën edhe andartët që ishin vendosur në Devoll dhe bashkërisht pushtuan ndërtesat publike, si edhe hyrjet në qytet. Lufta më e rreptë u zhvillua në prefekturë. Forcat e xhandarmërisë shqiptare të komanduara nga oficeri  hollandez G.Sneller, korpusi i vullnetarëve të Korçës i komanduar prej  Themistokli Gërmenjit dhe forcat vullnetare të Kajo Babjenit nga Gora si edhe të batalionit të Kolonjës të komanduar nga Gani Butka, bashkë me kapitenin amerikan Spenser, i thyen kryengritësit pas katër ditësh luftimesh dhe arrestuan peshkopin Germanos e krerë të tjerë të puçit, që i dërguan në Elbasan. 

Ndërkohë ushtria e rregullt greke kishte kaluar kufirin nga ana e Leskovikut dhe ishte nisur për në Korçë. Përpjekja e parë e përgjakshme u bë në Qafën e Badrit. Atje luftoi trimërisht Qani Ypi me një çetë kolonjarësh. U vranë të gjithë, bashkë me komandant Qani Ypin. Atëherë Sali Butka dha kushtrimin. U mblodhën 350 vullnetarë. Me të u bashkuan edhe luftëtarët e Devollit me në krye Hasan Bitinckën, si edhe luftëtarët e Pogradecit me Jasshar bej Starovën dhe çetarët e Shaban Blloshmit. Erdhën në ndihmë edhe luftëtarët e Taborit të Strugës me Demir Aliun në krye.  Çetat e shtuara të Sali Butkës zhvilluan luftime në qafën e Qarrit, në Shtikë dhe në Butkë në datat 19, 20 dhe 21 prill 1914 , duke i penguar ushtarët e Greqisë të shkonin në Korçë. Ja ç’shkruant gazeta “Koha” e datës 3 maj 1914: “Në luftërat e Shtikës dhe të Butkës  më 19, 20 e 21 prill, kur grekët bënë më të mëdhatë yryshe, që të thyenin krahun e mëngjër të ushtrisë shqiptare, kapedan Saliu me të birin e tij, Ganinë dhe me shokët e tij, iu kundërshtua armikut kaq burrërisht dhe luftoi me aq mjeshtëri e trimëri, sa armiku e uli kokën përpara armëve të shqiptarit , i la vendet që kish zaptuar , u thye dhe u çakërdis, duke lënë në fushën e luftës më tepër se 150 të vrarë”. (Gazeta Koha e M. Gramenos, 3 maj 1914)

Por beteja më e madhe u bë në Nikolicë, mes Kolonjës e Devollit. Sali Buka zuri vijën e frontit Qafë e Kazanit- Arrëz- Nikolicë- Ushtria greke, e mbështetur edhe nga andartët, mësynë këtë herë me 2000 ushtarë të pajisur edhe me artileri, nën komandën e kapiten Vardhës për të pushtuar Korçën. Grekërit u thyen dhe u hodhën matanë kufirit. Në këtë betejë, u vranë mëse 200 ushtarë grekë, si edhe ranë mjaft luftëtarë shqiptarë, mes tyre edhe ladorishtarët Bajram Coma dhe Demisha Hoxha nga Tabor i Strugës, që i kanë ende varret në Nikolicë, si edhe u zu rob Hasan Bitincka. Në luftë e sipër, Sali Butka u plagos në syrin e majtë, që ia prishi dritën për jetë.

Ndërkohë nisi rebelimi Rebelimi haxhiqamilist, maj 1914 , që solli luftë të brendshme dhe anarki. Për të shpëtuar Korçën dhe Pogradecin nga pushtimi dhe shkatërrimi haxhiqamilist, lufuan dhe u vranë në Pogradevc 60 kolonjarë bashkë me komandantët e tyre  Gani Butka dhe Zalo Prodani. Largimi i Princ Vidit nga Shqipëria më 3 shtator 1914 dhe fillimi i Luftës së Parë Botërore, e kthyen Shqipërinë në shesh lufte të fuqive ballkanike dhe europiane. Nga kjo situatë përfitoi qeveria greke për të depërtuar ushtrinë e saj në Shqipëri dhe në fund të vitit 1914 Korça dhe Gjirokastra ishin të pushtuara prej saj. Ushtritë serbe arritën deri në Durrës. Ndërkohë, Shqipëria Veriore dhe Qëndrore ishin pushtuar nga Austriakët, që pasi kishin thyer serbët, kishin përparuar deri në afërsi të Korçës. Italianët kishin zënë vend në qarkun e Gjirokstrës dhe në një pjesë të Kolonjës, si edhe në ishullin e Sazanit e në Vlorë. Fuqitë e Antantës, për të tërhequr Greqinë në anën e tyre, i premtuan Venizellosit sovranitetin mbi Shqipërinë e Jugut, në këmbim të pjesëmarrjes së saj të menjëhershëm në konfliktin botëror. Këto orekse u shfaqën në Traktatin e fshehtë të Londrës të vitit 1915.

Ndërkohë që lufta botërore vijonte në Frontin Perëndimor, Aleatët hapën Frontin Ballkanik nën komandën e gjeneral Sarrej me qendër në Selanik. Në tetor 1916, Regjimenti i parë i kalorësisë së lehtë të Afrikës, i komanduar nga nënkoloneli de Burnazel, pushtoi ushtarakisht kazanë e Korçës. 

Kur ushtria franceze u shtri në këtë krahinë, u ndodh përballë një lëvizje të gjerë të armatosur shqiptare, që luftonte për dëbimin nga krahina e pushtuesve grekë, synimet aneksioniste të të cilëve ishin të njohura . Forcat patriotike të qarkut të Korçës reaguan dhe e rrethuan qytetin: çetat e Sali Butkës, që bashkëpunonin me austriakët, u shtrinë prej Kamenicë gjer në teqenë e Melçanit dhe fuqitë e Themistokli Gërmenjit, me mbështetjen bullgaro-maqedonase, nga Podgoria deri në Melçan. Të dy komandantët bënë marrëveshje për ta shtrënguar ushtarakisht Korçën. Teqeja e Melçanit do të ishte qendër tyre e përbashkët. 

Me ardhjen e forcave franceze, këta i larguan grekët kostandinistë, si kundërshtarë të Antantës dhe vendin e tyre e zunë venizelistët, që shpejtuan të vinin në Korçë nga Selaniku, ku e kishte ngritur qeverinë Venizeloja, nën mbrojtjen e fuqive ushtarake të Antantës.

Nga forcat kombëtare shqiptare u përdor strategjia e marrëveshjes me Francezët, nëpërmjet Themistokliut, por edhe e shtrëngimit e imponimit ushtarak, nëpërmjet forcave të Sali Butkës. Sali Butka i dërgoi autoritetit ushtarak në Korçë, kolonelit Burnazel këto kërkesa: 

1)Të ngrihet flamuri shqiptar në Korçë. 2) Të çelen shkollat kombiare shqip në Korçë dhe të mbyllen shkollat greke. 3) Ushtria franceze të dalë nga qyteti i Korçës dhe të qëndrojë në Debojë, te kazermat. ( Petro Harizi, Histori kronologjike e Qarkut të Korçës, 1919)

Në këto rrethana të pafavorshme strategjike e ushtarake për francezët, gjeneral Sarrej dërgoi në Korçë  kolonelin Dekuan me dy batalione këmbësorie dhe skuadrone kalorësie dhe një bateri artilerie, me udhëzime të qarta: “Gjenerali nuk do në Korçë as grekë të asnjë lloji, as italianë, as esatistë “

Më 23 nëntor 1916, koloneli largoi nga Korça  qeveritarin grek Argjiropolos me gjithë shpurën e tij dhe shpërndau  bandat e së andartëve. Dekuan e çmoi ndjenjën kombëtare shqiptare në Korçë, që sipas tij “okupacioni grek ka mundur të mos e lërë të marrë frymë, por nuk ka mundur ta mbysë” 

Më 24 nëntor, Themistokliu u paraqit tek autoritetet  franceze dhe u takua me kolonelin Dekuan. Janë të famshme falët e Themistokliut: “Unë jam një patriot shqiptar. Nuk kam asnjë shkak armiqësie kundër francezëve. Nuk kam qenë kurrë kundër jush, por me ata që më dukej se garantonin lirinë e atdheut tim. Unë grekët i shikoj si armiqtë tanë më të mëdhenj. Kam marrë armët  për t’i luftuar. Tash që autoritetet franceze larguan nga Korça përfaqësuesin e qeverisë greke, nuk kam më asnjë arsye për të qëndruar në mal. Vinj pra tek ju si një njeri plotësisht lojal, Kimëni në dispozicion. Nuk kërkoj gjë tjetër veçse t’ju ndihmonj e të vë në shërbimin tuaj influencën time mbi popullsitë” 

Edhe nga këto fjalë atdhetare të Themistokliut, del qartë se rreziku kryesor për qarkun e Korçës ishte ai grek.

Petro Harizi, atdhetar dhe intelektual korçar dëshmon: “Populli bëri një mbledhje në Kazino, ku një shumicë e madhe e popullit vendos që të akceptohen konditat e Sali Butkës: dmth. të ngrihet flamuri shqiptar dhe të çelen shkollat shqipe” (Petro Harizi, Historia kronografike e Korçës)

Kjo gjë vërtetohet edhe nga konstatimet, por edhe dokumentet e sjella nga doktori i shkencave juridike në Francë, N. Kotta, që ka studiuar me themel dokumentat franceze: “Po ashtu, edhe popullata e braktisur e Korçës iu drejtua komandantit francez, të cilit i shprehu dëshirën të ishte e lirë dhe i kërkoi që krahina e Korçës, e ndarë si pasojë e luftës nga pjesa tjetër e Shqipërisë, të shpallej si republikë autonome shqiptare nën mbrojtjen franceze, duke pritur bashkimin e saj me Shqipërinë”. (Nuçi Kotta, Shqipëria dhe çështja e kufijve shqiptaro-grekë, Paris).

Koloneli Dekuan  i vlerësonte kështu forcat patriotike shqiptare: “Në perëndim të Korçës, bandat austro-shqiptare  të Sali Butkës. Tërësia e bandave të Sali Butkës kishte forcën e disa batalioneve franceze. Në veri të Korçës, bandat bullgaro-shqiptare të Themistokliut kishte forcën numerike të një batalioni francez.

I rrethuar nga forcat luftarake shqiptare, koloneli francez bëri përçapje për të kontaktuar me komandantët shqiptarë.

“Dekuani dërgoi një komision prej qytetarësh korçarë tek Sali Butka, që ja të falet dhe të merret vesh me francezët, ja të largohet nga qarku i Korçës. – shkruan historiani i Krahinës vetëqeverisëse të Korçës, Petro Harizi.

