Po
botoj këtu një artikull shumë interesan për Historinë e Qytetit tonë KORÇËS,
sepse ashtu siç ka thënë dhe Ciceroni “Të mos njohësh ato që kanë
ndodhur para se të lindje ti është si të mbetesh gjithë jetën kalama”
Në vitin 1496, në fshatin Peskopje, që ishte në mvartësi të Korçës,
përfundoi së ndërtuari Xhamia e Madhe, sot ndërtesa më e vjetër e qytetit të
Korçës.
Ky objekt kulti ishte pjesë e një kompleksi fetar shoqëror që përbëhej,
përveç saj, edhe nga tyrbja, hamami me ujësjellës, një imaret dhe Medreseja.
Sot, përveç xhamisë ekziston dhe tyrbja, kurse imareti, hamami me ujësjellës
nuk ekzistojnë, janë prishur, siç u prish në mënyrë të pashpjegueshme edhe
Medreseja, shkolla e parë e qytetit, në vitin 2009 duke i hequr Korçës një
monument unik historik.
Këto ndërtime në fshatin Peskopje (Peshkëpi), u kryen nga Ilia Panariti, i
biri i priftit të kishës më të madhe të fshatit Panarit, i cili pas një
karriere të suksesshme ushtararake dhe administrative në Perandorinë Osmane në
shekullin XV, u njoh nga historia me emrin e myslimanizuar Iljaz Bej Mirahori.
Ai ishte pjesëmarrës në pushtimin e Kostandinopojës në vitin 1453, ku dhe u
shpërblye nga sulltani me prona të shumta në lagjen e Stambollit “Jedi Kule”
dhe në lagjen “Ivlanka”. Më e rëndësishme ishte kisha e Shën Kostandinit, që
ndodhej në rrethet e “Jedi Kulesë”, të cilën ai e ktheu në xhami, e cila mban
dhe sot emrin “Xhamia e Mirahorit” ose “Kisha – Xhami”(shih dorëshkrimin e
S.Pulahës për jetëshkrimin e Iljaz Bej Mirahorit nxjerrë nga Enciklopedia turke
e Sami Frashërit).
Më vonë Iljaz Bej Mirahori zuri postin e Valiut të Vilajetit të Janinës si
dhe poste të tjera deri në detyrën e rëndësishme të Mirahorit, përgjegjësit të
stallave të sulltanit, ndërkohë që u bë dhe edukator i sulltan Bajazitit II. Si
u plak, Iljaz Bej Mirahori u kthye në Shqipëri dhe sulltani si shpërblim të
shërbimeve të tij, i dha pronë fshatrat: Panarit (vendlindjen), Treskë dhe
Trebickë.
Duke parë se kushtet gjeografike të këtyre fshatrave nuk lejonin
krijimin dhe zhvillimin e një qendre qytetare dhe administrative, Iljaz Bej
Mirahori, filloi të pregatitej të zbriste në fushën e Korçës, ku përcaktoi të
përshtatshëm për qëllimet e tij fshatin Peskopje. Këtu ai bleu një kishë me
emrin “Shën e Premte”, të cilën e bëri së pari teqe, më pas xhami dhe kjo sot
është Xhamia e Madhe (N. Naçi “Korça dhe katundet e qarkut”, viti 1923,fq.57).
Xhamia përfundoi në vitin 1496 dhe po në këtë vit sulltan Bajaziti II, me
kërkesë të Iljaz Bej Mirahorit, nxjerr dekretin sipas të cilit: “Dy fshatrat Panarit e Treskë, pronë personale e tij të shkëmbehen
me fshatin Peskopje, në vartësi të Korçës, që ka dy pjesë…edhe unë ia dhuroj të
lartpërmëndurit, të dy pjesët në fjalë” (Shih S. Ramo, Ilia Panariti
dhe Korça, fq.123). Me këto veprime Iljaz Bej
Mirahori hodhi themelet e qytetit të Korçës (S. Frashëri, Enciklopedia turke).
Të njëjtin mendim shprehin shumë studiues që janë marrë me historinë e
themelimit të Korçës, “Për Korçën, Themeltar është Iljaz Beu –
Mirahor e Veli, i bir i ati prifti Panaritit i emëruar më parë Ilo, edhe si
Themeltar duhet të quhet i pari mirëbërës i saj” (Nuçi Naçi, fq.64)
“Korça deri në ardhjen këtu të Koxha Mirahorit, atdhetarit të kryer
në fenë islame…ishte një fshat i vogël që quhej Peskopi…, që kur ky vendosi
ndejen e tij këtu si princ i vogël, që atëherë gradualisht Korça shkoi
përpara…Prej këtij llogaritet dhe kronologjia e Korçës” (Thimi
Mitko, vepra Tiranë 1981, fq.547).
Por a
është vërtet Iljaz Bej Mirahori themelues i qytetit të Korçës së sotme?
