01/07/2013

Memorandumi i Kristo Dakos dhe Mihal Gramenos drejtuar Presidentit të SHBA Wilson


“Të drejtat dhe kërkimet e Shqipërisë për indipendencë dhe për tërësinë e vendit”
është teksti shqip i memorandumit që iu dërgua Presidentit Wilson më 20 korrik 1919 nga Kristo Dako dhe Mihal Grameno.
Ky memorandum u botua në trajtën e një broshure në shqip me titullin e mësipërm dhe në gjuhën angleze me titullin “Albania`s Rights and Claims to Indipendence and Territorial Integrity”. Përveç se një dokument zyrtar, ai është një historik i shkurtër i vendit tone dhe një kontribut modest në mendimin historiografik shqiptar. Por, mbi të gjitha ai mer vlerë për faktin se u shkrua dhe iu paraqit një personaliteti të njohur botëror në kohën kur fatet e Shqipërisë do të diskutoheshin në Konferencën e Paqes në Paris.
--------------------------------------------------------------------------------------------------
Ptolemeu është i pari shkrimtar, i cili bën fjalë për shqiptarët, mirë po shqiptarët, bijtë e shkabës malësore sikundër ata e quajnë veten e tyre, janë rraca më e vjetër që ndodhet në Europë, ndenjësit autoktonë të Gadishullit Ballkanik, të cilën e qeverisën për mijëra vjet më parë se të kapërcejnë barbarët Tunën. Shqiptarët janë stërnipat e maqedonasve të vjetër, të ilirjanëvet dhe të epirjotëve, të cilët ishin pasardhësit e Pellazgëve. Shqiptarët janë prej një brumi me cilësi fizike dhe mendore të shquara. Historia na jep një listë shqiptarësh të shquar si nga cilësia ashtu dhe nga sasia, edhe fushën e gjerë në të cilën vepruan. Në tërë brezat shqiptarët kanë qëndruar në ballë të punërave të botës. Aleksandri i Madh, Pirrua, Teuta, Skëndërbeu, Ali Pashë Janina, Mehmet Ali Pasha që liroi Misirin (Egjiptin), Krispi burrë shteti i Italisë, Trikupi buurrë shteti i Greqisë, janë ca nga këta. Qëndrimi heroik që treguan shqiptarët në kohët e kaluara kundër Romanëve, Gothëvet, Hunëvet, Serbëvet, Bullgarëve dhe Normanëve s’është më e pakë se një çudi. Të bijtë e shqiponjës përmbijetuan pesë perandori dhe bashkërisht kundërshtuan çdo përpjekje për t’i shkombtarizuar. E ruajtën gjuhën, zakonet kombëtare dhe traditat në tërë brezat dhe kështu provuan se janë një komb që nuk mund të vihet nën thundër ose të tretet. Në të 15 shekull kur Europa ishte duke gëzuar bekimet e Rilindjes shqiptarët nën udhëheqjen e heroit të tyre të famshëm Gjergj Kastriot Skëndërbeu mundën më shumë se 20 ushtri osmane nga të cilat disa ishin nën komandën e vetë sulltanëve dhe kështu i ndaluan t’a zgjatnin pushtimin e tyre në Europë dhe kështu iu sigurua paqja popujve të perëndimit, iu ndihmua të arrijnë shkallën e lartë të diturisë e të qytetërimit. Pas vdekjes së Skënderbeut vendi ynë ra nën qeverimin e keq të otomanëve të cilët nisën dhe vunë në veprim një sistem shkelje dhe ndjekje kundër shqiptarëve dhe u mohuan të drejtën e shenjtë për t’u arsimuar në gjuhën e vet, kurse propogandës dhe intrigës së huaj i hapën dyert dhe i dhanë liri të plotë të ndajnë dhe të shkombëtarizojnë kombin shqiptar. Kjo propogandë dhe intrigë e huaj ka pasur një natyrë të tillë sa ende nuk është zhdukur krejt nga rrethi ynë dhe në këtë vend i cili është i zbrazët nga të tilla manevra. Me gjthë këto fuqia jetike e kombit shqiptar si një trup është e tillë sa mundi të ruajë të pa cënuara cilësitë kombëtare dhe më shumë se një here u ngrit duke kërkuar tërësinë dhe indipendencën, mire po disa nga Fuqitë e Mëdha nga shkaku i interesave të tyre e gjetën për më mire të mbajnë stusquonë e Perandorisë Osmane, se sa të njohin dhe të vulosin indipendencën e Shqipërisë.
Më 1912 në kohën e luftës ballkanike Shqipëria u bë kockë mosmarrëveshjeje midis Greqisë, Serbisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi të cilët kërkonin ndarjen e saj, por Italia dhe Austria hynë në mes për të ndalur një ndarje të tillë. Në këto e sipër shqiptarët nën udhëheqjen e veteranit burrë shteti, Ismail Qemal Bej Vlora, proklamuan indipendencën e vendit të tyre dhe i adresuan Europës një thirrje për tërësinë e Shqipërisë. Një muaj më vonë, Konferenca e Londrës e shtërnguar prej kësaj fuqie reale dhe demokratike që krijoi këtë shtet të ri, edhe si dëshmi e besimit të saj në parimin e kombësisë vulosi indipendencën e Shqipërisë, të cilën independencë e proklamuan shqiptarët vetë më 28 nëntor 1912. Fatkeqësisht një pjesë e madhe e Shqipërisë padejtësisht dhe paturpësisht u shkëput nga trupi i saj dhe iu dha Malit të Zi, Serbisë dhe Greqisë.
