07/03/2014
KORÇA - QYTETI I DASHURISË DHE SERENATAVE TË PËRJETSHME
E kanë quajtur Qyteti i serenatave, Qyteti i dashurisë, Qyteti i Artit,
Qyteti i birrës, Vendi i kërnackave, Parisi i Vogël, e po të kërkosh, gjen plot
epitete të tjera që cilësojnë vlerat e saj por edhe karakteristikat se përse
duhet vizituar një qytet si Korça. E hapur qysh herët me botën, drejt
perëndimit (shumë korçarë emigruan herët ne Amerikë, por edhe shumë atdhetarë e
intelektualë më herët, në Turiqi e Ballkan), Korça është një qytet i qeshur e
plot jetë, që të fton në çdo stinë të vizitosh rrugët e saj karakteristike, të
mësosh për kulturën dhe historinë e saj, të kuptosh pse shumë atdhetarë që sot
mbushin faqet e historisë së kombit, ishin pikërisht nga Korça. Por edhe për të
pirrë një birrë me “kërnacka”, do të ndjesh po aq kënaqësi e mikpritje, sepse
kudo që të shkosh nëpër qytet e në të gjitha fshatrat e tij, gjëja e parë me të
ciëln do të takohesh, është pikërisht mikpritja e korçarëve...
Korça është një krahinë
e Shqipërisë e gjitha për t’u vizituar, si nga ana kulturore, ashtu edhe për
nga vlerat e saj natyrore që disponon me anë të monumenteve të shumta që natyra
ia ka falur krahinave përreth saj. Korça si qytet dhe rrethi i saj shquhen për
objektet dhe mjediset e veçanta me vlera të larta turistike. Korça u ofron
turistëve një trashëgimi të pasur kulturore në arkitekturë, urbanistikë,
monumente kulture etj. Të veçanta janë ushqimet që servirin në restorantet,
pijet karakteristike si vera, birra “Korça”, vodka korçare etj. Ekoturizmi
është një fushë me interes të veçantë për të apasionuarit e natyrës së bukur
korçare. Ky është një qytet gazmor e magjik, që me serenatat e tij është bërë i
njohur në të gjithë botën.
Pozicioni gjeografik,
klima
Korça është rrethi me
lartësinë më të madhe në vend. Gjendet në juglingje të Shqipërisë, në kodrat
rrëzë malit të Moravës. Ajo kufizohet nga
veriu me Pogradecin dhe Maqedoninë, nga veriperëndimi me Gramshin, nga
perëndimi me Skraparin, nga jugu me Kolonjën dhe Përmetin, kurse nga
lindja me Greqinë. Relievi i saj është fushor, kodrinor-malor dhe malor. Aty
gjejmë një ndërthurje të maleve me fushat, me kodrat, duke krijuar një thyerje
të formave të reilievit. Njësitë kryesore të reilievit janë: Fushëgropa e
Korçës, malësia e Gorë-Oparit me pesë komuna: Gorë, Opar, Moglicë,
Vithkuq, Voskopojë.
Klima e Korçës bën pjesë në zonën e karakterit
kontinental, me dimër të ftohtë dhe me një rritje të theksuar të
temperaturës gjatë verës. Muaji më i ftohtë është janari me temperaturë
mesatare 0,4oC, ndërsa më i ngrohti është gushti me 20,6oC. Gjatë dimrit
temperatura është më e ulët se 0oC.
Historia
Është vërtetuar nga studiuesit se zona ku ndodhet sot
qyteti ka qenë e banuar që në kohët e lashta. Kështu, në rrethinën e qytetit
është gjetur ndër të tjera edhe një kodër-varr e vjetër diku rreth 7 mijë vjet
me një diametër prej 10.47 metrash dhe lartësi 114 centimetra.
Në lashtësi, Korça dhe krahint e saj bënin pjesë në
dinastinë ilire që shtrihej midis lumenjve Devoll e Osum dhe pjesërisht në atë
të Enkeleasve, rrëzë malit të Thatë. Në Desardi kanë qenë disa qytete të
njohura ilire; Pelioni, në afërsi të lumit Devoll, në grykën e Cangonjit, ku
sot hasim toponimin Pilur: Korrogu në vendin e quajtur Hija e
Korbit, mbi fshatin Kloce. Lumi kryesor iKorçës, Devolli në ate kohe
quhej Eordao, buzë të cilit ishte vendosur Pelioni, i cili më vonë merr
emrin Devoll.