Përgjigjen e
japim duke shqyrtuar dokumentacionin që ekziston për Korçën dhe që na lejon të
shohim meritën e Iljaz Bej Mirahorit në mos jo për “themelimin” e qytetit të
Korçës së sotme, por për Rilindjen e tij 520 vjet më parë. Të dy historianët që
flasin për Korçën: Nuçi Naçi dhe Thimi Mitko, si e thonë vetë, kanë shfrytëzuar
dokumenta të vjetra që ndodheshin në familjen Myteveli, pasardhësja e Iljaz Bej
Mirahorit. Këto dokumenta për fat të mirë, Myftar Grabocka që shërbente si
Kryetar i Komitetit Ekzakutiv në Korçë, djalë nga zona e Vakëfeve, në vitin 1962,
duke shfrytëzuar miqësinë me familjen e Mytevelijve, veçanërisht me zonjën e
nderuar Jalldëz Myteveliu, nëna e dëshmores së Luftës Antifashiste Nacional
Çlirimtare, Floresha Myteveliu, i mori dokumentat origjinalë që ruante kjo
familje. Këto dokumenta u dorëzuan në Arkivin e Shtetit në Tiranë dhe sot ato
janë materialet dokumentare më të vjetra që ka ky arkiv për periudhën e
pushtimit turk. Ne do të paraqisim më poshtë këto dokumenta sipas botimit të
tyre, që ka bërë Sejdin Ramo, në librin “Ilia Panariti dhe Korça”.
Dokumenti i parë
i shkruar për qytetin e Korçës është regjistri turk i Korçës dhe Përmetit, i
hartuar në vitin 1431, fill pas pushtimit osman. Sipas tij, krahina e Korçës u
përfshi në Vilajetin e Korçës, me qendër Korçën, të cilën turqit e quajtën
Gjërixhe, duke turqizuar emrin e saj të vjetër sllav Gorica. Deri atëhere,
Korça nuk përmendet në asnjë dokument të mesjetës Bizantine, megjithë ngjarjet
e mëdha që ndodhin në këtë zonë, por “anashkalohet” kur përmenden shpesh zonat
fqinje si Devolli, Kolonja, Skrapari deri tek Voskopi (shih P. Xhufi, Nga
Paleologët tek Muzakajt, botim viti 2009). Kjo tregon se turqit vetëm mbas
pushtimit i dhanë rëndësi administrative Korçës, megjithëse ajo ishte shumë më
e vogël se fshatrat rreth saj si Mborja me 70 shtëpi, Peshkopia (Peskopja) me
71 shtëpi. Në rregjistrin turk të vitit 1431 thuhet për Korçën, në faqen 69:
“Vetë Korça, të pafetë që banojnë brenda në kështjellë: shtëpi 26, të reja 5,
beqare 3, të ardhurat 1965.”
Këtu Korça
paraqitet si kala e banuar dhe fortifikimi ka qenë shkaku që në të u vendos
administrata osmane. Turqit nuk e ndërtuan vetë këtë kala, por e gjetën
objektin e ndërtuar, gjë që vërtetohet nga fakti që banorët e saj ishin të
krishterë. Turqit nuk mund të ndërtonin një kështjellë dhe ta popullonin me “të
pafetë”, por në të vërtetë Korça si qendër e banuar, ka ekzistuar shumë vjet
para ardhjes së turqve në Shqipëri, që ndodhi në fund të shekulli XIV.
Deri më sot, nuk
njohim asnjë dokument historik të shkruar që të na njohë me kohën e ndërtimit
të kalasë së Korçës si dhe me ndërtuesit e saj. Në mënyrë të tërthortë, mund të
arsyetojmë nga dokumentat që kemi për kohën e ekzistencës së saj. Vetë emri
sllav i saj Gorica, tregon se ajo ka një histori ekzistence shumë më të hershme
se vitin 1431, kur u regjistrua nga turqit me emrin Gjërixhë. Dokumenti që e
vërteton këtë fakt tërthorazi është “Gjenealogjia e Muzakajve”, ndoshta vepra
më e rëndësishme dokumentare e Shqipërisë mesjetare. Megjithëse e shkruar në
vitin 1510, nga Gjon Muzaka, i emigruar në Itali mbas pushtimit turk të
Shqipërisë, ai duke folur për parardhësin e tij, princin Andrea Muzaka, që
arriti titullin e lartë Sebastokrator në vitin 1280-1281, duke përmenduar
pronat që zotëronte ky princ shkruan: “Gjithashtu zotëroi dhe sundoi
qytetin e Korçës deri në fshatin e quajtur Savojan, ku përfshihet edhe
vendbanimi Viola, në të cilin mund të zihen peshq të mëdhenj e ngjala gjigande”
dhe më poshtë vazhdon, “Ty, Don Andriani…po të le edhe
vendet e Devollit të madh me qytetin e Korçës dhe katundin Sovjan”,
(shih “Nga Paleologët tek Muzakajt”, fq.428 – 444). Ky dokument e çon
ekzistencën e Korçës në shekullin e XIII, kur sundonte princi Andrea Muzaka,
dhe e paraqet me fizionominë e një qyteti, pra themelimi i tij mund të jetë
edhe përpara këtij shekulli. Është e qartë se turqit e gjetën Korçën me një
kala të konsoliduar sepse përmendet shpesh në regjistrin turk të vitin 1431,
nëpërmjet pronave të rojeve të kësaj kalaje. Por, kemi të paqartë vendin se ku
ndodhej kalaja, pra qyteti i Korçës, për të cilin shkruan Muzaka dhe flet
regjistri turk i vitit 1431.