     Por Komandanti i forcave shqiptare Sali Butka  pranoi të bisedonte me autoritetet franceze për të mirën e Korçës e të Shqipërisë. Atëherë koloneli Dekuan dërgoi  tek Sali Butka një delegacion ushtarak me në krye major Masjet, bashkë me një dërgatë të qytetarisë së Korçës. Bisedimet qenë të suksesshme. 

Kërkesat e Sali Butkës, datë 3 dhjetor 1916:

1. Vetëqeverimi i kazasë së Korçës do të përmbledhë provizorisht Bilishtin, Kolonjën, Oparin dhe Gorën, gjersa të çlirohen krahinat e tjera.

2. Flamuri  zyrtar do të jetë flamuri i Skënderbeut me shqiponjën dykrenare.

3. Gjuha zyrtare do të jetë shqipja.

4. Do të formohet një komision prej pesë patriotësh i zgjedhur nga luftëtarë të lëvizjes kombëtare. Komisioni do të përmbushë detyrat e një qeverie me të drejtë të bëjë ligje, të emërojë e të pushojë nëpunës, të ndryshojë e të rregulojë çdo gjë që sheh të dobishme e të arsyeshme.

5. Administrata do të përbëhet nga elementë  patriotë të sprovuar.

6. Gjykatoret do të veprojnë në gjuhën shqipe dhe me personel të aftë për plotësimin e detyrës.

7. Arsimi do të jetë krejt shqiptar, me baza të shëndosha kombëtare.

8. Të mbyllen gjithë shkollat propagandistike greke

9. Postat dhe telegrafat do të varen nga administrate shqiptare

10. Të formohet një polici për të mbajtur qetësinë e qytetit.

11. Të formohet një gjindarmëri shqiptare me komandantë shqiptarë për të mbrojtur vendin. 

12. Komanda franceze detyrohet të mbrojë vetëqeverimin e kazasë së Korçës nga çdo kërcënim

13. Qeveria franceze merr detyrimin moral të përkrahë të drejtat e Shqipërisë  dhe veçanërisht të Kazasë së Korçës në konferencën që do të mblidhet, kur të mbarojë lufta. ( Historia e Shqipërisë, Tiranë 1994 dhe kronikani P.Katro)

      Koloneli Dekon i pranon në librin e tij “Gjashtë muaj histori të Shqipërisë” propozimet e Sali Butkës dhe kthesën që bënë propozimet e tij për shpalljen e Vetëqeverimit shqiptar të Korçës.

“Ky evolucion do të kishte mundur të bëhej shkallë-shkallë, sikur një përçapje personale e Sali Butkës, i cili nga teqeja e Melçanit vëzhgonte dhe ndiente edhe vetë aspiratat e bashkatdhetarëve të vet, të mos kishte ardhur e shkaktuar rrëkëllyerjen e përshpejtuar të ngjarjeve. Në mbrëmjen e 3 dhjetorit, mora nga ai një letër, në të cilën ai më shpallte se ishte krejt i disponuar të linte armët, në qoftë se komanda proklamonte pavarësinë e Kazasë së Korçës, nën mbrojtjen ushtarake të Francës. Kuptohet vetiu se unë nuk isha kompetent për të marrë vendimin, që dëshironte Sali Butka, por ishte detyra ime të studioja në mënyrë sa më të plotë çështjen e t’i jepja Gjeneralit Kryekomandues të gjithë elementet e vendimit që do të mirrte në këtë mes” ( Gjeneral Dekuan, Gjashtë muaj Histori të Shqipërisë, Paris)

Koloneli Dekuan i shqyrtoi  kërkesat e Sali Butkës nga pikëpamja ushtarake , dmth shqyrtoi pasojat  që pranimi ose refuzimi i propozimeve të Sali Butkës do të kishte mbi operacionet e ushtrive aleate në Lindje. Ai ia drejtoi çështjen, bashkë me arsyetimin e tij,  kryekomandantit Sarrej në Selanik dhe mori prej tij përgjigje pozitive, që miratonte pikëpamjet e Dekuan-it. Menjëherë thirri Themistoklinë dhe i kumtoi dy telegramet nga Selaniku. Koloneli jep një vlerësim të lartë dhe prekës për Themoistokliun: ”Kënaqësia e tij qe nga më të thellat. Edhe me të vërtetë , ai shihte të realizuar ëndrrën e tij, pavarësinë e vendit të tij, e ai do të ishte farkëtari kryesor i kësaj ngjarjeje historike”  

Komandanti ushtarak Dekuan i ktheu përgjigje pozitive, Sali Butkës:

“Zotit Sali Butka

            Komandant i Luftëtarëve Vullnetarë Shqiptarë,  Melçan

     Sipas instruksioneve të marra nga Kryekomandanti i Ushtrive Aleate të Lindjes, Gjenerali Sarrej, kam nderin të vë në dijeninë tuaj se komanda aleate e sheh me sy të mirë dhe e çmon lëvizjen tuaj patriotike për të drejtat e popullit shqiptar për liri dhe indipendencë. Gjithashtu, mori parasysh dëshirat e shfaqura në letrën tuaj të datës 3 të këtij, të cilat i gjeti të arsyeshme dhe jam i autorizuar t’ju komunikoj pëlqimin dhe aprovimin.... 

Pranoni, zoti Komandant shprehjet e konsideratës sime më të shquar.

Kolonel Dekuan

Komandant i Qarkut të Korçës” ( Petraq Katro, Jeta dhe veprimtaria patriotike e Sali Butkës). 

Sali Butka u gëzua nga plotësimi i konditave të propozuara: “Zoti major,- i shkruan majorit Masjet,- jam shumë i kënaqur nga përgjigja e zotit gjeneral dhe ju lutem t’i shkruani për mirënjohjen time të thellë, bashkë me urimet e mia për fitoren e fuqive aleate. Gjithashtu, ju lutem t’i bëni nderime zotit kolonel dhe ta siguroni mbi besnikërinë time. Qysh sot jam shpirtërisht i bashkuar me ju dhe pres rastin e volitshëm të vihem plotësisht në radhët tuaja” (Po aty)

Koloneli Dekuan së bashku me shtatmadhorinë e tij dhe Themistoliun punuan gjithë natën dhe hartuan dokumentin e shpalljes të vetëqëverimit të kazasë së Korçës, që, sipas Dekuan-it, do të përbënte në një farë mënyre “Statusin themeltar të Shtetit autonom të Korçës” (Dekuan, veper e cituar)

Në Protokollin e datës 10 dhjetor 1916, sanksionohet: “Sipas dëshirës së popullit shqiptar, të cilën e rrëfeu me anë të përfaqësonjësve të tij, Kazaja e Korçës, bashkë më qarqet e Bilishtit, Oparit dhe Gorës, formojnë krahinën vetëqeveritare të Korçës për t’u qeverisur prej qeveritarëve shqiptarë, nënë mbrojtjen e komandës së ushtrisë Franceze”. (protokolli i 10 dhjetorit 1916)

Kazanë do ta qeveriste një komision prej 14 shqiptarësh, 7 të krishterë dhe 7 myslimanë, gjuha zyrtare do të ishte gjuha shqipe, flamuri shqiptar i Skënderbeut, me një kordhele tringjyrësh të Francës. Themistokli Gërmenji u emërua shef i Policisë, ndërsa Petro Harizi u zgjodh sekretar i Përgjithshëm i Këshillit qeveritar.

     Dekuani e përshkruan kështu momentin kur u shpall publikisht Protokolli: “Themistokliu doli në ballkon, iu drejtua popullit me një fjalim dhe, në mes brohoritjesh, shpalosi flamurin e Skënderbeut, kravatuar me ngjyrat franceze, në vendin ku ditë më parë valonte flamuri grek”.

Ky ishte një akt historik tejet i rëndësishëm në historinë e Korçës dhe të Shqipërisë, sepse afirmonte karakterin etnik shqiptar të krahinës së Korçës dhe administrimin e saj nga shqiptarët, ishte një marrëveshje me përmbajtje politike dhe ushtarake e arritur mbi baza pariteti dhe interesi të ndërsjelltë, por me vlera kombëtare për ne, jo vetëm për në atë moment, por edhe më vonë gjatë përballjeve në Konferencën e Paqes, që Korça t’i mbetej përfundimisht Shqipërisë. Edhe vetë francezët ishin të interesuar për  një marrëveshje të tillë. “Për të shpëtuar nga rreziku i komprometimit të gjendjes sonë në Korçë, ne duhet të bënim diçka, që popullsia shqiptare të lidhej me ne në mënyrë të pakundërshtueshme dhe përfundimtare”- shkruante Dekuan. ( Po aty)

Po ashtu edhe gjeneral Sarrej i telegrafonte Ministrisë së punëve të Jashtme të Francës në mars 1917: ”Korça deshi të ishte e pavarur  dhe e tillë u bë. Qysh atëherë në këtë krahinë mbretëron qetësia” (Historia e popullit shqiptar, 2007) 

Në  këtë arritje historike ndihmuan edhe patriotët e shquar te Korçës e të Kolonjës si Petro Harizi, Petraq Katro, Thoma katundi, Dr.Mborja, Qamil Panariti, Emrullah Boshanji, Hysen Butka etj.

      Mirëpo, në mesin e vitit 1917, ndryshuan  ekuilibrat ndërkombëtare si edhe zhvillimet e Luftës së Parë. Franca gjithnjë e më shumë po anonte nga Serbia e Greqia, gjë që e treguan edhe traktatet që u nënshkruan  prej saj në dëm të Shqipërisë. Franca iu kundërvu brendisë politike të Protokollit, meqenëse ajo binte në kundërshtim me interesat greke dhe orientimet politike progreke të qeverisë së Parisit. Kjo gjë ndikoi edhe tek qëndrimet dhe zhvillimet ushtarake në Korçë. Kthimi në pushtet i Venizellosit, që futi Greqinë anën e Antantës, qershor 1917, për të cilën ishin përpjekur me kohë qarqet politike të Francës e më gjerë, e ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve në Korçë.

