01/07/2013

Pandeli Evangjeli

Pandeli Evangjeli lindi në Korçë në vitin 1859. Origjina e familjes Evangjeli është nga fshati Shalës i Jano Evanjeli, i vëllai, Nikollaqi, dhe dy motrat Sofia dhe Marina, u shpërngulën në Korçë, ku shpresonin se do të kishin kushte më të mira jetese.
Kolonjës. Si shumë familje të tjera, babai i Pandeliut,


Në vitin 1877, në moshën 18-vjeçare, ashtu si bashkëmoshatarët e tij, Pandeliu përfundoi gjimnazin grek me rezultate shumë të mira. Njohuritë dhe diturinë e tij, si autodidakt, ai vazhdoi t’i zgjerojë përgjatë gjithë jetës. Mjafton të përmendim faktin se, përveç gjuhës shqipe, që në moshë të re ai fliste e shkruante frëngjishten, greqishten, rumanishten dhe italishten, gjë që i dha mundësi që me kalimin e kohës të formohej akoma më mirë, të zgjeronte horizontin kulturor, shkencor e politik.

Për shkak të kushteve të vështira ekonomike ashtu si shumë bashkatdhetarë të tjerë në ato vite, edhe pjesëtarët e familjes Evangjeli u detyruan të merrnin rrugën e mërgimit. Kështu, rreth vitit 1878, në moshën 19-vjeçare, Pandeliu bashkë me të vëllanë Nikollaqin emigroi në Rumani. Fillimisht u vendos në Buçiumeni, në rrethinat e Bukureshtit, pranë Kostandin Eftimiut, me origjinë nga Drenova e Korçës, tek i cili filloi të punojë si ndihmës, apo çirak. Pasi punoi 4-5 vjet në Buçimeni, ai u vendos brenda në Bukuresht, ku vazhdoi të merrej me tregti, tani më vete.

Shumë shpejt ai mori pjesë në lëvizjen patriotike të emigracionit shqiptar në Bukuresht duke u bërë anëtar i shoqërisë “Dituria” dhe më vonë, më 7 janar 1896, u zgjodh edhe kryetar i saj. Nën drejtimin e Pandeli Evangjelit kjo shoqëri botoi abetaret e para shqipe, librat e Naimit e të Sami Frashërit, si dhe një numër të madh librash me karakter patriotik, të cilët ndaheshin falas në të gjitha trevat shqiptare. Duke kujtuar vitet kur jetonte e punonte si çirak i Pandeli Evangjelit, Thanas Viso Mborja ka shkruar: “Fillova të vete edhe në dyqanin e patriotit Pandeli Evangjeli, ku gjeta patriotë të mirë, si dhe libra të shkruar nga shkrimtarët e Rilindjes, me një fjalë një atmosferë kombëtare. Ai më mbante gjithmonë pranë, më jepte libra për të lexuar dhe, pasi t’i kisha lexuar, më pyeste për përmbajtjen e tyre. Kënaqej nga leximi im dhe herë pas here më shpinte në dhomën e bibliotekës së dyqanit të tij, e cila shërbente edhe si zyra e shoqërisë “Dituria”. Pandeli Evangjeli e kish treguar veten si një patriot i mirë, i mbante gjithnjë afër shqiptarët dhe kur ish nevoja edhe i ndihmonte; takimet me patriotët në dyqanin e Pandeli Evangjelit si dhe bisedimet që bënja me të dhe me Nikolla Naçon më zhvilluan mjaft ndjenjat e mija kombëtare”. Ndërsa një tjetër protagonist i asaj kohe, Eqërem bej Vlora, në kujtimet e tij për Pandeli Evangjelin shkruan: “Kafeneja e Pandeliut ishte qendra e lëvizjes kombëtare shqiptare. Pandeli Evangjeli ishte në atë kohë njeri i thjeshtë, shtatpakët, por me mendje të shëndoshë që falë pikëpamjeve të tij për mirëkuptim dhe bashkim nderohej shumë nga të gjithë shqiptarët e Bukureshtit”.