Një pjesë e studiuesve e vendosin kalanë e Korçës të
regjistruar nga turqit në vitin 1431 në zonën ku ndodhet sot hotel Koçibelli,
shtëpia e Sugarëve, ku në 10 dhjetor 1916, u ngrit flamuri dhe u shpall
Republika e Korçës, e kufizuar në Jug nga lumi, sot shëtitorja ‘F.S. Noli’. Më
i shquari ndër ta, Prof. Dr. Pirro Thomo, në librin më serioz të shkruajtur për
Korçën në kohën e sotme, botim i Akademisë së Shkencave “Korça, urbanistika dhe
arkitektura”, fq.44, shkruan: “… vendndodhja e kalasë
mesjetare të Korçës mund të përcaktohet brenda territorit të kufizuar nga lumi
(sot shëtitorja F.S.Noli), rruga 6 Dëshmorët, Shëtitorja e Shën Gjergjit dhe
rruga që të çon në Pazar.” Këtë vendndodhje jep në librin e tij “Mbi
themelimin e Korçës” (shoqëruar dhe me një skicë amatore) edhe studiuesi Arben
Gjata, në fq.48 “Vendosja e kësaj kalaje mesjetare, mund të
përcaktohet e shtrirë në lagjen “Kala”, siç quhej deri në fillim të shekullit
të XX, e kufizuar nga bulevardi Shën Gjergji, ish-lumi dhe hotel turizmi Grand.”
Për vendndodhjen këtu të kalasë së Korçës, argumenti i vetëm që sjell studiuesi
Pirro Thomo dhe të tjerët, është fakti që një lagje e qytetit të Korçës është e
emëruar deri vonë lagja e “Kalasë ”. Edhe Karmici, pedagogu grek që
shkroi librin “Gjeografia e Korçës dhe e rrethit” kur numëron lagjet e
qytetit përmend dhe lagjen “Kala”, e cila përfshihej në Varoshin e sipërm dhe
banohej nga popullsi e krishtere. Po kështu edhe Nuçi Naçi në librin e tij të
parë të vitin 1901, në numërimin që i bën lagjeve të qytetit përmend edhe atë
të kalasë. Me këta studiues bashkohet dhe arkeologu P. Lera, në revistën
“Tempulli”, ku shkruan duke iu referuar burimeve toponomastike për vendndodhjen
e kalasë “Të moshuarit e qytetit tonë të dy anët e bulevardit Themistokli
Gërmenji (shën Gjergji) i thësirnin me emrin “Kalaja”, “lagja e Kalasë” ose
“sheshi i Kalasë”. Këto toponime që ruhen ne gojën e popullit janë
sinjale që evokojnë aty praninë e një ndërtimi fortifikues. Të njëjtat
argumente toponomistike sjell edhe Arben Gjata në studimin e tij, por ai shton
si argument tjetër për vendodhjen këtu të kalasë edhe gjetjet në vitin 1923 dhe
2000 të disa fragmente muresh të zbuluara gjatë ndërtimeve të shekullit XX, si
në shtëpinë e Sugarve, hotel Koçibelli dhe së fundmi në objektin e Bazeve,
midis hotel Koçibellit dhe shtëpisë së Sugarve. Studiuesi P. Lera, mbi bazën e
teknikës së ndërtimit dhe përmasave të murit të zbuluar, arrin në konkluzionin
që kemi të bëjmë me një ndërtim fortifikues dhe jo me një ndërtim të thjeshtë.
Pra, Petrika Lera njësoj si Arben Gjata, arrin në përfundimin se traktet e
mureve të zbuluara në këtë zonë në vitin 1923 dhe 2000, përfaqësojnë
mbetjet e murit rrethues të kalasë së Korçës. Por të gjitha këto fakte nuk
mjaftojnë për të vendosur përfundmisht vendndodhjen këtu të kalasë së Korçës
sepse ka studiues të tjerë që paraqesin shumë fakte dhe e vendosin kalanë e
Korçës ne nje tjetër vend, në kodrat e qytetit.
Vetë arkeologu
Lera pranon se gjatë punimeve ndërtuese të kryera brenda territorit ku
supozohet se ka qënë shtrirë kalaja në fushë buzë lumit nuk janë konstatuar
gjurmë godinash qe të mund të vërtetohet ekzistenca e një kalaje-qytet. Ç’u
bënë 25 shtëpitë brenda kalasë për të cilat flet regjistri turk i vitit 1431?
Asnjë dokument, asnjë gojëdhënë nuk na flet se deri kur qëndroi në këmbë kalaja
e Korçës, pse u zhduk pa lënë gjurmë “në mes të qytetit” që po zhvillohej bashkë
me 25-33 shtëpitë që kishte në vitet 1431-1568 sipas regjistrave kadastralë
turk?
Nuçi Naçi në veprën e tij “Korça dhe katundet e qarkut”, botimi i parë në Sofje
në vitin 1901, tjetri në shtypshkronjën ‘Dhori Koti’ në Korçë, në vitin 1923
(burimi më i plotë për historinë e qytetit të Korçës dhe të lidhjeve të tij me
Iljaz Bej Mirahorin) nuk na flet fare për kalanë e Korçës si objekt fortifikues
dhe zanafillë e qytetit të Korçës. Ai shkruan për kalanë e Mborjes, për
kështjellat e Plasës, për fortesat e shënuara të Pilurit, për gërmadhat që
tregojnë vjetërsinë e fshatrave Barç, Voskop, etj.,por për kalanë e Korçës dhe
zanafillën e saj nuk ka asnjë të dhënë. Ai përmend kalimthi në librin e tij
disa toponime që gjenden në zonën e pretenduar për vendndodhjen e kalasë në
fushë, që u përmëndën dhe më lart. Duke folur për krojet e qytetit ai shkruan:
“Kronjat e Shën Mërisë. Kur hyjmë në port’e madhe e avllisë së
kësaj kishe si për brenda portës e për jashta në të mengjur ka dy kronja.