Korça në dokumente historike përmendet për herë të
parë në vitin 1281, me urdhër të perandorit të Bizantit, ku
emëron Andrea Muzakën si administrator dhe i jep titullin e
lartë Despot. Një tjetër dokument, që na jep të dhëna të tjera për Korçën është
dorëshkrimi i Princit të Muzakajve. Ai e përmend Korçën me disa fshatra si:
Sovjanin, Violën, Oparin, Morianin, Mazrekun, Lavdarin. Korça në këtë kohë ka
qenë qendër e vogël me një kala fushore. Korça fillimisht lindi si qendër
e vogël banimi, buzë rrugëve kryesore, ku bënte shkëmbime tregtare. Në fund të
shek.XV, mori formën e një qendre urbane dhe në shek. XIX u krijua si
qytet. Në shekujt XII-XIII, Korça ishte nën pushtetin e
Muzakajve, me qendër në krahinën e Oparit. Në vitin 1382, Korça pushtohet
prej Perandorisë Osmane. Në vitin 1701 shpërthen kryengritja kundër
pushtmit turk, në krahinën e Gorë-Oparit. Mbas viteve 1820, mori hov lëvizja
patriotike. Naum Veqilharxhi botoi abetaren e tij, kurse Thimi Mitko “Bletën
Shqiptare” . Më 7 Marz 1887 hapet Mësonjtorja e Parë Shqipe. Me nismën e
korçarëve krijohen shoqëri patriotike në Stamboll, Bukuresht e Karjo. Më
22 tetor 1881 çelet shkolla e parë për vashat nga Gjerasim dhe Sevasti
Qirijazi. Ishte kjo një fitore e madhe e Lëvizjes Kombëtare.
Kultura dhe Etnografia
Korça përbën një nga qendrat kulturore më të
rëndësishme të Shqipërisë. Vetë muzeumet e shumta në qytet përshkruajnë
aktivitetin kulturor ndër shekuj. Është e mirënjohur shkolla e parë shqipe në
këtë qytet që daton në vitin 1887, shkolla e parë në Shqiperi për vajza, si dhe
liceu Francez i ndërtuar në vitin 1917. Edhe pse ndër vite qyteti ka qenë
pushtuar disa herë, ndikimet e huaja përbëjnë një pjesë të vogël te kulturës
korçare.
Korça ka tradita dhe zakone të veçanta, gjë që dëshmon
se qyteti ka qenë një vatër e rëndësishme e kulturës me shumëllojshmëri
materialesh shpirtërore për popullin tonë. Dy nga veprat më të
rëndësishme të folklorit shqiptar janë, “Bleta Shqiptare” e Thimi
Mitkos dhe “Valët e Detit’ të Spiro Dines.
Mikpritja dhe Besa, janë dy virtytet me të cilat
shqiptarët krenohen. Kur vinte miku në fshat ose qytet, ai pritej me të gjitha
të mirat, për fjetjen e tij kishte dhomë të veçantë, që quhej “dhoma, ose
konaku i miqve”. Për këtë zakon fisnik e shumë të lashtë, te shqiptarët ka
mbetur thënia e famshme “kur e ke ndjerë veten në vështirësinë më të madhe ?”
Ai u përgjigj : “ Kur më ka ardhur miku në shtëpi dhe nuk kam patur mundësi ta
pres e ta kënaq si duhet”.
Folklori. Çdo qytet, çdo krahinë në shekuj ka
krijuar kulturën e vet. Kështu, edhe populli i Korçës ka krijuar gojëdhëna,
përralla, gjëejgjëza, këngë, fjalë të urta, të njohura në të gjithë vendin. Për
to janë kryer studime dhe botime të ndryshme, që janë bërë të njohura e të
dashura për shpirtin e shqiptarit dhe të korçarit.
Veshja kryesore e burrave është fustanela, kallat dhe
opingat me xhufka të zeza në majë të tyre, në kokë mbanin fesin me ngjyrë të
bardhë. Ndërisa gratë visheshin me xhamadan dhe në kokë mbanin shami.