Fqinjët tanë lakmonjës nuk u kënaqën me atë që morën në Koferencën e Londrës, por për njëherësh nisën të shkelin vendin, megjithëse kishin deklaruar zyrtarisht se pranonin vendimet e mbledhjes së Europës dhe e shkatërruan makinerinë e këtij shteti që porsa kishte lindur, më pare se të kishte kohë të ngrihej në këmbë. Ligësitë dhe masakrat që u bënë në Shqipëri prej ushtrive pushtuese në verë të vitit 1914 pak kohë përpara luftës Europiane do të mbeten një njollë gjaku në histori të botës. Gëzohemi të mësojmë se burra shteti dhe patriotë të Greqisë dhe të Serbisë filluan të kuptojnë se fushën natyrale për zgjerimin e tyre nuk është as Shqipëria e Jugut ose Epiri, as Shqipëria e Veriut ose “Serbia e Vjetër” ndenjësit e të cilave vise janë shqiptarë dhe nga rraca, nga ghuha dhe nga ndjenjat por për Greqinë në lindje, në nisë të Detit Egje, edhe në Azi të Vogël; dhe për Serbinë në Veri, Bosnje, Hercegovinë, Kroaci, etj… Sot për sot Shqipëria megjithëse u vendos prej Europës të jetë neutrale është shkelur prej fuqive luftonjëse dhe po vuan në heshtje më shumë se Belgjika. Që kur se nisi lufta e madhe, shqiptarët, besnikë të çështjes së drejtë të aleatëve të cilët po luftojnë për triumph të parimit të shenjtë të kombësisë edhe ndenjës besnikë të Shteteve të Bashkuara, po gëzohen duke dëgjuar zërin fisnik dhe duke mësuar kërkimet e Presidentit Wilson për mbrojtjen e të drejtave të kombësive të vogla. Gëzimi ynë është sot edhe më i madh duke pare si kryefjalë: “Të mbretëruarit të nomit (ligjit), duke pasur si themel lejen ose dashjen të të qeverisurvet edhe përkrahje të opinionit të organizuar të njerëzimit”. Duke ditur se tërë përpjekjet që u bënë në kohërat e kaluara për të zgjidhur problemin e Ballkanit, pa marë ndër sy të drejtat e elementit shqiptar, ranë krejt; duke ditur se sa kohë një komb, kudo që të jetë, mbetet nën thunder të pushtonjësvet, aq kohë paqe e botës është e pa siguruar; duke ditur se paqja që do të pasojë këtë luftë nuk do të jetë e qëndrueshme dhe e përherëshme, në qoftë se padrejtësitë e mëparshme vazhdojnë; duke ditur qëndrimin e patundur të aleatëve për të luftuar për një zgjidhje të sosur, jemi plotësisht të bindur se parimet e mëdha dhe fisnike të popullit Amerikan do të triumfojnë dhe se Shqipërisë midis të tjerave kombësi të vogla, do t`i jepen kërkimet e saja të drejta për indipendencë të plotë politike dhe ekonomike, si dhe tërësia e vendit. Shqiptarët drejtësisht kërkojnë të gjitha viset në perëndim të Gadishullit Ballkanik, të cilat janë të banuara prej shqiptarësh.Kufinë e saj lehtazi mund ta ndjekim në çdo hartë. Nga lumi Bojana, ky kufi pason kufinë e vjetër të Malit të Zi, në Veri, gjer sa prek krahinën e Novipazarit, në Jug të Beranës, që kun is të ndjekë lumin Ibër gjer në Mitrovicë. Kufiri pushton udhën e hekurt gjer në Qyprili duke marë përbrenda Ferizajn dhe Shkupin. Prej Qyprilisë kufiri drejtohet në Jug dhe pret hekurudhën Manastir-Selanik pranë Follorinës duke shkuar midis liqenevet të Prespës dhe të Ostrovës dhe pastaj drejtohet në Lindje gjer në një pikë, në jug të liqenit të Prespës duke lënë jasht Kosturin; së këtejmi merr përsëri drejtimin jugor dhe duke u zgjatur prek kufinë e vjetër të Greqisë.
Wadham Peacock në librin e tij “Albania, the foundling state of Europe”, duke folur mbi vendin e banuar nga shqiptarët dhe për kërkimet e tyre thotë: “Kjo përpjekje për të hequr kufinë e Shqipërisë, padyshim se do të ishte e akspetuar prej Konferencës së Londrës, po të ishin shqiptarët mjaft të forte ose mjaft popullorë për të propaganda si ajo që organizuan miqtë e grekëve, të bullgarëve dhe të serbëve, sepse pushtonte vendin, në të cilin shqiptarët me të vërtetë formojnë shumicën dhe në të cilin vend kombësitë e tjera qëndruan duke përdorur intrigat më të dobta fetare dhe politike”. Zoti Rene Pinon një tjetër shkronjës i paanëshëm në problemet e Ballkanit duke folur mbi këtë temë thotë: “Prej fushave të Vardarit gjer në Adriatik, prej Thesalisë gjer në Mal të Zi, shqiptari është zot, edhe ngase është i pari ndenjës, edhe ngase është më i forti në këto vise”. Amerikës së fuqishme së drejtë dhe liridashëse i bie barra, por edhe nderi për të mbrojtur kërkesat e këtij kombi jetim, që të mund të gëzojnë edhe shqiptarët të drejtën për të zhvilluar lirisht dhe në paqe qytetërimin e tyre duke pasur të drejtë si një komb i veçantë nga një rracë e veçantë, me një gjuhë të veçantë, t`i jepet gjith ai shtet si edhe tërë kombësivet të tjera të vogla.

0 σχόλια:

Post a Comment