Ujët e këtyre vjen nga ca mburime që kanë qënë në vendin e emëruar kala.” (N.
Naçi, Korça dhe katundet e qarkut.Fq.49). Vini re me kujdes, Nuçi Naçi nuk
thotë në vendin ku ka qenë kalaja, por thotë në vendin e emëruar kala.Ai
në botimin e vitit 1923, kur flet për ndarjet e Korçës (lagjet), thotë varoshi
përbëhet prej 9 lagjesh-mehalla, të cilat pas vjetërsisë së tyre quhen: Penço,
Manço, Mando, Qiro, Mano, e Lumit, e Sahatit, e Qoshkut dhe Radanecit. Varoshi
i Korçës i cili konsiderohet si pjellë e kalasë në botimin e vitin 1923 nuk
përmban lagjen “Kala”, të cilën e kishte përmendur në botimin e vitit 1901.
Sejdin Ramo në studimin e tij për historinë e Korçës ( “Ilia Panariti dhe
Korça”, botim i vitin 2003), pasi ballafaqon të gjitha mendimet për vendodhjen
e kalasë në fushë ose në kodër jep shpjegimin e toponimeve që kanë lidhje me
kalanë, të ndodhura në qytetin e Korçës si lagja “Kala”, sheshi i kalasë, vendi
i emëruar kala, etj. Sipas tij “Lagja e Kalasë do të jetë
formuar nga banorët e kalasë që kanë zbritur nga kodrat ku ka qenë vendosur në
fushën buzë lumit të Moravës. Për nostalgji apo traditë, vendbanimin e tyre të
ri, ku ata ndërtuan shtëpitë e quajtën me emrin e mëparshëm Kala, ashtu si
banorët e Barçit, kur zbritën në fushë, e quajtën lagjen ku ngritën shtëpitë e
tyre, lagjia e Barçit. Kjo provohet edhe me faktin që keto janë nga lagjet më
të reja të qytetit.” (S.Ramo – Ilia Panariti dhe Korça, fq. 75).
Fenomene
të tilla ndeshen dhe në ditët tona. Pas viteve 90, në perëndim të qytetit të
Korçës, u krijua lagja “Lavdarakët” nga banorët e zbritur nga fshati Lavdar,
ose më qartë në rrugën e Voskopojës, karshi varreve të fshatit Gjonomadh, nga
banorët e fshatit Lavdar, u krijua një qendër e banuar me emrin “Lavdar”.
Kështu shpjegohet edhe prania e toponimeve që kanë lidhje me emrin “Kala” në
qytetin e Korçës. Përsa u përket trakteve të mureve të zbuluara në vitin 1923
dhe 2000, të pastudiuara nga specialistët, ato që sipas P. Lerës i përkasin një
ndërtese të vjetër me tipare fortifikuese, kemi një të dhënë interesante.
Në librin
“Mborja ndër vite”, faqe 73 lexojmë: “…Thimi Mitko, i cili shkruan në greqisht
në vitin 1929, në revistën periodike greke “Pandora”, midis të tjerash ai
thotë: “Mbi themelimin e Korçës duhet thënë, se në vendin ku shtrihet sot qyteti, në periudhën bizantine, qe një
bujtinë e fortifikuar, pronë e të bijës së Hegjemonit, qëndra e
të cilit ndodhej në vendin e quajtur qytet (Kala e Mborjes)”. Duke folur për
Korçën, Thimi Mitko e përsërit praninë e këtij objekti fortifikues në fshatin
Peshkëpi, fshati që u transformua nga Iljaz Bej Mirahori në qytetin e Korçës ku
jetojmë sot. Edhe më poshtë Th. Mitko përsëri thekson: “Meqënëse pozicioni i
saj (Korçës VD.) ndodhet në një kalim publik (rrugë publike), atëherë këtu
gjendej dhe një bujtinë me rëndësi.” (Th. Mitko, vepra fq.547). A mund të jetë
kjo bujtinë e fortifikuar e kohës bizantine para turke shkaku i mureve të
gjetura në vitet 1923-2000? Ekzistenca e këtij objekti të fortifikuar që
përmendet në disa dokumenta, nuk është provuar në asnjë vend tjetër me gjithë gërmimet
e shumta të bëra për ndërtime në qytetin e Korçës. Megjithatë, pranojmë që këto
mure të evidentuara në zonën e qytetit të emërtuar lagjia “Kala”, mbeten temë e
hapur për studiuesit në të ardhmen.
Duke përjashtuar
vendndodhjen e kalasë së banuar me 25 familje në fushë, në vendin me toponimin
lagja “Kala”, mbetet të shqyrtojmë argumentet e grupit tjetër të studiuesve të
cilët vendndodhjen e kalasë, qytet me 25 familje, e çojnë në kodrat e qytetit
të Korçës. Cilat janë argumentat e tyre?