Monumentet e kulturës
Korça është shumë e pasur me monumente të kulturës,
gjë që dëshmon se qyteti ka qenë në të kaluarën vatër e rëndësishme e kulturës
materiale e shpirtërore për popullin tonë. Numërohen rreth 110 monumente
kulturore, që mbrohen nga shteti.
Muzeu i artit mesjetar shqiptar
Është i vetmi i këtij lloji në Shqipëri. Ai përmban
objekete me vlera artistike e shpirtërore të popullit tonë,
materiale që shkojnë deri në periudhën e Mesjetës. Në të ndodhen vepra të
piktorëve të shquar shqiptarë si: Onufri, i biri i tij Nikolla, vëllezërit Athanas
Zografi, kostandin Jeromonaku nga Voskopoja e shumë të tjerëve.
Muzeu arkeologjik i Korçës
U krijua në vitin 1985 dhe mori formë të gjerë pas
vitit 1990. Për vlerat arkitektonike është shpallur monument kulture. Ky muze
është ngritur në një godinë karakteristike të shek XIX. Në të janë ekspozuar
pasuritë arkeologjike të trevave juglindore të Shqipërisë, ku vendin kryesor e
zë pellgu i Korçës.
Muzeu i arsimit
Është ngritur në godinën ku më 7 mars 1887 u hap
shkolla e parë shqipe ose “Mësonjtorja”. Kjo godinë është dhuruar për shkollë
nga patrioti Diamant Tërpo. Në të kanë dhënë mësim atdhetarët Pandeli Sotiri,
Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi etj.
Besimi Fetar
Popullsia në rrethin e Korçës është e përzier,
myslimane e ortodokse. Dikur qyteti ndahej në dy pjesë prej lumit të Mborjes,
në Varosh, pjesa lindore ku banonin të krishterët dhe Kasabaja në perëndim, ku
banonin myslimanët. Tani ndarja e dikurshme nuk ekziston më. Banorët e të dy
feve kanë jetuar në harmoni. Kurrë nuk janë vënë re armiqësi e grindje fetare ndërmjet
tyre. Tani në qytet e në fshat mund të hasen me qindra familje, që
janë lidhur ndërjet tyre me martesë. Në qytetin e Korçës sot ndodhen 9
kisha, ku shërbejnë 9 priftërinj dhe 6 manastire, si Manastiri i Shën
Prodhomit në Voskopojë dhe i Shën Pavlit e Pjetrit në Vithkuq. Qyteti ka
dy xhami, ajo e Minollarit ndërtuar më 1496 dhe Xhamia e Re. Janë 36 xhami në
fshat dhe disa teqe në Turan, Melan, Vrëpckë etj.
Turizmi
Korça është si një minierë ari për
nga llojshmëria që i ofron çdo vizitori. Monumentet e kulturës më të
rëndësishme të Korçës janë: Kisha e Shën Ristozit, Mborje, Kisha në
Voskopojë, Parku Kombëtar i Prespës, zonë e peizazheve mjaft tërheqëse
dhe me potenciale për zhvillimin e ekoturizmit, ku vlerat natyrore gërshetohen
me vlerat tradicionale, kulturore e historike. Muzeu arkeologjik i Korçës,
ikona Ngjallja e shën Llazarit. Gjithashtu natyrë të
mrekullueshme gjeni edhe tek fshati Dardhë i cili është një fshat
malor midis maleve e pyjeve, një bukuri e rrallë natyrore. Dardha ofron
një klimë shumë të shëndetshme e ajër të pastër. Gjelbërimi dhe freskia e
ditëve të verës, por dhe dimri me shumë dëborë e bëjnë një vend të preferuar në
të gjitha stinët e vitit. Sportet dimërore sidomos skitë tërheqin turistë të
apasionuar pas tyre. 25 km nga Korça, në majë të një kodre shtrihet fshati i
Vithkuqit. Pika më e lartë është maja e Rrungajës me lartësi 1750 m. Një nga
atraksionet e këtij Rajoni është Uji i Ftohtë, i Bellovodës i pasur në
minerale, i quajtur ndryshe dhe Uji i Bardhë. Fshati Boboshticë është i famshëm
jo vetëm për prodhimin e Rakisë së Manit, por edhe për Punimet e Leshit si
Velenca, Qilima etj. Ky fshat ka dy Kisha që paraqesin interes të veçantë me
një numër afreskesh mjaft terheqëse.