       Kolonel Dekuan-in e larguan nga Korça, si përgjegjës për nënshkrimin e protokollit të 10 dhjetorit. U arrestua prej Shërbimit sekret francez  themeluesi dhe udhëheqësi i Krahinës autonome shqiptare të Korçës, Th. Gërnenji dhe u dërgua në Selanik, ku u nxorr përpara një gjyqi ushtarak dhe u dënua me vdekje, me akuza të sajuara e të pavërtetuara si “agjent” i Fuqive Qëndrore” më 9 nëntor 1917. Si ndodhi arrestimi dhe pushkatimi i tij? Këtë në i sqaron agjenti i Zyrës Sekrete të Shtatmadhorisë së Armatës frënge të Lindjes, togeri korsikan Orsini de Mari, që dëshmon se gjeneral  Groseti, i cili pat marrë komandën e Armatës të Lindjes, e thirri dhe i këkoi që t’i siguronte ndonjë letër “komprometuese” të Themistokli Gërmenjit drejtuar oficerëve austriakë, që ishin vendosur në Pogradec. Gjenerali së pari i bëri presion togerit, duke i dëftuar disa dokumente komprometuese të tij, por edhe duke i premtuar se, nëse do të siguronte ndonjë letër të tillë, do të dekorohej me “Kryqin e Legjionit të Nderit”. Pra kemi të bëjmë me një urdhër, porosi, por edhe me një premtim shpërblimi,  Një skenar i paramenduar, që e zbatoi pikë për pikë agjenti sekret Orsini. Ky u nis menjëherë për ne Devoll, ku do ta siguronte letrën e kërkuar!?. Pas një lufte të forcave franceze, ku bënte pjesë edhe toger Orsini, kundër forcave austriako-shqiptare në Devoll, që sipas tij përfundoi me fitoren e francezëve, Orsini i gjeti në xhep një togeri rob austiak “një letër të shkruar me dorë nga famëkeqi Themistokli. Çfarë letre! Ishin katër faqe të shkruara dëndur në frëngjisht, në të cilat ishte çdo gjë….”( Reds, Spiunash dhe kundërspiunazh, 1934)

Agjenti dëshmon: “ Në konakun e Korçës gjeta general Grosetin. Porsa më pa, erdhi drejt meje krahëhapur dhe më përqafoi disa herë. Nuk mund ta përshkruaj sesa i lmntur ishte dhe atë mbrëmje më thirri për darkë bashkë me togerat e mi. Mbas ngrënies më hoqi mënjanë  dhe më tha me seriozitet: - Nesër në agim do të bëni çdo gjë të nevojshme për të pushkatuar Themistokliun./- Pa e gjykuar më parë?/ - Në luftë respekti i procedurës  është gjithmonë fatal. Në luftë spiunët pushkatohen menjeherë./- E pamundur , zoti Gjeneral!/ -Përse e pamundur?/-Sepse Themistokliu këtu në Korçë  ka më tepër se një mijë partizanë të armatosur. Veç kësaj, patëm pakujdesinë ta ngarkojmë  për formimin e batalionit shqiptar  shumë të armatosur dhe natyrisht ai e ka në dispozicion. Një kryengritje e batalionit shqiptar do të na komprometonte në mënyrë të pandreqshme./- Atëherë çfarë mendon se duhet të bëjmë?/- Themistokliu akoma nuk di gjë, por është i shqetësuar.  Nuk duhet në asnjë mënyrë të vëmë në dyshim. Dërgojeni në Selanik me mision… që të mos kthehet më. Dhe kështu u bë. Themistokliu, posa arriti në Kullën e Bardhe  të Selanikut, u arrestua sipas instruksioneve të dhëna nga general Groseti dhe mbas pak ditësh i pagoi tradhëtitë etij me pushhkatim. Unë mora, siç më ishte premtuar, Urdhërin e Legjionit të Nderit, por Sali Butka, brigant, inatçi dhe i rreptë, i dërgoi gjeneralit një letër të zjarrtë, në të cilën më  akuzonte mua  se kisha ndëshkuar disa nga njerëzit e tij.  Letra e Sali Butkës  përfundonte me këto fjalë: Ju i kini dhënë kryqin e legjionit të Nderit dhe unë do t’i jap kryqin e drunjtë!”( të varrit) ( po aty: Spiunazh dhe kundërspiunazh)

     Themistokli Gërmeni u dënua me pushkatim me një akuzë të paqenë, duke u mbështetur në letrën e sajuar nga agjenti Orsin. Fakti që, sipas kolonelit Dekuen, Themistokliu nuk fliste dhe as  shkruante frëngjisht, rrëzon akuzën e letrës prej katër faqesh gjoja të shkruar me dorën e Themistokliut në frëngjisht. Fakti tjetër që vite më pas, Themistokli Gërmenji mori pafajsinë , pas vdekjes, rrefen që dënimi i tij ishte politik. 

 Pas pushkatimit të Th. Gërnmenjit, u abrogua më 16 shkurt 1918 edhe protokolli i 10 dhjetorit, që ishte një goditje për forcat atdhetare shqiptare dhe çështjen tonë kombëtare. Qeveria greke kërkoi në Konferencën e Paqes në Paris aneksimin e Korçës dhe Gjirokastrës, me tezën e vjetëruar se shqiptarët e ortodoksë të këtyre zonave e ndienin vetën si grekë, se atje ekzistonin shkollat greke dhe se ushtria greke e i kishte “çliruar” këto krahina gjatë Luftës ballkanike nga sundimi otoman. Në fakt i kishte pushtuar. Po ashtu kërcënuese ishin edhe pretendimet e Italisë për një protektorat Italian mbi Shqipërinë dhe sovranitetin mbi Vlorën. Kulmi i këtyre kërkesave shoviniste arriti me nënshkrimin e traktatit Tittoni –Venizelos më  29 korrik 1919, për ndarjen e Shqipërisë ndërmjet Italisë dhe Greqisë, si edhe për të përkrahur pretendimet e njëri-tjetrit në Konferencën e Paqes. Këto marrëveshje gjetën mbështetje edhe nga Franca.

     Qeveria greke po përgatitej të pushtonte ushtarakisht Korçën, sapo ta linin atë francezët.. Justin Godart konstatonte: “25 gusht 1919. Qarkullon lajmi se grekët do të pushtojnë Korçën. 30 gusht 1919. Në tërë vendin mbretëron llahtari. Afro 180-200 familje kanë braktisur Korçën, për të mos u gjendur nën thundrën e grekëve. Të gjorët njerëz që duan vetëm të rrojnë të lirë e në paqe në shtëpitë e tyre” (J Godart, L’Albanie en 1921, Paris).

      Megjithatë, forcat patriotike të Korçës  u mobilizuan për mbrojtje. Në Korçë u formua një komision patriotësh prej 14 qytetarësh, i cili iu drejtua Sali Butkës me një thirrje, nëpërmjet Baba Ramadanit, kryetar i Komisionit për shpëtimin e Korçës që e emëronte atë si komandant të përgjithshëm të operacioneve luftarake.  Plaku i Butkës, u nis drejt Korçës nga Skrapari për në Korçë me 800 luftëtarë të Skraparit, Kolonjës, Dangëllisë, Oparit, forca të cilat u shtuan me luftëtarë nga Korça, duke arritur në 1500 vetë në Gjergjevicë, ku u vendos shtabi i luftëtarëve.       Komandanti francez i gjindarmërisë së Korçës, kapiteni Langre, i raportoi kryekomandantit të përgjithshëm në Selanik më 7 shtator 1919 mbi përgatitjet për t’ia dorëzuar Korçën ushtrisë greke, si edhe e informon:

”Sali Butka ka vendosur të ndërhyjë sapo grekët të hyjnë në zonën e asnjanësisë… Influenca e Sali Butkë, që është zot i pakundërshtueshëm i tërë krahinës deri në Shkumbin, shtrihet bile shumë më larg dhe është në gjendje të grumbullojë rreth 30.000 njerëz, duke iu drejtuar popullsisë së jugut deri në Vlorë...Atyre po u shtohen vullnetarët të ardhur kohët e fundit nga Amerika. Më në fund do të arrihej bashkimi midis dy grupeve të mëdha toskë e gegë. Të gjithë njerëzit e Elbasanit do të ndërhyjnë në favor të Korçës.” ( Dok. Franceze. Raport i kapiten Langre, 7 shtator 1919) 

Nga Gjergjevica Sali Butka i dërgonte më 12 shtator 1919 komandantit të forcave franceze ultimatumin:

                                                       ULTIMATUM

Në emër të popullit shqiptar,

Sali Butka, komandant i trupave vullnetare të Lidhjes së Shqipërisë Lindore.

Zotit kryekomandant të forcave Franceze në kufijtë shqiptarë.

Në Korçë.

“Komandant, 

Në padijeni të popullit francez, në padijeninë e komisionit të lartë të Konferencës së Paqes dhe kundra vullnetit tonë, diplomacia juaj, e gënjyer nga fjalët lajkatare të disa diplomatëve grekë, shqiptoi dënimin me vdekje të popullit shqiptar, për t’ia dorëzuar Greqisë qytetin e Korçës dhe rrethet e saj dhe ky veprim arbitrar e kriminal është pranuar me gjakftohtësi nga Franca, mbrojtësa e kombeve të shtypur, mbrojtësja e të dobëtve!.. 

Të shtyrë deri në ekstrem dhe duke mos mundur të durojmë më të tilla poshtërime, ne e shohim veten të detyruar t’ju paralajmërojmë të na dorëzoni qytetin e Korçës dhe rrethet e saj brenda 48 orëve, që ndjekin nga dorëzimi i këtij ultimatumi...

      Kryekomandanti i Trupave Vullnetare të Lidhjes së Shqipërisë Lindore

      Sali Butka” ( Dok.franceze dhe P.Katro)

 Komandanti  francez i Korçës njoftoi kryekomandantin në Selanik, kryekomandanti njoftoi Parisin, Parisi sërish Selanikun dhe Selaniku komandën franceze në Korçë, e cila lajmëroi Sali Butkën në Gjergjevicë, se komanda franceze në Korçë kishte marrë urdhër të mos ua dorëzonte Korçën ushtrive greke. Korça do t’u dorëzohej forcave shqiptare.