Vetë emrin sllav
Gorica në fjalorin e Salishevit tregon vende të vogla malore, kodrinore.
(krahaso lagjen Gorica në Berat, fshati Gorica në Prespën e Madhe). Nga
pikëpamja mbrojtëse, qëllim për të cilin ndërtohet kalaja, ajo patjetër
ndërtohet në kodër ose në mal për të shfrytëzuar kushtet mbrojtëse të terrenit.
Argument kryesor për të gjithë studiuesit e historisë së Korçës, është dhe
fakti i pamohueshëm, që Iljaz Bej Mirahori asnjëherë nuk u bë pronar i qytetit
të Korçës, të asaj Korçe, për të cilën shkruan Gjon Muzaka ose të kalasë së
banuar nga “të pafetë” që shkruan regjistri turk i vitit 1431.
Iljaz Bej
Mirahori, me dekretin e sulltan Bajazitit II, në vitin 1496, pasurinë e tij
personale, fshatrat Panarit dhe Treskë, i shkëmbeu me fshatin Peshkëpi, që
mvarej nga Korça. Sipas dekretit: “… Beut të Sanxhakut të
Janinës, Iljazit, i kam dhënë dekretin mbretëror dhe ai i ka poseduar si pronë
personale (fshatrat Panarit dhe Treskë VD), por tani …. i lartpërmenduri i le
ato e në vend të tyre (kërkon t’i jepet) fshati Peskopje, që është në mvartësi
të Korçës e ka dy pjesë. Edhe unë ja dhuroj të lartpërmendurit të dy pjesët e
fshatit në fjalë… Këtë dekret mbretëror ja dhashë të lartpërmëndurit dhe
urdhërova që këtej e tutje, fshati Peskopje të jetë e drejtë absolute e të
lartpërmendurit, i cili le ta posedojë si pronë të tij personale (mylk). ”
( sipas S.Ramo, “Ilia Panariti dhe Korça”, fq.53).
Dekreti na
sqaron se fshati Peskopje është në mvartësi të Korçës, pra është qendër e
banuar më vehte, e ndarë në dy pjesë (nga lumi i Moravës, sot shëtitorja
F.S.Noli) dhe Iljaz Bej Mirahori i mori pronë personale të tij të dy pjesët,
majtas lumit ku kishte ndërtuar ndërkohë xhaminë dhe pjesën djathtas ku
shtrihet sot Grand Hoteli, pra edhe zona e emëruar lagjia “Kala”. Dokumenti
tjetër i rëndësishëm ose më i rëndësishmi për problemin që po trajtojmë, është
ai që përcakton kufijtë e fshatit Peskopje, pronë personale e Iljaz Bej
Mirahorit. Sipas këtij dokumenti, në vitin 1497, një vit pasi iu dha fshati
Peskopje Iljaz Bej Mirahorit, sulltan Bajazi i II-të urdhëron kadiu e Korçës
dhe të Bilishtit, të percaktojnë kufijtë e fshatit Peskopje. Dekreti sulltanor
thotë: “Beut të sanxhakut të Janinës, Iljazit – i lartë qoftë gjithnjë –
i pata bërë pronë personale, fshatin e quajtur Peskopja, që është në mvartësi
të Gjërixhës ( të Korçës), po meqënëse dekreti i pronësimit ishtë i mangët dhe
(është shfaqur) nevoja për t’i caktuar kufijtë, u dërgova urdhër të lartë
kadiut të Gjërixhës, Efendi Bedruddinit dhe Kadiut të Bilishtit Efendi Haxhiu,
që të dy bashkë …. të hetoni dhe zbuloni se ku e ne ç’vend fillonte e ku e ne
ç’vend mbaronte kufiri i fshatit të lartpërmendur….”.
“Dy kadijtë e
mësipërm, sipas urdhërit mbretëror, kanë vajtur në atë fshat (në Peskopje VD)
dhe në prani të popullsisë e të pleqve, i kanë shkruar kufijtë…ashtu si qenë
urdhëruar….dhe kanë dërguar raportin përkatës ku shënohen kufijtë si vijojnë” (shih “Ilia Panariti dhe Korça”, fq 155).
Po japim më
poshtë sipas këtij dekreti kufirit e fshatit Peskopje vetëm në anën lindore dhe
veriore, pikërisht aty ku pretendojmë për vendndodhjen e kalasë së Korçës. Vini
re me kujdes ku kalon kufiri duke patur parasysh edhe toponimet që përdoret
deri në ditët e sotme: “….nga rruga e Drenovës del në rrugën e Emborjes (sot i
thonë Mborje, fshati në lindje të Korçës VD) dhe mbërrin në anën e sipërme ku
puqet me fshatin në fjalë. Prej këtu përsëri pranë anës së sipërme të fshatit
në fjalë kalon sipër vijës së mullirit të kaurit të quajtur Duka i Gjërixhës
dhe prej këtu në për vendin e Dukës së Gjërixhës del në përruan e Emborjes,
shkon përpjetë në anën e lindjes dhe vjen në kufirin e Peskopjes, prej atij
përsëri vjen te Druri i Thanës që është në vendin e vreshtës së prishur të
Juliç Petros.