Kuzhinë karakteristike
Arti kulinar në Rajonin e Korçës është një arsye më
tepër për të qëndruar dhe pushuar këtu. Mos haroni të shijoni nië vakt me
gatime të peshkut shoqëruar me verë speciale buti, ose gatime të tjera,
specialitete të rajonit nëpër restorantet e shumta me pamje nga liqeni dhe
malet. Është për t`u përmendur edhe Korani i famshëm, peshk që gjendet vetëm në
liqenin e Ohrit. Korani është i famshëm për mishin e tij të shijshëm, i cili
gjatë dimrit ka ngjyrë rozë dhe në verë të bardhë. Gatimi i shpendëve dhe
kafshëve të egra është gjithashtu një kënaqësi krahas kuzhinës orientale dhe
europiane. Është një kënaqësi më vete të shijosh prodhimet e Liqenit të
Prespës: peshkun Krap, Mrenë dhe cironkat të gatuara nga kuzhinierët e aftë që
kanë recetat e tyre të veçanta. Në kuzhinën e Prespës, karakteristikë janë edhe
byreku i zonës (me peshk e gjizë dhe vezë, ose me qepë) si dhe turshitë e
ndryshme.
Nëqoftëse vini në Dardhë nuk duhet të lini pa provuar
lakrorin me dy petë të pjekur në saç. Është specialiteti i zonës dhe do të
ngeleni mjaft të kënaqur. Pjekja e mishit është një tjetër specialitet
karakteristik, i ndryshëm nga të gjitha vendet jashtë rajonit. Boboshtica ofron
një kompleks restorantesh ku ju mund të provoni dhe mishin e pjekur që gatuhet
në mënyrë të veçantë.
Voskopoja
Voskopoja shtrihet në një pllajë të bukur të rrethuar
nga kodra të larta dhe pyje me pisha e bredha. Nga Shën Prodhomi hapet para
vizitorit një pamje e mahnitshme nga duken majat e Lenies dhe Ostrovica me një
lartësi prej 2.246 m Vera e freskët dhe dimri i ftohtë, gjelbërimi, ajri i
pastër malor, i pasur me oksigjen, peisazhet e bardha dimërore ju ftojnë të
kaloni momente mbresëlenëse me familjaret apo miqtë tuaj. Ajo është një
Vendbanim mesjetar i hershëm që nga viti 1330. Lulëzimin më të madh e ka patur
në vitet 1764 me një popullsi prej 30.000 banorësh. Kishte 24 kisha me afreske
nga më të bukurat, tani janë vetëm 7 prej tyre. Ka pasur Akademi, Bibliotekë,
Shtypshkronjë (1720), artizanat të zhvilluar e tekstile dhe shërbeu si urë
lidhëse jo vetëm brenda vendit, por edhe midis vendeve fqinje Greqi e Turqi.
Shkatërrimin e parë e ka patur në vitin 1769, të dyti më 1789 dhe të tretin në
1916. Ruan vlera të mëdha të artit mesjetar.
Në Dimër funksionon Pista e Skive dhe zhvillohen garat
rajonale dhe kombëtare.
Voskopoja është fshati
që ka traditë në pjekjen e mishit të qingjit, përpunimit të djathit, salcës,
gjizës, turshive, petkave si dhe pjekjen e byrekëve në saç.
Dardha
Dardha është një fshat malor midis maleve e pyjeve,
një bukuri e rrallë natyrore. 20 km në juglindje të Korçës, në një lartësi
1344m mbi nivelin e detit. Dardha ofron një klimë shumë të shëndetshme e ajër
të pastër. Gjelbërimi dhe freskia e ditëve të verës, por dhe dimri me shumë
dëborë e bëjnë një vend të preferuar në të gjitha stinët e vitit. Sportet dimërore
sidomos skitë tërheqin turistë të apasionuar pas tyre.
Midis burimeve të shumta në këtë fshat është edhe i
quajturi “Uji i Qelbur” që shërben si ujë kurativ për stomakun dhe veshkat.
Shtëpitë e gurta karakteristike plotësojnë bukurinë e këtij fshati, por edhe
njerëzit janë shumë mikpritës dhe gatuajnë specialitete karakteristike të
fshatit.