Uran Butka

BURIMI

26/04/2020

Mihal Grameno

Mihal Gramenoja është nga ata shkrimtarë të vitëve të fundit të Rilindjes që luftuan për çështjen kombëtare dhe me pushkë. Atdhetar i flaktë, ai solli në shkrimet e tij mbresa të drejtpërdrejta nga lufta e popullit tonë për pavarësi dhe, më vonë, për demokracie përparim. Lindi më 1871 në Korçë, në një familje me ndjenja atdhetare. Në vendlindje mori edhe mësimet e para. Ende i vogël, për nevoja ekonomike mori udhën e kurbetit, në Rumani. Aty u lidh me lëvizjen atdhetare dhe më 1889 u zgjodh sekretar i shoqërisë “Drita”. Me vullnet dhe këmbëngulje punoi për të zgjeruar horizontin e tij kulturor. Botoi vjersha dhe artikuj në shtypin e kohës. Më 1907 ishte antar i çetës së Çerçiz Topullit dhe luftoi pothuajse në të gjithë Shqipërinë e Jugut. Xhonturqit e burgosën disa herë. Mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe më 1912 në Shpalljen e Pavarësisë. Pas këtij viti mbrojti me forcë shtetin shqiptar.
Gjatë viteve 1915-1919 jetoi në Amerikë, ku bëri punë të palodhur në lëvizjen e atdhetarëve shqiptarë të atjeshëm. Përfaqësoi shqiptarët e Amerikës në Konferencën e Paqes në Paris.
Në vitet 1921-1924, si publiçist mbrojti idealet demokratike. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, i sëmurë, e i dëshpëruar, u tërhoq nga lëvizja shoqërore.
Vdiq në Korçë më 1931. Për meritat e shquara në dobi të atdheut, i është dhënë titulli “Hero i Popullit”.
Veprimtaria letrare e Gramenos kap një çerek shekulli (1900-1925). Mihal Gramenoja është një ndër novelistët e parë të letërsisë sonë. Novelat e tij u hapën rrugën romaneve të para shqiptare. Ai shkroi novelat “Oxhaku” (1909) dhe po atë vit “E puthura” dhe “Varri i Pagëzimit”. Tek “Oxhaku” dhe “E puthura” trajton çështjen e pabarazisë shoqërore si burim fatkeqësish në jetë. “Varri i pagëzimit” paraqet luftën e pamëshirshme që bëri kleri reaksionar grek kundër mësimit të gjuhës shqipe.
Në përgjithësi novelat e tij kanë natyrë sentimentale. Tek ato gjejmë përpjekje për të krijuar mjedise të besueshme shqiptare dhe personazhe nga klasat e shtresat e ndryshme të shoqërisë sonë të asaj kohe. Libri me kujtime “Kryengritja shqiptare” (1925) zë vend të veçantë në krijimtarinë e Gramenos. Në pjesën e parë flet për çetat kryengritëse, për luftimet dhe punën propaganduese të çetës së Çerçiz Topullit, bën portrete të qëlluara luftëtarësh e njerëzish të thjeshtë të popullit. Në prozën e Gramenos nuk mungojnë edhe pjesë me nivel të kënaqshëm artistik, përshkrime dhe dialogje të gjalla.
M.Gramenoja ka botuar dy vepra dramatike: komedinë “Mallkimi i gjuhës shqipe” (1905) dhe dramën “Vdekja e Pirros” (1906), të dyja janë shkruar në vargje.
Komedia “Mallkimi i gjuhës shqipe” trajton luftën e atdhetarëve shqiptarë kundër klerit reaksionar grek dhe elementëve grekomanë; te “Vdekja e Pirros” trajtohet kthimi i Pirros fitimtar nga Italia dhe vrasja e tij me të pabesë. Veprat dramatike të Gramenos vuajnë nga fragmentizmi dhe mungesa e veprimit. Megjithatë së bashku me veprat dramtike të Çajupit e të Fan Nolit, ato i çelën rrugën dramaturgjisë shqiptare. M.Gramenoja shkroi edhe vjersha të cilat i botoi më 1912, të përmbledhura në librin me titull “Këngëtore shqipe – Plagët”. Bien në sy vjershat atdhetare që i kushtohen lëvizjes kryengritëse. Disa prej tyre, si: “Për Mëmëdhenë”, “Uratë për liri”, “Lamtumirë”, me patosin kushtrues, u përhapën mjaft dhe u kënduan edhe si këngë:

Për mëmëdhenë, për mëmëdhenë,

vraponi, burra, se s’ka me pritë!
Të vdesim sot me besa-besë
pranë flamurit të kuq që u ngrit,

Poezia atdhetare e Gramenos u bëri jehonë të drejtpërdrejtë ngjarjeve të vrullshme që do të sillnin Pavarësinë e Shqipërisë. M.Gramenoja është nga publiçistët në zë të Rilindjes e të periudhës që pasoi. Ai është cilësuar si një nga pamfletistët më të njohur të së kaluarës. Shkrimet e tij publiçistike u vunë drejtpërdrejtë në shërbim të çështjes kombëtare.

Drejtoi gazetat “Lidhja orthodhokse” (1909-1910) dhe “Koha” (1911-1926), me disa ndërprerje, dy nga gazetat më përparimtare të traditës. Bashkpunoi edhe me shtypin tjetër të kohës.
Në shkrimet e tij Gramenoja del si përfaqësues i anës më të vendosur e më demokratike të lëvizjes sonë kombëtare. Ai goditi ashpër jo vetëm pushtuesin osman, por dhe armiqtë e tjerë të çështjes kombëtare: klerin reaksionar grek e grekomanët, pseudoatdhetarët, feudalë të mëdhenj e borgjezë të pasur, të cilët i quan me tallje “syfete” e “honxho-bonxho”. Nga na tjetër, ka besim vetëm tek vegjëlia, te populli dhe te roli i tij në fatet e kombit. Më 1912, ai shkruante: “Kemi besim te varfanjakët, dhe kjo opingë është shtylla dhe shpresa e kombit shqiptar”.
Në fillim të viteve `20 zgjerohen pikpamjet politike të Gramenos. Në gazetën “Koha” ai boton artikuj me ide demokratike dhe propagandon ngjarjet e mëdha politike të kohës.
Një nga dokumentet më të shquara të gazetarisë e të lëvizjes demokratike të atyre viteve është artikulli “Bashkim dhe Përparim”.
Shkrimet publiçistike të Mihal Gramenos shquhen për frymën popullore, për patosin luftarak, ironinë e sarkazëm therëse.
M.Gramenoja mbetet në letërsinë shqiptare, në radhë të parë, si publiçist. Shkrimet e tij dhanë ndihmesë në krijimin e novelës e të dramës. Është ndër autorët e parë që solli në letërsi në mënyrë të gjerë, personazhe nga shtresat e varfëra të shoqërisë shqiptare.

18/09/2016

Papakristo Negovani

Në evokim të luftës për çlirim kombëtar me pushkë dhe penë, luftës për shkollën shqipe, përjetësimit të saj në libra, botime e shkrime, në rradhën e personaliteteve tona me përmasa kombëtare, padyshim që një vend nderi e respekti i takon figurës së shquar të shkrimtarit patriot e klerikut atdhetar, martirit të gjuhës shqipe Papa Kristo Negovani.
Me origjinë nga zona e Kolonjës Kristoja është lindur në verën e vitit 1875 në fshatin shqiptar të Negovanit, toponim ky të cilin Harallambi, babai i Papa Kristos e përdori si mbiemrin e famijes së tij. Në atë kohë, Negovani numëronte rreth 300 familje shqiptare, të shpërngulura nga fshati Plikat i Ersekës në vitin 1861. Gjatë viteve 1888 deri më 1891 Kristoja vazhdoi shkollën e mesme në Athinë. Por në vitin 1891, shovinistët grekë me anë kusarësh i vranë të atin, Harallambin, për ndjenjat e tij patriotike, duke i rrëmbyer edhe kursimet monetare të familjes. Kristoja u detyrua të lerë mësimet që ndiqte në Athinë dhe u kthye pranë familjes, mes gjëmës që i shkaktoi dora gjakatare dhe filloi të punojë si mësues i thjeshtë i gjuhës greke në fshatin Leskovec, që ndodhej në atë zonë. Pas një viti, më 1893 e shohim mësues të greqishtes në fshatin Bellkamen. Por të ardhurat ekonomike ishin tepër të pakta. Kështu, Kristoja vendos që të shkojë në qytetin Braila të Rumanisë në vitin 1894, me qëllim që të mësonte profesionin e drugdhendësit. Në këtë ambjent të ri, ku ndihej atmosfera e shoqërive shqiptare me karakter patriotik, Kristoja përqafoi idetë patriotike, u bë pjesë e shoqërisë së atjeshme të shqiptarëve “Shpresa” dhe u angazhua në veprimtaritë e saj. Duke studiuar me vëmendje zhvillimet aktuale politiko-shoqërore të kohës, u mendua që në propagandimin e gjuhës shqipe, një rol kryesor të luante edhe feja, përmes së cilës liturgjitë që deri atëhere mbaheshin në greqisht, të jepeshin në shqip. Me këtë detyrë të shenjtë dhe me mbrojtjen e Zotit, Kristoja kthehet në Negovan, ku u shugurua prift dhe filloi të lexojë ungjillin në shqip, të meshojë në gjuhën shqipe e të përhapë të shkruarit e shqipes. Viti 1897 shënon kthimin e tij në Negovan dhe vënien në jetë të detyrës patriotike. Njëkohësisht, për interesin patriotik të shqiptarëve dhe për mos rënien në sy të kishës greke, vazhdoi të punojë edhe si mësues i greqishtes. Gjatë kësaj kohe nuk kanë qenë të pakta orët kur Papa Kristoja jepte edhe mësimin e shqipes, në fëmijë e të rritur. Abetaret e gjuhës shqipe dhe librat e tjerë në shqip, të cilat ai i solli nga Rumania, i shpërndau në Negovan e Bellkamen, e deri në Follorinë e Kostur. Gjuha shqipe filloi të zinte rrënjë të shëndosha në këto zona falë punës së palodhur të Papa Kristos. Interesant është fakti që kleriku patriot në kthimin e tij nga Rumania, arriti të siguronte gërma latine me të cilat shtypeshin e botoheshin tekstet në shqip. Në mungesë të teksteve të shqipes, Papa Kristoja, në fletoret që përdornin nxënësit, shtypte dhe shumëfishonte mësimet. Kështu veproi ai edhe në përkthimin në shqip të pjesëve të Ungjillit, të cilat më pas i fliste në kishë. 

Në aktivitetin e Papa Kristos për zhvillimin e shkollës dhe gjuhës shqipe shënohet edhe çelja e shkollës shqipe të natës në Negovan, ku numri i nxënësve nuk ishte më pak se 100. 

Veprimtaria patriotike e patriotit shqiptar shqetësoi Mitropolitin e Kosturit, i cili në vitin 1899 e thirri në Kostur, ku pasi mohoi ekzistëncën e gjuhës shqipe, e kërcënoi klerikun atdhetar shqiptar se do e pushonte nga detyra e priftit dhe do e shkrishtëronte. Përgjigjja e shqiptarit Papa Kristo ishte: “Unë do të vazhdoj të punoj për gjuhën e nënës edhe nëse ju nuk do të më lejoni të jem prift. Do të vazhdoj të punoj për shkollën e gjuhën shqipe pasi ne jemi shqiptarë e jo grekë apo bullgarë.” Kjo është përplasja e parë me autoritetet e Mitropolisë greke, të cilat do të vazhdonin herë pas here deri sa hanxharët dhe sopatat do të realizonin pushimin e veprimtarisë patriotike të priftit shqiptar. Duke parë aktivitetin e tij në dobi të çështjes shqiptare, kundër Papa Kristos u vunë osmanët, qarqet shoviniste greke dhe Patrikana e Stambollit. Për t’i mbyllur gojën shqiptarit ata i prene fletë-arrestin Papa Kristos në nëntor të vitit 1904 në Manastir, ku kishte shkuar në hotel “Liria” për të marrë pjesë në një mbledhje me karakter patriotik. Pas burgosjes për dy muaj në burgjet e Janinës, Papa Kristo Negovani u kthye në fshatin e vet, ku vazhdoi rrugën e shenjtë që kishte nisur vite më parë. 