Pandeli Evangjeli është konsideruar si një nga organizatorët e mbledhjes në hotel “Kontinental”, bashkë me Asdrenin, Nikolla Naçon, Vasil Zografin, Spiridon Ilon etj. Në këtë mbledhje Ismail Qemali u foli patriotëve shqiptarë lidhur me misionin e tij, për shpalljen e pavarësisë vetëm pas pak ditësh. Në emër të Komitetit Shqiptar të Bukureshtit, kryetari i tij, Pandeli Evangjeli, u dërgoi letra, telegrame dhe kopjen e vendimeve të Bukureshtit shumë patriotëve e shoqërive shqiptare jashtë atdheut për t’i vënë në dijeni për vendimet e mbledhjes së Bukureshtit, për masat që po merreshin për ta shpëtuar vendin nga situata e rrezikshme në të cilin ndodhej dhe për të kërkuar prej tyre që të jepnin edhe ata ndihmesën e tyre morale e materiale në të mirë të Shqipërisë, duke dërguar përfaqësuesit e tyre për të marrë pjesë në veprimtaritë që do të zhvilloheshin në atdhe.

Më 14 nëntor 1912, Komiteti zgjodhi një delegacion prej 9 vetash të kryesuar prej Pandeli Evangjelit, i cili do të përfaqësonte koloninë shqiptare të Bukureshtit në Kuvendin Kombëtar të Vlorës. Por, për arsye shëndetësore ky i fundit nuk mundi të merrte pjesë. Megjithatë, ai ishte një nga iniciatorët dhe organizatorët e mitingjeve që u mbajtën nga kolonia shqiptare e Bukureshtit për mbrojtjen e pavarësisë së shpallur në Vlorë dhe të trojeve kombëtare shqiptare të pushtuara nga ushtritë ballkanike. Pandeli Evangjeli ishte gjithashtu personaliteti kryesor i kolonisë së Bukureshtit, i cili komunikonte me qeverinë e Vlorës dhe me kancelaritë evropiane. Ai mbante fjalime, hartonte protesta e memorandume, duke u bërë kështu shprehës i aspiratave të popullit shqiptar.

Pasi u formua qeveria e Vlorës e kryesuar nga Ismail Qemali, Pandeli Evangjeli, në emër të të gjithë shqiptarëve të Rumanisë i dërgoi asaj këtë telegram urimi: “Shqiptarët e Rumanisë i dërgojnë me entuziazëm të madh zotërisë t’uaj dhe gjithë qeverisë shqiptare urimet për veprën e madhe patriotike që mbaruat. Rroftë qeveria e parë e Shqipërisë! Rroftë Shqipëria e lirë!”. Në telegramin e përgjigjes drejtuar kolonisë shqiptare të Bukureshtit, Ismail Qemali dhe Luigj Gurakuqi shkruanin: “Përpjekjet tuaja na japin gëzim, kurajo dhe ndihmë. Rrofshin shqiptarët e Rumanisë!”.

Siç del dhe nga dokumentet arkivore të kohës, duke vlerësuar ndihmesën e çmuar të Pandeli Evangjelit, Ismail Qemali i propozoi atij që pasi të organizonte situatën definitive në Shqipëri do ta emëronte si ministër. Mirëpo, kjo nuk u arrit që të vihej në jetë, sepse qeveria e Ismail Qemalit nuk vazhdoi gjatë pas këtij propozimi.

Më 12 janar 1914, kolonia shqiptare e Bukureshtit organizoi një mbledhje në të cilën vendosi të dërgonte përfaqësuesit e saj në atdhe, për të marrë pjesë në pritjen që do t’i bëhej princ Vidit, me ç’rast do t’i shprehnin atij “nderimin, gëzimin dhe devotshmërinë e kolonisë”. Si kryetar i kësaj përfaqësie u zgjodh Pandeli Evangjeli.