Prej këtej shkon
drejt brenda vreshtave nga muri i rrëzuar, nga kalaja te Druri i Thanës dhe
puqet me vreshtin e kaurit të quajtur Hriso. Prej atij, përsëri vazhdon drejt
dhe kalon midis kodrinës së vogël e njohur me emrin Koria e Vogël, përsëri nga
Emborja shkon përmes urës së Taleçit dhe del te Rrasa e ngulur dhe prej andej
shkon drejt e del në vendin e vreshtës së prishur të kaurit të quajtur Rado
Junkiç dhe mbërrin në muri i ngulur dhe prej këtëj shkon drejt dhe mbërrin deri
tek rruga e druve që zbret nga mali i Peskopjes. (Sipas “Ilia Panariti dhe
Korça”, fq.156). Më tutje sipas dekretit kufiri i fshatit Peskopje vazhdon nga
veriu drejt pronave të fshatit Barç. Në këtë dokument jepet plotësisht qartë
prania e kalasë në zonën kodrinore midis takimit të kufirit Peskopi-Mborje në
lindje dhe të rrugës që zbret nga mali i Peskopjes në verilindje.
Të bie në
sy në këtë zonë edhe prania e ndërtimeve të tjera përveç kalasë si toponimet
“muri i rrëzuar”, “muri i ngulur”, që tregojnë qartësisht se kemi të bëjmë me
një zonë të ndërtimeve të shumta rreth kalasë, në një mjedis me vreshta të
shumta. Nuçi Naçi në librin e tij “Korça dhe katundet e qarkut”, kur flet për
kufijtë e Korçës në vitin 1923, shkruan: “Kufijtë natyralë të qytetit të
Korçës janë nga lindja Fushë e Emborjes e brigjet e Shën Thanasit e i
Vreshtave” (fq.81). Kemi pra një përputhje të plotë në lindje
të kufirit të fshatit Peskopje me fshatin Emborje në vitin 1467, me kufirin e
qytetit të Korçës sot me fshatin Mborje.
Dokument tjetër i rëndësishëm dhe qartësues që
përforcon vendndodhjen e kalasë së Korçës në kodrën e Shën Thanasit është dhe
dokumenti 1631 në Arkivin e Institutit të Historisë, filmi D-30, gjetur dhe
përkthyer nga S. Pulaha. Është një ankesë që Dizdari i Kalasë, Subashi i
Korçës, Myhtesibi i Pazarit (mbledhësi i taksave), ushtarët e kalasë, banorët e
qytetit dhe të fshatrave përreth i drejtojnë Portës së Lartë ku i shkruajnë:“Qysh se qe pushtuar Korça, pazari ka qenë pranë kalasë. Mirëpo,
Koxha Mirahori prishi pazarin dhe hamamin, mori kazanin dhe pazarin e
shpërnguli në fshatin që qe pranë dhe pronë e tij. Duke qenë pranë
kalasë, brënda në qytet dhe pranë xhamisë së Sulltan Mehmetit, tregu qe
gjallëruar dhe pat marrë një pamje të hijshme”.
Mirëpo tani që
tregu u shpërngul nga vendi i mëparshëm banorët rreth tij u shpërndanë, në
xhami nuk kishte kush të falej më dhe të ardhurat nga taksa e pazarit u
pakësua.
Trimat e djalit
të Mirahorit, Sefer Beut, u bënë njerëzve në Pazar zullume të mëdha, përshkak
të këtyre zullumeve, rençberët (zanatçinjtë) u larguan nga tregu. Banorët e
kalasë dhe të qytetit në dimër nuk mund të shkonin në treg (jepet sipas P.Thomo në “Korça, urbanistika dhe
arkitektura”, fq.45). Interpretimi i këtij dokumenti duke u bazuar në
idenë e vendndodhjes së kalasë në zonën e quajtur lagja “Kala” në Korçë buzë
lumit, të çon patjetër në përfundime të gabuara, gjë që nuk i ka shpëtuar edhe
profesorit të nderuar Pirro Thomo.
Ky
dokument interpretohet drejt vetëm duke pranuar vendndodhjen e kalasë në kodrat
me vreshta në lindje të fshatit Peskopje, Korçës së sotme, siç e pamë dhe në
dokumentin e mëparshëm që përcaktonte kufijtë e fshatit Peskopje. Dokumenti
qartëson se “pazari pranë kalasë u shpërngul nga vendi ku
ishte, u prish në këtë vend me zullumet e trimave të Sefer beut, djalit të
Mirahorit, dhe u zhvendos në fshatin Peskopje, pronë e tij, ku ndodhet edhe
sot.”Sipas dokumentit largësia midis kalasë dhe zonës ku ishte
pazari, me zonën ku u shpërngul dhe u vendos pazari i ri është e
konsiderueshme, është aq larg sa “banorët e kalasë dhë të qytetit në dimër nuk
mund të shkonin në treg”. Pazari u çua në fshatin Peskopje, pronë e Iljaz Bej
Mirahorit, në zonën ku ndodhet dhe sot, në të dy krahët e lumit (shëtitorja
F.S.Noli). Largësia mes pazarit ku ndodhet sot dhe zonës që emërtohet lagjia
“Kala” është krejt e papërfillshme dhe nuk ka asnjë vështirësi për banorët e
pretenduar të kalasë në këtë zonë për të shkuar si në verë si në dimër në
pazar, sepse pazari është pjesë përbërëse e kësaj zone. Ka kuptim dhe
interpretohet drejt dokumenti nëqoftëse pazari pranë kalasë ka qënë në fshatin
Mborje.