Ditën e 10 shkurtit të vitit 1905, ditën e kremtimit ortodoks të Shën Harallambit, kleriku atdhetar kendon në shqip Ungjillin në kishën e Negovanit. Në këtë ceremoni ndodhej edhe dhespot Karavangjeli. I gjendur i pafuqishëm për të ndalur veprimtarinë atdhetarë të Papa Kristos, thuhet se Karavangjeli, para se të dalë prej kishës, i është drejtuar shqiptarit me fjalët: “Mos të gjettë viti tjetër mes të gjallëve!”. Më datën 11 shkurt 1905, Papa Kristoja shkruan një artikull me karakter patriotik me titull “Mot i ri fat-bardhë” dhe ia dërgon gazetës shqipe “Drita” në Sofje, shkrim me të cilin uron shqiptarët për hyrjen e vitit të ri 1905. Të nesërmen, duke u gdhirë e diela e 12 shkurtit 1905, andartët grekë me ndihmën e kusarëve dhe të dërguarve të dhespotit, shkuan në Negovan. Në errësirën e natës, ashtu si shpirti i tyre, ata rrëmbyen nga shtëpia Papa Kriston, vëllain e tij Papa Theodhosin si dhe katër veprimtarë të tjerë, punëtorë të gjuhës shqipe nga Bellkameni dhe i nxorrën në bregun në të dalë të Negovanit. Duke i tërhequr zvarrë nga rrobat priftërore dhe nga mjekra e gjatë, andartët e pamëshirshëm dhe gjakësorë provuan forcën e tyre me thika, hanxharë e sopata mbi trupin e martirit të gjuhës shqipe, atdhetarin Papa Kristo Negovani, i cili nuk i kishte kaluar të 30 vitet e jetës së tij. Të njëjtin fat patën edhe të tjerët... Të mbuluar nga gjaku e të shqyer, këta dëshmorë të gjuhës sonë u lanë të dergjen mbi kodër, për t’u treguar të tjerëve se ky është fundi që andartët grekë u përgatitin punëtorëve të gjuhës shqipe. Dhe ky nuk është rasti i vetëm që na tregon historia. Petro Nini Luarasi, Papa Llambro Ballamaçi, Spiro Kosturi e shumë të tjerë janë dëshmorët e rënë martirë nga andartët grekë dhe veglat e tyre. 

Gjëma e vrasjes së Papa Kristo Negovanit helmoi zemrat e shqiptarëve kudo nëpër kolonitë e tyre në botë. Nekrologji të shumta u botuan në shtypin shqiptar të kohës mbi këtë figurë të shquar të lëvizjeve për çlirim kombëtar. Në ndihmë të jetimëve të klerikut atdhetar, shumë organe shtypi të shqiptarëve çelën shtyllën e “Ndihmëtarëve në të holla për jetimët e Papakristos”, mbledhjen e fondeve për botimin e librave që ai kishte përgatitur si dhe të hollat për përgatitjen e varrit të dëshmorit kombëtar. Për këtë ngjarje të tmerrshme, patriotët e shprehën hidhërimin e tyre edhe me vjersha. Për këtë shkruan Mihal Grameno, nën pseudonimin “Guri i Cjapit”, poezinë “Mbi varr të dëshmorit Papakristo”; shkroi Petro Nini Luarasi, nën pseudonimin “Petro Raullasi”, poezinë “Vajtim për dëshmorët e Negovanit”; u dëgjua zëri i shqiptarëve të Italisë përmes elegjisë që botoi arbëreshi Zef Skiroi me titull “Vrasja e Negovanit”. Një nga krijimet e veçanta kushtuar kësaj ngjarjeje makabre i takon Loni Logorit. Në mars 1906 ai shkroi elegjinë “Papakriston e vranë”: 

“Papakriston e vranë/ S’ra për të asnjë këmbanë/ Dhe malet e Shqipërisë/ Dhe shpellat e malësisë/ Thërresin an’ e mbanë/ Papakriston e vranë/ Merrni gjaknë, thirrnë pyet aty pranë/ Dhe malet buçitnë, merrni gjakën thanë”. 

Numrin e saj të datës 14 shkurt 1905, gazeta “Drita” që botohej nga Shahin Kolonja në Sofje, u rrethua nga një shirit i zi, me titullin kryesor: “E madhe gjëmë”. Aty botohen tre kronika rreth vrasjes së Papa Kristos.


Vrasja e PapaKristo Negovanit
* * * * * * * * * * *
Papa Kristo Negovani në gjallje të vet arriti të botonte pesë libra në gjuhën shqipe. Pasqyra e plotë e librave të Papa Kristos, të cilat u botuan, për bëhet nga: “ Histori e Dhjatës së Vjetër”, Bukuresht 1899; “ Vjershë shkresëtoreja”, Sofje 1899; “ Hijejëtore istori”, Sofje 1903; “ Prishja e Hormovës”, Sofje 1903; “I vogli dhonat argjëndi”, Sofje 1904; “I drunjti kryq”, Sofje 1906; “Bënjatë të shënjtorëve dërgimtarë”, Sofje 1905; “Istori shkronja e Plikatit”, Selanik 1909; “Kryqi i margaritartë”, Korçë 1910.

Shumë shkrime të tjera të Papa Kristos janë botuar në shtypin e kohës, sidomos në numrat e përvitshëm të revistës “Kalendari Kombëtar”, gjithashtu edhe në organe të tjera shtypi. Një pjesë e mirë e krijimtarisë së tij u dogj pas bastisjes që bënë andartët grekë në kohën kur kryen ekzekutimin e tij më 1905. Ndërsa shumë të tjera kanë humbur në Bukuresht dhe në Sofje, ku u dërguan për t’u botuar. Këto mungesa përbëjnë një boshllëk nën dritën e trajtimit të veprës laike ose jo të Papa Kristo Negovanit. Gjithashtu, sipas botimeve të kohës kuptojmë që ka përkthyer e përshtatur në shqip fabula nga La Fonteni dhe Ezopi, të cilat i ka ndërtuar në strukturën e dialogut me rimë. 

Edhe pse i nderuar me titullin “Mësues i Popullit” figura e atdhetarit Papa Kristo Negovani sot përndiqet nga një heshtje e nënvlerësim, duke mos u përmendur emri i tij nëpër shkrime apo studime, duke mos iu kushtuar kësaj figure të shquar asnjë kronikë televizive apo në shtypin e shkruar apo vepër përkujtimore. Dhe si për ta çuar deri në fund këtë mëri të çuditshme ndaj tij, ende sot, në ish-fshatin Negovan, sot të greqizuar, eshtrat e martirit të gjuhës shqipe nuk kanë asnjë shenjë dalluese, përveç një kryqi të vjetër guri e të thyer, kryq i cili iu vendos varrit të tij që në vitin 1905. Asnjë shënim identifikues nuk ndodhet sot në vendin ku prehet Papa Kristoja ndërsa në shtëpinë e tij të rrafshuar, sot është vendosur si për injorim një kosh hedhurinash nga ana e komunës Flamuria, emri i sotëm i Negovanit. Një apel vjen nga të gjithë intelektualët e ditëve të sotme, të Korçës dhe Shqipërisë që eshtrat e dëshmorit të gjuhës shqipe Papa Kristo Negovani të vendosen në Shqipëri, me rastin e 100 vjetorit të Pavarësisë Kombëtare, pse jo në varrezat e dëshmorëve të qytetit të Korçës, në parcelën e patriotëve të Rilindjes Kombëtare, vend ku kleriku patriot doemos që do të prehet i qetë pranë bashkëluftëtarëve të çështjes, së cilës ai i fali gjithçka, për Shqipërinë që luftoi dhe u përpoq aq shumë, deri në grahmat e fundit të jetës.


Marrë nga Gazeta ''Shqiptarja.com''