Në fjalën e mbajtur në ceremoninë e organizuar me rastin e ardhjes së princ Vidit në Durrës, më 7 mars 1914, në emër të kolonisë shqiptare të Bukureshtit Pandeli Evangjeli deklaroi ndër të tjera: “Që sot e tutje hymë në radhën e shteteve të qytetëruara. Shqipëria jonë e dashur, Albania, ka vendin e saj në mes të shteteve të botës. Që sot e tutje secilido prej nesh do të quhet me madhështi shqiptar”.

Duke pasur parasysh kontributin dhe rolin e tij në afirmimin e çështjes kombëtare, qeveria e princ Vidit e ngarkoi Pandeli Evangjelin me detyrën e prefektit të Korçës. Kur mori këtë detyrë, gjendja e Korçës dhe e qarkut të saj ishte mjaft e rëndë. Forcat greke, edhe pas vendimeve të Konferencës së Londrës për njohjen e shtetit të pavarur shqiptar vazhdonin të mbanin të pushtuara një pjesë të madhe të Shqipërisë së Jugut. Një plagë e rëndë ishte dhe përçarja fetare që ato kishin futur në popull. Prandaj, që ditët e para atij iu desh të përballej me një numër të madh problemesh. Megjithëse qëndroi për një kohë të shkurtër në Korçë, për shkak të shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, si rezultat i përpjekjeve që ai bëri u arrit që administrata e shtetit shqiptar të vendoste sovranitetin e saj edhe në këto zona. Fryma e bashkëjetesës dhe harmonia midis elementëve me përkatësi të ndryshme fetare u forcua. Edhe largimi nga Korça ishte, sipas vlerësimit të vetë Pandeliut, “një episod me të vërtetë dramatik”.

Në vitin 1919, kur po mbahej Konferenca e Paqes në Paris, edhe kolonia shqiptare e Bukureshtit dërgoi delegacionin e vet ku bënte pjesë Pandeli Evangjeli, Ibrahim Temo dhe Dhimitër Berati.

Pandeli Evangjeli qëndroi në Paris gati dy vjet, ku zhvilloi një veprimtari të ngjeshur politike e diplomatike dhe u tregua, sipas vlerësimeve të shtypit, një ndër politikanët më të mirë të kohës.

Veprimtaria e frytshme diplomatike e Pandeli Evangjelit në Paris bëhet edhe më e plotë kur asaj i shtohen përpjekjet e tij për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Ishte pikërisht ai i cili, në emër të qeverisë shqiptare i dërgoi z. Erik Drummond, Sekretarit të PërgjithshëmLK-së në Londër, më 12 tetor 1920, kërkesën e mëposhtme: “Qeveria e Shqipërisë, interprete besnike e ndjenjave të gjithë popullit shqiptar, duke dashur shumë që në Ballkan të konsolidohet paqa, kërkon që të pranohet në Lidhjen e Kombeve dhe të marrë pjesë në Asamblenë e madhe që do të mblidhet në Gjenevë më 15 nëntorin e ardhshëm”, kërkesë, e cila megjithë vështirësitë, që pati, u pranua.

Më 5 dhjetor 1920, qeveria e Iliaz Vrionit shpalli ligjin për zgjedhjet e reja. Këto do të ishin zgjedhjet e para parlamentare në Shqipërinë e pavarur. Pandeli Evangjeli kandidoi dhe u zgjodh një ndër 10 deputetët e prefekturës së Korçës.