Siç thotë Prof.
Dr. Petrika Thëngjilli, vetë emrin i fshatit “Mborje” e ka origjinën tek fjala
byzantine “Emporje” që do të thotë “treg”. “Qysh në vitin 1308, gjendet një
fshat pranë qytetit të Korçës së sotme, si një prej tregjeve lokale të ngritura
në rrugët dhe pozitat kyçe të Shqipërisë, siç ishte Mborja. Me kalimin e kohës
nga “Emporje” u kalua në formën e sotme.” (Mborja ndër vite, fq.71). Emborje
quhet fshati Mborje dhe në dekretin sulltanor që përmendëm më sipër për kufijtë
e fshatit Peskopje. Shpesh mborjarët, përdorin për emrin e fshatit të tyre
Mborje fjalën “Sheste” emërtim që vjen nga folja “shes, shita, shitur” (i jap
dikujt një mall a një send duke marrë prej tij një shumë parash).
Profesor Eqerem Çabej, në librin “Studime etimologjike në fushë të shqipes”
thotë: “…tek Budi, Bardhi, Buzuku, gjejmë fjalë të vjetra, që e kanë
prejardhjen nga ilirishtja si janë fjalët …..shes, shitës, shitje…..” Qendra
tregtare kryesore e Mborjes në vitin 1520, ishte lagja që shtrihet rreth e
rotull “Kishës së Ristozit” dhe quhej me emërtimin Emporion që do të thotë
treg. Veprimtaria e pazarit në fshatin Mborje, pranë kalasë së Korçës, para
shpërnguljes që i bëri Mirahori në pronën e tij në fshatin Peskopje, pasqyrohet
ky pazar si pagues taksash në Mborje dhe jo në Peskopje ose në Korçë.
Vendndodhja e pazarit në Mborje shpjegon dhe shprehjen në dokument: “Tani që
tregu u shpërmgul nga vendi i mëparshëm, banorët që banonin rreth tij u
shperndanë, në xhami nuk kish kush të falej më dhe të ardhurat nga taksa e
pazarit u pakësua.” Në cilën xhami nuk vinte më njeri që të falej pas
shpërnguljes së pazarit?
Është e qartë që bëhet fjalë për xhaminë në Mborje që ndërtoi
sulltan Mehmeti II, i cili rreth vitin 1466, kaloi në këto anë. “ Sulltani në
Sheste (Mborje) qëndroi disa muaj, këtu ai ngriti xhaminë ku falej dhe
hamamamin ku bënte dushin dhe mbante haremin e vet”. (Shih “Mborja ndër vite”, fq.71 dhe Thimi Mitko, vepra fq.547). Kazanin e
këtij hamami që ndodhej në Mborje, të ndërtuar nga sulltan Mehmeti II, mori 35
vjet më vonë, Iljaz Bej Mirahori, për ta përdorur në hamamin që ai ndërtoi në
Peskopje krahas xhamisë, tyrbes, imaretit, shkollës dhe bëri njëkohësisht dhe
shpërnguljen e pazarit.etj.
Shpërngulja e pazarit nga Emborja, nga vendi afër kalasë në kodër, ku
kishte funksionuar për një kohë shumë të gjatë, aq sa i dha dhe emrin Emporje
qendrës së banuar ku ndodhej, në një vend të ri, relativisht larg, sigurisht që
nuk u bë mënjëherë. Për forcë zakoni, si dhe për lehtësitë që krijonte tregu në
vendin e mëparshëm, i cili “qe gjallëruar dhe pat marrë pamje të hijshme”
njerëzit nga fshatrat përreth vazhdoni të shkonin aty duke mos vajtur në
pazarin e ri në fshatin Peskopje. Është kjo një arsye e fortë që i bënte
“trimat e djalit të Mirahorit”, Sefer Beut, t’iu bënin njerëzve në pazar
zullume të mëdha dhe për shkak të këtyre zullumeve, rençberët (zanatçinjtë) u
larguan nga tregu.
Pra, zanatçinjtë u detyruan me forcë të largoheshin nga tregu në Mborje,
afër kalasë së Gjërixhës dhe të shkonin të ushtonin zanatet e tyre në tregun e
ri të shpërngulur në fshatin Peskopje. Gradualisht në fshatin Peskopje filluan
të vijnë dhe banorë nga fshatrat përreth, gjë që pasqyrohet dhe në regjistrat
osmanë të mëvonshëm. Regjistri osman i Kosturit, ne fq.49, përkthyer nga Thoma
Kacori, shkruan: “…nje pjesë e fshatit Emborje është transferuar në Peshkopi,
kjo pjesë ka: shtëpi bashkë me nevjatet e Bilal Faikut (teologut) gjithsej 34
dhe më poshtë në pjesën që i është bashkuar fshatit Peskopje dalin shtëpi të
fshehura në regjistrin e mëparshëm.” Numri prej 34 shtëpi, që u transferuan nga
Mborja në Peskopje, rreth vitit 1520 është relativisht i madh duke patur
parasysh që Peskopja, kur erdhi Iljaz Bej Mirahori kishte rreth 71 shtëpi.