09/03/2014

Tefta Tashko Koço, bilbili shqiptar

Sopranoja Tefta Tashko Koço, një nga figurat më të rëndësishme të interpretimit vokal në Shqipëri, me zërin e saj të bukur dhe autentik, gjatë karrierës së saj të shkurtër shpalosi një talent të jashtëzakonshëm të muzikës lirike qytetare shqiptare dhe një repertor të pasur të muzikës operistike klasike. E lindur në Egjipt në vitin 1910, pjesëmarrëse aktive që në fëmijërinë e hershme në jetën artistike të Korçës, e formuar artistikisht në Paris dhe në Romë, bilbili shqiptar që i dhuroi emocione të papërshkrueshme publikut të epokës, do të ndahej nga jeta në moshë shumë të re duke lënë një boshllëk të thellë në kulturën dhe artin shqiptar.
Vitet e Para
Tefta Tashko Koço u lind më 2 nëntor 1910 në Fajun te Egjiptit, nga një familje intelektuale dhe patriotike shqiptare. Babai, Thanas Tashko, me origjinë nga Frashëri i Korçës, emigroi në Egjipt bashkë me bashkëshorten Eleni Zografi, e cila ishte e bija e patriotit shqiptar Pandeli Zografi.
Thanas Tashko ishte një nga figurat më të rëndësishme të diasporës shqiptare në Egjipt dhe mbështetës i shumë nismave kulturore dhe patriotike: ishte botues i gazetave “Shkopi”, “Sopata” dhe “Rrufeja”, ishte autor dhe aktivist i projekteve patriotike “Fan S. Noli Noli” dhe “Vatra” me seli në SH.B.A., ishte promovues dhe furnizues me armë i patriotëve që luftuan kundër Perandorisë Otomane për pavarësinë e Shqipërisë, etj.
Në vitin 1921 – gjashtë vjet pas vdekjes së bashkëshortit – Eleni Zografi bashkërisht me fëmijët, 4 meshkuj dhe 3 femra, kthehet dhe vendoset në qytetin e saj të lindjes, në Korçë – që ishte një nga qendrat më të rëndësishme kulturore të vendit e që gelonte nga aktivitetet artistiko-kulturore. Gjejmë në këtë periudhë kohe grupin muzikor “Vatra” dhe “Lira”, Shoqërinë e Arteve të Bukura si dhe shumë grupe të tjera të vogla kulturore të cilat ishin po aq produktive sa edhe më të njohurit.
Tefta ishte që në fëmijërinë e saj të hershme një protagoniste e spektakleve muzikore, dhe filloi të aktivizohej në grupet e ndryshme artistike bashkërisht me Jorgjie File Truja (një tjetër artiste e muzikës vokale shqiptare), duke marre pjesë si soliste në shfaqjet artistike që organizoheshin shpesh në qytet. Falë talentit të saj, me 26 qershor 1926, në moshën 15-vjeçare ajo u paraqit me koncertin e saj të parë zyrtar para artdashësve të qytetit. Këto aktivitete artistike kushtëzuan ndjeshëm fatin dhe zgjedhjet e saja të ardhshme artistike dhe të jetës. Tashmë, kishte lindur një artiste!
Në Francë
Ndërmjet 1927 dhe 1935, Tefta u zhvendos me familjen e saj në Montpellier të Francës, ku filloi studimet muzikore të shkollës së mesme për kanto me rezultate shumë premtuese. Në vitin 1930 do të regjistrojë në Paris për shtëpinë diskografike “Pathe”, këngët e para popullore shqiptare me grupin e njohur iso-polifonik lab të kompozitorit Neço H. Muko.
Në vitin 1931 fillon vitin e parë të studimeve për kanto pranë ‘Conservatoire National de Musique et de Déclamation’ me mjeshtrit e kalibrit të Jean Sere, Leo Bermandi e te André Gresse. Në shtator po të atij viti, ajo do te jete pjesëmarrëse në konkursin muzikor “Një Opera Komike” (ita. Un’Opera Comica) i organizuar nga Konservatori i Parisit, duke luajtur rolin e ‘Madama Butterfly’. E zgjedhur në mënyrë unanime nga juria midis 127 kandidatëve të tjerë te pranishëm ne konkurs, u vlerësua për cilësinë e saj te lartë vokale dhe interpretuese, duke u renditur  nder te parat ne mesin e 17 fituesve. Ne fund te vitit të parë, do te marre pjesë në një konkurs të kantos lirike, duke fituar çmimin e dytë. Ndërsa midis viteve 1935-1936 do te mbaroj specializimin për kanto në Romë (Itali).
Kthimi në Shqipëri 
Aromën e tokës se saj, megjithatë, kurrë nuk e kishte harruar. Më 26 nëntor 1935, pas kthimit të saj në Shqipëri, Tefta realizoi koncertin e saj të parë në qytetin e Korçës, duke arritur një sukses te jashtëzakonshëm. Vitet 1935-1939 ishin për të një periudhë e karakterizuar nga një punë e madhe dhe intensive artistike, plot me koncerte te cilat zhvilloheshin në të gjithë vendin: Tiranë, Shkodër, Durrës, Korçë, Elbasan, Vlorë, Berat, etj.
Në një letër drejtuar kompozitorit te njohur shqiptar Baki Kongoli, e cila daton pikërisht në këtë periudhë, duke shpjeguar vështirësitë e ndryshme me të cilat përballej në turne, ajo shkruan: “Koncerti u prit me entuziazëm nga publiku dhe këngët e Elbasanit u pëlqyen e u përcollën me sukses. Kjo përsa i përket kënaqësisë morale, ndërsa përsa i përket anës materiale, u detyruam të paguanim 37 franga ari nga xhepat tona për shpenzimet e pianos dhe te sallës për koncertin”.
Në këto shfaqje Tefta do te shoqërohej ne piano fillimisht nga pianisti Tonin Guraziu i cili me pas do te zëvendësohet nga pianistja e talentuar Lola Aleksi Gjoka. Në vitet e para të luftës se dyte botërore, Tefta do te realizoje një sërë koncertesh ne radio dhe disa të tjera drejtëpërsëdrejti nëpër qytete të ndryshme shqiptare. Për disa kohë u angazhua edhe në përgatitjen e talenteve të reja në Liceun Artistik, duke punuar si docente – një post që u detyrua ta braktise për shkak të shfaqjes së sëmundjes në vitin 1937.
Në të njëjtin vit, ajo do të njihet me baritonin Kristo Koço, edhe ai gjithashtu një artist i diplomuar jashtë vendit e i sapokthyer në Shqipëri. Do te martohen në vitin 1940 e një vit me pas do te nisen për në Milano, ku Tefta regjistron një sërë këngësh të muzikës popullore shqiptare. Gjate kthimit për ne atdhe do t’u linde djali i tyre, Eno, i cili vite me pas duke ndjekur gjurmët e prindërve të tij do të bëhet dirigjent orkestre i muzikës klasike e i njohur në shkallë kombëtare dhe ndërkombëtare. Eno Koço ka botuar në vitin 2000 një libër dedikuar nënës se tij të titulluar “Tefta Tashko dhe koha e saj” i cili përmban dëshmi të shumta që përshkruajnë jetën e kësaj gruaje të jashtëzakonshme dhe të talentuar.
Repertori Muzikor
Tefta Tashko Koço renditet në atë grup artistësh të talentuar të cilët në fillim të shekullit të njëzetë, pasuruan repertorin e muzikës popullore tradicionale dhe qytetare shqiptare me forma dhe finesa të reja teknike. Shumë nga artistët e asaj kohe – përmes zërave operistikë të sopranove, të tenorëve dhe të baritonëve – i transformuan këto dy zhanre muzikore duke i lartësuar falë interpretimeve cilësore artistike. Zërat e këngëtarëve profesionalë shqiptarë të atyre viteve, në përgjithësi gërshetoheshin me tingujt instrumental perëndimor të orkestrave, me intonacionet e rafinuara si dhe me formulimin konceptual të muzikës klasike. Tefta Tashko Koço i përkiste artistikisht muzikës së dhomës që dëftonte origjinën gojore të këngës popullore shqiptare, si dhe asaj operistike që bazohej në leximin dhe përpunimin e partiturave. Ajo i konceptonte këngët lirike qytetare si arie dhe arioza e kishte si qëllim kryesor gjatë interpretimeve arritjen e frymëzimit melodik – i cili krijonte imazhin e tingullit dhe te ritmit muzikor të këngës.
Janë tashme të njohura edhe sot e kësaj dite për publikun shqiptar këngët e repertorit të saj që i përkasin kësaj shkalle muzikore, si: Kroi fshatit tonë, Dola në dritare, Kur më vjen burri nga stani, Oh ku po shkon moj goce e vogël, Unë o ty moj të kam dasht, Ishin dy kunata, Zare trëndafile, Bilbil çapkëni, Qante lulja lulen, Kënke nur i bukurisë, Fryn Veriu, etj.
Shumica e këngëve të repertorit të saj i përkasin poemave dhe poezive të njërit prej miqve të saj më të mirë, të madhit Lasgush Poradeci. Gjejmë katër poezi të shndërruara në këngë dhe me muzikë të kompozitorit Dhimitër Kovaçi: Të ritë e viteve të mi, Fryn Veriu, Foli nëna me vajtim, Mall i vjershëtorit; Dy të tjera me muzikë të kompozitorit Kristo Kono: Kur mu rite vogëloshe dhe Kroi i fshatit tonë; Ndërsa ‘Kush ta fali bukurinë’ me muzikë të kompozitorit Dhimitër Falli.
Poeti ynë i madh Lasgush Poradeci do të shprehet për Teftën në këtë mënyrë: “… Tefta ishte një artiste e cila kishte vendosur të merrej me Art në kuptimin e vërtet të fjalës dhe jo ta përdorte atë thjesht si një instrument për tu ushqyer. Ajo edhe pse kishte mundësi të punonte si docente dëshironte të jetonte me frytet e artit dhe të koncerteve të saja. Në drejtim të Teftës nuk mund të them thjesht gjëra informuese, por unë jap gjithë zemrën time.” Përveç këngëve popullore dhe lirike shqiptare, Tefta futi në programet dhe në shfaqet e saja edhe ariet e muzikës lirike klasike të autorëve të njohur në nivel botëror si Wolfgang Amadeus Mozart, Gounod, Franz Schubert, Giuseppe Verdi, Donizetti, Pergolesi, Belini, Puccini, Rossini, etj.
Jeta e saj edhe pse e shkurtër ka qenë shumë aktive dhe intensive, plot me koncerte dhe shfaqje në të cilat nderonte veten dhe vendin e saj edhe në teatrot europjane. Ajo mori pjesë në vitet 1937 dhe 1938 si soprano profesioniste në Panairin Lindor (ita. Fiera dell’Est) në Bari të Italise. Në vitin 1938 me artisten Lola Aleksi Gjoka do të jetë prezente në Panairin Francez në Paris të Francës. Së bashku me një tjetër këngëtare të famshme të epokës Marie Kraja dhe me këngëtarë të mirënjohur shqiptarë të atyre viteve – si Adem Mani, Xhevat Boriçi, Kolë Vjerdha, Taip Kraja, Karlo Pali, etj – mori pjesë në Festivalin e Folklorit të mbajtur në Firence të Italise më 30 maj 1939. Në vitin 1945, interpreton me sukses rolin e Mimi-së në operën “La Boheme” nga Giacomo Puccini, pastaj rolin e Rosinës në “Berberi i Seviljes” nga Gioachino Rossini, rolin e Violetës në “La Traviata” nga Giuseppe Verdi,  rolin e Leilës në “Peshkatarët e Perlave” nga Georges Bizet, etj.  Regjistroi dy herë për shtëpinë diskografike italiane “Columbia” – gjatë viteve 1937 dhe 1942 -  disqe të cilat përmbajnë shumë këngë të shkëputura nga repertori i muzikës klasike vokale dhe 45 këngë lirike të muzikës qytetare shqiptare. Regjistrimet diskografike u shoqëruan nga orkestra e mirënjohur italiane e ‘Teatro alla Scala’ e udhëhequr nga dirigjentët Segurini, Rizza, Consiglio e Ruisi.
Tefta kishte një repertor prej rreth 90 këngësh popullore që i përkisnin të gjitha rajoneve shqiptare e rreth 36 prej tyre ishin regjistruar në disqe rreth viteve 1930, 1937 dhe 1942 në Paris dhe në Milano. Vlen të përmendet se, në një pjesë te rasteve regjistrimet janë bërë me nxitim dhe jo gjithmonë kur cilësia e zërit te sopranos ishte në formën e saj më të mirë. Megjithë mungesën e cilësisë teknike të regjistrimeve 78 gpm (rrotullim për minutë) të viteve 1930 si dhe ato të kryera në shirita rreth viteve 1940 dhe 1950, këngët e regjistruara janë dokumente të paçmuara që përmbajnë konceptin interpretues të këngëtares.
Stili i saj i këngës lirike qytetare adoptoi nga arti i kultivuar delikatesën e nevojshme për të prodhuar linja elegante melodike. Tefta Tashko Koço është vlerësuar nga kritika shqiptare dhe ndërkombëtare si një soprano lirike me një formacion të përsosur: tone të lehta dhe të gjalla, intonacione të pastra dhe të qarta, teknikë të përsosur vokale dhe performancë skenike të matur dhe të rafinuar.
Fikja e zërit te bilbilit
Tefta sëmuret rëndë e në vitin 1946 shtrohet në spital për tu kuruar kundër sëmundjes së kancerit që po e vriste dalëngadalë. Edhe pse mjeket u përpoqën të kryenin gjithçka të mundshme për ta kuruar me teknikat e kohës, nuk ishin në gjendje që ta shpëtonin nga vdekja. Ajo energji e pashtershme që e kishte karakterizuar gjatë gjithë jetës së saj tani po shkonte drejt fundit.
Rreth mesnatës së 22 dhjetorit 1947, në moshën 37 vjeçare, do të shuhet jeta e një artisteje të madhe dhe sublime të kulturës muzikore shqiptare. Ajo ishte e bukur dhe elegante, e talentuar dhe me stil te rafinuar, serioze dhe konstante në punën e saj, ambicioze dhe e disiplinuar në drejtim të përsosmërisë së saj artistike. Muzika kishte mbetur gjithmonë pjesë e jetës dhe qenies së saj. Edhe pse nuk i realizoi të gjitha ëndrrat dhe projektet që kultivoi për vite me radhe në fushën e saj profesionale, arriti të na lërë në trashëgimi krijimet voluminoze artistike që dëshmojnë për atë që dikur konsiderohej përsosmëria e këngës së kultivuar shqiptare. Ajo dhe arti i saj ishin një sinergji e konsoliduar e hijeshisë femërore dhe e kulturës shqiptare të niveleve të larta që sot më shumë se kurrë – kur arti është transformuar në një kontekst pa përmbajtje – na ofron sugjerime për reflektime të mëtejshme. Pas vdekjes i’u akordua titulli kombëtar “Artiste e Popullit” e sot në Shqipëri për nder të saj jepen çmime dhe organizohen gara e konkurse artistiko-kulturore.
Shkruajtur nga: Brunilda Ternova

30/08/2013

Hafiz Ali Korça

Hafiz Ali Korça (1874-1957) lindi në Korçë, më 1874 dhe vdiq në Kavajë, më 1957.