21 prill 1921 u hap Parlamenti i Parë Shqiptar. Çështja e rendit të ditës ishte zgjedhja e kryesisë, ku me votim të fshehtë kryetar u zgjodh Pandeli Evangjeli. Nën drejtimin e tij u diskutuan probleme të ndryshme, u miratuan projektligje, u thirrën në interpelancë kryeministri dhe anëtarë të qeverisë për të dhënë shpjegime mbi gjendjen e brendshme dhe të jashtme të Shqipërisë etj. Por Pandeli Evangjeli qëndroi vetëm pak kohë në krye të Parlamentit Shqiptar. Më 11 korrik 1921 u riorganizua kabineti qeveritar, ku me propozim të Kryesisë së Këshillit të Ministrave ai u emërua ministër i Jashtëm i këtij kabineti. Pandeli Evangjeli, për t’i shërbyer atdheut atje ku kishte më shumë nevojë, e pranoi detyrën e re dhe u tërhoq nga ajo e kryetarit të Parlamentit.

Përgjatë detyrës së tij si ministër i Jashtëm ai bëri përpjekje për zgjidhjen e një sërë çështjesh që Shqipëria kishte me fqinjët, sidomos mbi popullsinë shqiptare që jetonte atje apo lidhur me kufijtë, të cilët akoma në disa zona nuk kishin gjetur zgjidhje përfundimtare.

Si rezultat i kompromisit të realizuar nga grupimi politik “Bashkimi i Shenjtë”, më 16 tetor 1921 u formua kabineti i ri qeveritar në krye të të cilit si figurë e pranuar nga të gjithë u zgjodh Pandeli Evangjeli, që njëkohësisht do të mbante edhe postin e ministrit të Jashtëm. Në fjalimin që mbajti me këtë rast përpara Parlamentit, ai deklaroi ndër të tjera se: “Nuk erdhëm në qeveri me qëllim për të zënë kolltukët, por vetëm për t’i shërbyer atdheut...”. Megjithë kohën e shkurtër që qëndroi në krye të këtij kabineti, ai u përpoq me të gjitha forcat për të qetësuar situatën politike dhe për stabilizimin e vendit.

Pandeli Evangjeli vazhdoi të mbante detyra të rëndësishme edhe më vonë. Kështu, më 24 shtator 1925, Presidenti i Republikës, Ahmet Zogu, nënshkroi dekretin për emërimin e tij si kryetar i Senatit, veprimtarinë e të cilit e drejtoi me kompetencë për rreth tre vjet, deri në gusht 1928.

Në mbledhjen e parë të Asamblesë Kushtetuese që u mbajt më 25 gusht 1928 me qëllim për të rishikuar statutin dhe formën e regjimit, ai u zgjodh si kryetar i përkohshëm dhe në mbledhjen e dytë si kryetar definitiv i saj. Pas shpalljes së Shqipërisë Monarki dhe shpërndarjes së Asamblesë, ai u rikthye në krye të Parlamentit deri në marsvitit 1930, kur mori edhe drejtimin e qeverisë shqiptare.

Vitet 1930-1935, kur ai ishte kryeministër në tri qeveri radhazi, ishin të mbushura me ngjarje dhe zhvillime të mëdha politike. Ai u përball me krizën ekonomike që përfshiu mbarë botën, reformën agrare dhe arsimore brenda vendit, acarimin e marrëdhënieve me Italinë e të tjera problematika të kësaj natyre.

shtator të vitit 1938, Pandeli Evangjeli u zgjodh përsëri kryetar i Parlamentit Shqiptar. Ai qëndroi në krye të tij deri në pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste.

Pas 7 prillit 1939, ndryshe nga shumë politikanë të tjerë, ai u tërhoq nga jeta politike dhe nuk mori pjesë në qeveritë që u krijuan nga pushtuesi.

Çlirimi i Shqipërisë atë e gjeti në një moshë të thyer, por plot shpresë e gëzim për të ardhmen e vendit.

Regjimi komunist nuk e kurseu as këtë figurë. Megjithëse nuk e arrestoi, në vitin 1946 e nxori nga shtëpia, e cila fillimisht u përdor si seli e Ambasadës Jugosllave. Në vitin 1947 ai u dëbua nga Tirana dhe u vendos në Korçë, ku edhe vdiq në moshën 90-vjeçare.

0 σχόλια:

Post a Comment