Banorët e rinj që vinin në fshatin Peskopje nuk ishin vetëm nga Mborja por
dhe nga fshatrat e tjera përreth Drenova, Bulgareci, Boboshtica,Voskopi dhe sidomos
nga fshati Barç, banorët e shpërngulur të të cilit ishin aq shumë sa krijuan
lagjen e tyre me emrin e fshatit nga erdhën lagja “Barç”, njëlloj si këta edhe
banorët e shpërngulur nga kalaja krijuan lagjen “Kala”. Shpërngulja e banorëve
të kalasë nga kodra në fushë, solli edhe prishjen e varrezave të tyre që
ndodheshin poshtë kishës së Shën Thanasit.
Fshati i dikurshëm Peskopje në fund të shekullit XV dhe fillim të
shekullit XVI filloi të shndërrohej në qytet. Ndërtimi nga Iljaz Bej Mirahori i
qendrës fetare shoqërore, që përmbante Xhaminë e Madhe, imaretin, shkollën,
hamamin dhe sidomos shpërngulja këtu e tregut e fuqizoi shumë Peskopjen me
veprimtarinë tregtare.
Para vdekjes së tij në vitin 1511-1512, Iljaz Bej Mirahori, i bëri
Peskopjes – Korçës, edhe shërbimin e fundit kur në vitin 1505 hartoi
Vakëfnamenë e tij, me anën e të cilës kthehu në vakëf të gjitha pronat e tij
duke përfshirë dhe Peskopjen. Dihet që pasuritë në gjëndje vakëfi ishin të
siguruara, në ato as sulltani nuk mund të vinte dorë. Të ardhurat e vakëfit
shkonin për zhvillimin e pronave në vakëf dhe kjo ishte dhe një arsye tjetër
për zhvillimin e shpejtë të fshatit Peskopje dhe shndërimin e tij në një qytet.
Duke u zmadhuar dhe gjallëruar, fuqizuar dhe zbukuruar, kjo qendër e banuar nuk
i ngjante më atij fshatit të dikurshëm Peskopje ose Peshkëpi, jo vetëm nga
ndërtimet e shumta, nga gjallëria e pazarit me sheshet dhe dyqanet e tij, por
edhe nga përmbërja e familjeve që ishin tani nga e tërë nahija e Korçës.
Vendasve u pëlqente ta quanin vendbanimin e tyre si më parë, me emrin e
vjetër Peshkëpi, ndërsa të ardhurve, që vinin duke u shtuar u pëlqente ta
quante me ermin e krahinës, Gorica apo siç shqiptohet sot Korça (për emrin e
qytetit të Korçës dhe prejardhjen e tij do flasim një herë tjetër). Duke
konkuruar emri i vjetër Peshkëpi me emrin e krahinës, fitoi emri i krahinës mbi
atë të fshatit. Për këtë emërtim të ri sigurisht ka ndikuar shumë dhe influenca
e familjeve që shkeputeshin nga kalaja e Korçës në kodër dhe vendoseshin në
lagjen “Kala” në Peshkëpi. Duke emërtuar lagjen ku u vendosën me emërtimin e
vendit nga erdhën, këto familje influencuan edhe në përdorimin e emrit Korçë në
vend të emrin Peshkëpi. Transferimi në qendrën e re qytetare të Peshkëpisë dhe
të administratës së nahijes së Korçës, që deri atëhere ndodhej në kalanë e
Korçës në kodër, solli natyrshëm edhe zëvendësimin përfundimisht të emrit të
dikurshëm Peshkëpi me emrin e ri Korça.
Qyteti i Korçës ku banojmë ne sot, “rilindi” nga shndërrimi që pësoi fshati
Peshkëpi në një qendër qytetare të zhvilluar. Viti 1496, kur përfundoi së
ndërtuari nga Iljaz Bej Mirahori Xhamia e Madhe, ndërtesa më e vjetër e qytetit
tonë, që është dhe viti në të cilin doli dhe dekreti i sulltan Bajazitit II, që
i dha pronë personale Iljaz Bej Mirahorit, fshatin Peskopje –Peshkëpi, është
padyshim viti që mund të konsiderohet si viti i themelimit të qytetit të Korçës
së sotme, i cili bën këtë vit 520 vjet. Është e padiskutueshme merita e Ilia
Panaritit, djali i priftit të kishës më të madhe të Panaritit, që historia e
njohu me emrin Iljaz Bej Mirahori, në rilindjen dhe zhvillimin e qytetit të
Korçës, me fillesë fshatin Peskopje. Ai i meriton
plotësisht fjalët e Nuçi Naçit në librin “Korça dhe fshatrat”, botim 1901:
“Të madhuarit e
Korçës u nis që më ditë të Koxa Mirahorit, i cili e bëri atë qendër qeverie. Ca
nga ca ai fshat i vogël që banohej vetëm me ca bujq u bë si e shohim sot qytet
i madh dhe i bukur. Detyrë të madhe ka Korça në Koxa Mirahori, se ai e bëri atë
kërthizën e fshatrave… në të madhuarit e në të zbukuaruarit e Korçës ndihmuan
edhe të gjithë korçarët me tregëtinë e begatinë e tyre, por midis gjithë këtyre
emri i Koxa Mirahorit gdhendet në shekuj, e pas kësaj është për të përmendore,
se ai quhej që vu të parët gurë në themelet e saj, andaj dhe të parët në
historinë e Korçës duhet ti ketë emri i Koxa Mirahorit.”