Midis hoxhallarëve të përndjekur nga pushtuesit, nga fanatikët dhe komunizmi për idetë, pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre është dhe Hafiz Ali Korça. i rritur në një mjedis patriotik, fetar e kulturor Korçar të pastër, ai u brumos me bindje dhe parime bazë, që e ngriten lart emrin e tij. Për këto ai, në vitin 1893, kur ishte në moshën 20 vjeçare, u internua në Sinop, sepse ndërsa udhëtonte me trenin Sofie-Stamboll, iu kapen librat shqip, atëherë të ndaluar. Më 1900, u internua në Anadoll, për aktivitetin në mësonjëtoren e Korçës. Pas Kongresit të Dibrës ia shkatërruan shtëpinë. E gjejmë pjesëtarë nëKomisinë Shqyp në Shkodër. Më pas, Kabineti i Telat Pashës e dënoi me vdekje, por me ndërhyrje u fal. Më 1924 u përjashtua nga Këshilli i Lartë i Sheriatit. Më 1925 botoi në Tiranë pamfletin "Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit". Hfz. Ali Korça zhvilloi një veprimtari intensive në disa drejtime dhe kryesisht në fushën e kulturës, të fesë dhe të publicistikës. Ai ka shkruar një varg veprash origjinale në prozë e poezi fetare dhe laike. Ndër to shquhen: "Mevludi" (1900). "303 fjalë të Imam Aliut" (Botuar në Korçë më 1910). "Historia e shenjtë dhe të katër halifetë" (Botuar në Tiranë më 1931, fq.288). "Jusufi me Zelihanë" (Botuar në Elbasan më 1923). "Gjylistani", përkthim nga Saadiu, (1918). "Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë", poezi, (Botuar në Tiranë më 1944). "Tefsiri i Kur’anit", (mbetur dorëshkrim, me një vëllim prej 2000 faqesh, R.Z.) punuar gjatë viteve 1920-1924. "Rubaijjati Khajjam"(Hajjam, përkthim nga O. Kajami, 1930- Ribotim 1942 në Tiranë). Një rëndësi të veçantë kanë gjithashtu edhe tekstet shkollore si : "Abetare shqip" (1910). "Fe Rrëfenjësi, morali" (1914). "Gramatika, Syntaksa shqip—arabisht edhe fjalime", (1916). Hafiz Ali Korça ka lënë edhe një numër të konsiderueshëm dorëshkrimesh e përkthimesh. Hafiz Ali Korça, duke përkthyer kryeveprat si "Gjylistani", "Rubairat" si dhe "Jusufi me Zelihane", i bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj si Saadiun, O.Kajamin etj. Hafiz Ali Korça qe ndër mësuesit e parë të mësonjëtores së parë shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e mësonjëtores së parë shqipe të Korçës. Aty dha pa pagesë edukatë islame . Pas shpalljes së Pavarësisë, iu ngarkuan detyra të rëndësishme. Qe këshilltar i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm po i kësaj Ministrie, Shef i Fetva-minit pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës etj. Gjatë jetës së tij Hafiz Ali Korça bashkëpunoi me një varg figurash që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë, siç janë: Kristo LuarasiJusuf Turabi KërçovaPandeli Sotiri,Gjergj FishtaLuigj GurakuqiMati LogoreciSali Nivica etj.
  • Mësues në Mësonjëtoren e Parë Shqipe të Korçës
  • Pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës
  • Këshilltar dhe Drejtor i Përgjithshëm në Qeverinë e përkohshme të Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemali (1914)
  • Pjesëmarrës në Komisia Letrare Shqipe në Shkodër(1916-1918)
  • Drejtor i Arsimit për DurrësinElbasaninDibrënMatin dhe Pogradecin(1916)
Po paraqesim disa prej thenieve te tij me te spikatura:
-O Mëmëz o halle-madhe ç'gjëmë e zezë të ka zënë Bijt 'e tu s'mentohen fare rrugëvet të kanë lënë Të pamëshirçmit s'të shohin , nuk kujdesen për ty fare Të kanë lënë të shkretë, xhveshur,zbathur e pa ngrënë.
Hafiz Ali Korça.

-Për Shqipërinë u perpoqa sa flijova jetën time nuk tregohet se sa hoqa se shteti mi njihte krime.
(Hafiz Ali Korça në kryeveprën e tij 7 ënderrat e Shqipërisë)
-Shih pra nuk mbetën fare ndërtesa Ndër këmbë' u muar e shenjta besa, Xhami e kish s'lan' i rrënuan, E kësi punësh djajt i shënuan, Priftërinjtë e hoxhët si kec i grinë, Inteligjentët në dhet i shtrinë.
Hafiz Ali Korça "Bolshevizma çkatarimi i njerëzimit

-Nuk duhet të mbushim, gjuhën tonë ëngjëllore, me gjëmba e me ferra që nuk i qërojmë dot më vonë
Hafiz Ali Korça
Disa prej veprave, ndër të tjera, janë:
Treqind e tri fjalët e Imam Aliut, 1900.
Historija e shenjt dhe kater halifet, 1900
Mevludi shqip, 1900.
Jusufi me Zelihanë, 1900
Abetare, 1910
Alfabeti arabisht, 1914
Muslimanija, 1916
Gramatika dhe syntaksa, Shqip-Arabisht, 1916
Shtat ëndërrat e Shqipërisë, 1924
Bolshevizma çkatrrim i njerëzimit, 1925
Kur’ani i Madhënueshëm e thelbi tij, 1926
Gjylistani (Trëndafilishtja), e Sa’adiut, 1925
Rubaijjati (Katroret) e Umer Khajjamit, 1930…

01/07/2013

Pandeli Evangjeli

Pandeli Evangjeli lindi në Korçë në vitin 1859. Origjina e familjes Evangjeli është nga fshati Shalës i Jano Evanjeli, i vëllai, Nikollaqi, dhe dy motrat Sofia dhe Marina, u shpërngulën në Korçë, ku shpresonin se do të kishin kushte më të mira jetese.
Kolonjës. Si shumë familje të tjera, babai i Pandeliut,


Në vitin 1877, në moshën 18-vjeçare, ashtu si bashkëmoshatarët e tij, Pandeliu përfundoi gjimnazin grek me rezultate shumë të mira. Njohuritë dhe diturinë e tij, si autodidakt, ai vazhdoi t’i zgjerojë përgjatë gjithë jetës. Mjafton të përmendim faktin se, përveç gjuhës shqipe, që në moshë të re ai fliste e shkruante frëngjishten, greqishten, rumanishten dhe italishten, gjë që i dha mundësi që me kalimin e kohës të formohej akoma më mirë, të zgjeronte horizontin kulturor, shkencor e politik.

Për shkak të kushteve të vështira ekonomike ashtu si shumë bashkatdhetarë të tjerë në ato vite, edhe pjesëtarët e familjes Evangjeli u detyruan të merrnin rrugën e mërgimit. Kështu, rreth vitit 1878, në moshën 19-vjeçare, Pandeliu bashkë me të vëllanë Nikollaqin emigroi në Rumani. Fillimisht u vendos në Buçiumeni, në rrethinat e Bukureshtit, pranë Kostandin Eftimiut, me origjinë nga Drenova e Korçës, tek i cili filloi të punojë si ndihmës, apo çirak. Pasi punoi 4-5 vjet në Buçimeni, ai u vendos brenda në Bukuresht, ku vazhdoi të merrej me tregti, tani më vete.

Shumë shpejt ai mori pjesë në lëvizjen patriotike të emigracionit shqiptar në Bukuresht duke u bërë anëtar i shoqërisë “Dituria” dhe më vonë, më 7 janar 1896, u zgjodh edhe kryetar i saj. Nën drejtimin e Pandeli Evangjelit kjo shoqëri botoi abetaret e para shqipe, librat e Naimit e të Sami Frashërit, si dhe një numër të madh librash me karakter patriotik, të cilët ndaheshin falas në të gjitha trevat shqiptare. Duke kujtuar vitet kur jetonte e punonte si çirak i Pandeli Evangjelit, Thanas Viso Mborja ka shkruar: “Fillova të vete edhe në dyqanin e patriotit Pandeli Evangjeli, ku gjeta patriotë të mirë, si dhe libra të shkruar nga shkrimtarët e Rilindjes, me një fjalë një atmosferë kombëtare. Ai më mbante gjithmonë pranë, më jepte libra për të lexuar dhe, pasi t’i kisha lexuar, më pyeste për përmbajtjen e tyre. Kënaqej nga leximi im dhe herë pas here më shpinte në dhomën e bibliotekës së dyqanit të tij, e cila shërbente edhe si zyra e shoqërisë “Dituria”. Pandeli Evangjeli e kish treguar veten si një patriot i mirë, i mbante gjithnjë afër shqiptarët dhe kur ish nevoja edhe i ndihmonte; takimet me patriotët në dyqanin e Pandeli Evangjelit si dhe bisedimet që bënja me të dhe me Nikolla Naçon më zhvilluan mjaft ndjenjat e mija kombëtare”. Ndërsa një tjetër protagonist i asaj kohe, Eqërem bej Vlora, në kujtimet e tij për Pandeli Evangjelin shkruan: “Kafeneja e Pandeliut ishte qendra e lëvizjes kombëtare shqiptare. Pandeli Evangjeli ishte në atë kohë njeri i thjeshtë, shtatpakët, por me mendje të shëndoshë që falë pikëpamjeve të tij për mirëkuptim dhe bashkim nderohej shumë nga të gjithë shqiptarët e Bukureshtit”.