Vithkuqi
25 km nga Korça, në majë të një kodre shtrihet fashati
i Vithkuqit. Pika më e lartë është maja e Rrungajës me lartësi 1750m. Një nga
atraksionet e këtij Rajoni është uji i ftohtë, i Bellovodës i pasur në
minerale, i quajtur ndryshe dhe Uji i Bardhë. Vithkuqi ka Florë e Faunë të
pasur sidomos me kafshë të egra si Ariu, Ujku, Dhelpra, Dreri, Lepuri i Egër,
dhe pyjet me Ah, Dushk dhe Pishë. Çaji i Malit dhe bimë të ndryshme mjeksore
gjenden me shumicë në të gjithë zonën e Vithkuqit. Fshati i Vithkuqit do të
lërë mbresa tek vizitorët e apasionuar pas ngjitjeve malore, ofron ajër të
pastër dhe klimë të shëndetshme malore.
Boboshtica
Fshati Boboshticë është
i famshëm jo vetëm për prodhimin e Rakisë së Manit, por edhe për Punimet e
Leshit si Velenca, Qilima etj. Ky fshat ka dy Kisha që paraqesin interes të
veçantë me një numër afreskesh mjaft terheqëse. Boboshtica ofron një kompleks
restorantesh ku ju mund të provoni dhe mishin e pjekur që gatuhet në mënyrë të
veçantë.
Parku kombëtar “ Bredhi i Drenovës”
Ndodhet në Qarkun e Korçës dhe në rrethin e Korçës, 10
km larg qytetit të Korçës dhe shtrihet në kurrizin e malit të Moravës. Parku ka
një sipërfaqe prej 1,380 ha. Bozdoveci, Guri i Capit, Çardhaku janë pikat më
atraktive te tij. Konsiderohet zonë e peizazheve tërheqes me potenciale të
mëdha për turizëm natyror e kulturor dhe zhvillim të qëndrueshëm. Ky është
mjaft i frekuentuar nga banorët e qytetit të Korçës dhe fshatrave përreth.
Vlerat atraktive këtij parku ia shton edhe prezenca e shumë burimeve, të cilët
kanë ujë të pijshëm gjatë gjithë vitit si ai i Shën Gjergjit, Plakës, Pllicës
etj.
Parku Kombëtar i Prespës
Ndodhet në Qarkun e Korçës dhe në rrethet e Korçës (45
km larg) dhe të Devollit dhe ka një sipërfaqe prej 27,750 ha. Gjithashtu
ndodhet në kryqëzimin e kufijve të Shqipërisë, Greqisë dhe Maqedonisë. Park
ndërkufitar dhe shumë i rëndësishëm. Përbëhet nga liqeni i Prespës së Madhe dhe
ai i Prespës së Vogël si dhe Pellgu ujëmbledhës i tyre. Prania e shtate zonave
rurale, mungesa e qyteteve dhe industrise krijojne nje pasuri natyrore te
pazbuluar. Liqenet e Prespës me një sipërfaqe prej 49.5 km2 (ne teritorin
Shqiptar) kane prejardhje tektonike, karstike. Thellesia e tyre arrin ne 54m.
Brigjet e liqeneve jane pjesërisht shkëmbore të lartë dhe të ulët me plazhe
ranore. Ujrat e Liqenit të Prespës së Madhe janë të shumta e të tejdukshme.
Gjendet një lidhje nën ujore midis Liqeneve të Prespës dhe Liqenit të Ohrit.
Zonë e peizazheve mjaft tërheqëse dhe me potenciale për zhvillimin e
ekoturizmit, ku vlerat natyrore gërshetohen me vlerat tradicionale, kulturore e
historike. Brenda zonës ndodhet dhe mjaft zona me vlera arkeologjike dhe
biospeleologjike, në mënyrë të veçantë për lakuriqët e natës. Kjo zone është
mjaft e pasur me vlera kulturore. Ne pjesen shqiptare te liqenit ndodhet dhe
ishulli piktoresk i gjarpërinjve, Maligradi i cili me rrënojat e një bazilike
te vjetër (shek XIV) dhe peisazhin
karstik është një pikë e rëndësishme atraksioni në
këtë rajon. Bazilika e ngritur brenda një guve shkëmbore është e njohur për
ansamblin e saj me piktura murale bizantine.