Pandeli Evangjeli është konsideruar si një nga organizatorët e mbledhjes në hotel “Kontinental”, bashkë me Asdrenin, Nikolla Naçon, Vasil Zografin, Spiridon Ilon etj. Në këtë mbledhje Ismail Qemali u foli patriotëve shqiptarë lidhur me misionin e tij, për shpalljen e pavarësisë vetëm pas pak ditësh. Në emër të Komitetit Shqiptar të Bukureshtit, kryetari i tij, Pandeli Evangjeli, u dërgoi letra, telegrame dhe kopjen e vendimeve të Bukureshtit shumë patriotëve e shoqërive shqiptare jashtë atdheut për t’i vënë në dijeni për vendimet e mbledhjes së Bukureshtit, për masat që po merreshin për ta shpëtuar vendin nga situata e rrezikshme në të cilin ndodhej dhe për të kërkuar prej tyre që të jepnin edhe ata ndihmesën e tyre morale e materiale në të mirë të Shqipërisë, duke dërguar përfaqësuesit e tyre për të marrë pjesë në veprimtaritë që do të zhvilloheshin në atdhe.

Më 14 nëntor 1912, Komiteti zgjodhi një delegacion prej 9 vetash të kryesuar prej Pandeli Evangjelit, i cili do të përfaqësonte koloninë shqiptare të Bukureshtit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Por, për arsye shëndetësore ky i fundit nuk mundi të merrte pjesë. Megjithatë, ai ishte një nga iniciatorët dhe organizatorët e mitingjeve që u mbajtën nga kolonia shqiptare e Bukureshtit për mbrojtjen e pavarësisë së shpallur në Vlorë dhe të trojeve kombëtare shqiptare të pushtuara nga ushtritë ballkanike. Pandeli Evangjeli ishte gjithashtu personaliteti kryesor i kolonisë së Bukureshtit, i cili komunikonte me qeverinë e Vlorës dhe me kancelaritë evropiane. Ai mbante fjalime, hartonte protesta e memorandume, duke u bërë kështu shprehës i aspiratave të popullit shqiptar.

Pasi u formua qeveria e Vlorës e kryesuar nga Ismail Qemali, Pandeli Evangjeli, në emër të të gjithë shqiptarëve të Rumanisë i dërgoi asaj këtë telegram urimi: “Shqiptarët e Rumanisë i dërgojnë me entuziazëm të madh zotërisë t’uaj dhe gjithë qeverisë shqiptare urimet për veprën e madhe patriotike që mbaruat. Rroftë qeveria e parë e Shqipërisë! Rroftë Shqipëria e lirë!”. Në telegramin e përgjigjes drejtuar kolonisë shqiptare të Bukureshtit, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi shkruanin: “Përpjekjet tuaja na japin gëzim, kurajo dhe ndihmë. Rrofshin shqiptarët e Rumanisë!”.

Siç del dhe nga dokumentet arkivore të kohës, duke vlerësuar ndihmesën e çmuar të Pandeli Evangjelit, Ismail Qemali i propozoi atij që pasi të organizonte situatën definitive në Shqipëri do ta emëronte si ministër. Mirëpo, kjo nuk u arrit që të vihej në jetë, sepse qeveria e Ismail Qemalit nuk vazhdoi gjatë pas këtij propozimi.

Më 12 janar 1914, kolonia shqiptare e Bukureshtit organizoi një mbledhje në të cilën vendosi të dërgonte përfaqësuesit e saj në atdhe, për të marrë pjesë në pritjen që do t’i bëhej princ Vidit, me ç’rast do t’i shprehnin atij “nderimin, gëzimin dhe devotshmërinë e kolonisë”. Si kryetar i kësaj përfaqësie u zgjodh Pandeli Evangjeli.

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e organizuar me rastin e ardhjes së princ Vidit në Durrës, më 7 mars 1914, në emër të kolonisë shqiptare të Bukureshtit Pandeli Evangjeli deklaroi ndër të tjera: “Që sot e tutje hymë në radhën e shteteve të qytetëruara. Shqipëria jonë e dashur, Albania, ka vendin e saj në mes të shteteve të botës. Që sot e tutje secilido prej nesh do të quhet me madhështi shqiptar”.

Duke pasur parasysh kontributin dhe rolin e tij në afirmimin e çështjes kombëtare, qeveria e princ Vidit e ngarkoi Pandeli Evangjelin me detyrën e prefektit të Korçës. Kur mori këtë detyrë, gjendja e Korçës dhe e qarkut të saj ishte mjaft e rëndë. Forcat greke, edhe pas vendimeve të Konferencës së Londrës për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar vazhdonin të mbanin të pushtuara një pjesë të madhe të Shqipërisë së Jugut. Një plagë e rëndë ishte dhe përçarja fetare që ato kishin futur në popull. Prandaj, që ditët e para atij iu desh të përballej me një numër të madh problemesh. Megjithëse qëndroi për një kohë të shkurtër në Korçë, për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, si rezultat i përpjekjeve që ai bëri u arrit që administrata e shtetit shqiptar të vendoste sovranitetin e saj edhe në këto zona. Fryma e bashkëjetesës dhe harmonia midis elementëve me përkatësi të ndryshme fetare u forcua. Edhe largimi nga Korça ishte, sipas vlerësimit të vetë Pandeliut, “një episod me të vërtetë dramatik”.

Në vitin 1919, kur po mbahej Konferenca e Paqes në Paris, edhe kolonia shqiptare e Bukureshtit dërgoi delegacionin e vet ku bënte pjesë Pandeli Evangjeli, Ibrahim Temo dhe Dhimitër Berati.

Pandeli Evangjeli qëndroi në Paris gati dy vjet, ku zhvilloi një veprimtari të ngjeshur politike e diplomatike dhe u tregua, sipas vlerësimeve të shtypit, një ndër politikanët më të mirë të kohës.

Veprimtaria e frytshme diplomatike e Pandeli Evangjelit në Paris bëhet edhe më e plotë kur asaj i shtohen përpjekjet e tij për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Ishte pikërisht ai i cili, në emër të qeverisë shqiptare i dërgoi z. Erik Drummond, Sekretarit të PërgjithshëmLK-së në Londër, më 12 tetor 1920, kërkesën e mëposhtme: “Qeveria e Shqipërisë, interprete besnike e ndjenjave të gjithë popullit shqiptar, duke dashur shumë që në Ballkan të konsolidohet paqa, kërkon që të pranohet në Lidhjen e Kombeve dhe të marrë pjesë në Asamblenë e madhe që do të mblidhet në Gjenevë më 15 nëntorin e ardhshëm”, kërkesë, e cila megjithë vështirësitë, që pati, u pranua.

Më 5 dhjetor 1920, qeveria e Iliaz Vrionit shpalli ligjin për zgjedhjet e reja. Këto do të ishin zgjedhjet e para parlamentare në Shqipërinë e pavarur. Pandeli Evangjeli kandidoi dhe u zgjodh një ndër 10 deputetët e prefekturës së Korçës.

21 prill 1921 u hap Parlamenti i Parë Shqiptar. Çështja e rendit të ditës ishte zgjedhja e kryesisë, ku me votim të fshehtë kryetar u zgjodh Pandeli Evangjeli. Nën drejtimin e tij u diskutuan probleme të ndryshme, u miratuan projektligje, u thirrën në interpelancë kryeministri dhe anëtarë të qeverisë për të dhënë shpjegime mbi gjendjen e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë etj. Por Pandeli Evangjeli qëndroi vetëm pak kohë në krye të Parlamentit Shqiptar. Më 11 korrik 1921 u riorganizua kabineti qeveritar, ku me propozim të Kryesisë së Këshillit të Ministrave ai u emërua ministër i Jashtëm i këtij kabineti. Pandeli Evangjeli, për t’i shërbyer atdheut atje ku kishte më shumë nevojë, e pranoi detyrën e re dhe u tërhoq nga ajo e kryetarit të Parlamentit.

Përgjatë detyrës së tij si ministër i Jashtëm ai bëri përpjekje për zgjidhjen e një sërë çështjesh që Shqipëria kishte me fqinjët, sidomos mbi popullsinë shqiptare që jetonte atje apo lidhur me kufijtë, të cilët akoma në disa zona nuk kishin gjetur zgjidhje përfundimtare.

Si rezultat i kompromisit të realizuar nga grupimi politik “Bashkimi i Shenjtë”, më 16 tetor 1921 u formua kabineti i ri qeveritar në krye të të cilit si figurë e pranuar nga të gjithë u zgjodh Pandeli Evangjeli, që njëkohësisht do të mbante edhe postin e ministrit të Jashtëm. Në fjalimin që mbajti me këtë rast përpara Parlamentit, ai deklaroi ndër të tjera se: “Nuk erdhëm në qeveri me qëllim për të zënë kolltukët, por vetëm për t’i shërbyer atdheut...”. Megjithë kohën e shkurtër që qëndroi në krye të këtij kabineti, ai u përpoq me të gjitha forcat për të qetësuar situatën politike dhe për stabilizimin e vendit.

Pandeli Evangjeli vazhdoi të mbante detyra të rëndësishme edhe më vonë. Kështu, më 24 shtator 1925, Presidenti i Republikës, Ahmet Zogu, nënshkroi dekretin për emërimin e tij si kryetar i Senatit, veprimtarinë e të cilit e drejtoi me kompetencë për rreth tre vjet, deri në gusht 1928.

Në mbledhjen e parë të Asamblesë Kushtetuese që u mbajt më 25 gusht 1928 me qëllim për të rishikuar statutin dhe formën e regjimit, ai u zgjodh si kryetar i përkohshëm dhe në mbledhjen e dytë si kryetar definitiv i saj. Pas shpalljes së Shqipërisë Monarki dhe shpërndarjes së Asamblesë, ai u rikthye në krye të Parlamentit deri në marsvitit 1930, kur mori edhe drejtimin e qeverisë shqiptare.

Vitet 1930-1935, kur ai ishte kryeministër në tri qeveri radhazi, ishin të mbushura me ngjarje dhe zhvillime të mëdha politike. Ai u përball me krizën ekonomike që përfshiu mbarë botën, reformën agrare dhe arsimore brenda vendit, acarimin e marrëdhënieve me Italinë e të tjera problematika të kësaj natyre.

shtator të vitit 1938, Pandeli Evangjeli u zgjodh përsëri kryetar i Parlamentit Shqiptar. Ai qëndroi në krye të tij deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.

Pas 7 prillit 1939, ndryshe nga shumë politikanë të tjerë, ai u tërhoq nga jeta politike dhe nuk mori pjesë në qeveritë që u krijuan nga pushtuesi.

Çlirimi i Shqipërisë atë e gjeti në një moshë të thyer, por plot shpresë e gëzim për të ardhmen e vendit.

Regjimi komunist nuk e kurseu as këtë figurë. Megjithëse nuk e arrestoi, në vitin 1946 e nxori nga shtëpia, e cila fillimisht u përdor si seli e Ambasadës Jugosllave. Në vitin 1947 ai u dëbua nga Tirana dhe u vendos në Korçë, ku edhe vdiq në moshën 90-vjeçare.