10/11/2013

TMERRI I TËRMETIT TË FRIKSHËM 9,5 BALLË NË JAPONI...

3 Vjet pas tërmetit shkatërrues në Japoni,u dha në publik kjo video e cila na tregon edhe njëherë se Japonezët pavarësisht dëmeve të mëdha që shkaktoi Cunami i Madh, janë dhe do të mbeten të PA KAPSHËM në ndërtimin e Ndërtesave Antisizmike, pasi Japonia është nga Vendet më Sizmike në Botë



11/09/2013

Le të kujtojmë Traditat e Dasmave KORÇARE

    Korça siç e dimë është një nga qytetet që kanë Tradita të shumta dasmash, po sjell këtu disa tradita dasmash të cilat kanë vlera kulturore, jo vetëm për Korçarët por për të gjithë Shqiptarët

Ashtu siç e dimë ose si kemi dëgjuar nga Gjyshet ose Gjyshërit tanë qëmoti dasmat bëheshin me mblesëri,    edhe në zonën e Korçës janë bërë nëpërmjet mblesërive; njerëz që shkonin në të dyja familjet, herë nga nusja e herë tek dhëndri i ardhshëm, duke bërë negociatat për fejesën dhe martesën e radhës, e cila, sipas tyre, ishte e përshtatshme për personat që bashkoheshin dhe e leverdisshme për fiset që lidhnin krushqi. Elefteri Kristo, aktualisht 80-vjeç, me origjinë nga Voskopoja, e nis rrëfimin e saj, pikërisht me mënyrën se si çiftet e reja bashkoheshin në martesë asokohe. Me logjikën e ftohtë, ndonëse 8 dekada i mbart shkëlqyer mbi shpinë, Elefteria kujton dasmën që në momentet e para të saj, pra, duke e nisur nga çastet fillestare, zanafilla:
“Çdo dasmë bëhej nëpërmjet mblesit. Nuk dinim ne dashuriçka e bredhje poshtë e përpjetë, siç kanë dalë në modë sot...”,- thotë ajo, duke vijuar se “vinte një njeri që i njihte të dyja familjet dhe bënte bisedimet, duke u mbushur mendjen të dyja palëve që martesa ishte e mirë, si për njërën familje, ashtu dhe për tjetrën”. Fejesa bëhej me gosti ku rakia derdhej lumë, mes këngëve e valleve, ëmbëlsirave dhe njerëzve të shumtë që hynin e dilnin, duke uruar trashëgim me shumë djem dhe jetë të lumtur çiftit të ri. 
Një kod i tërë përcaktonte mënyrën dhe e etapat e zhvillimit të ceremonisë më të rëndësishme në jetën e njeriut, siç ka qenë dhe për pjesën më të madhe të njerëzve, kryesisht femrave, mbetet dasma bashkimi nën kurorë me bekimin e familjes, sektit fetar, kishës apo xhamisë, priftit apo imamit. E, nëse tradita sot është zhdukur, tjetërsuar dhe harruar, kjo ka ndodhur për arsye të ndërfutjes së kulturave globale, por edhe si rrjedhojë e ndryshimeve të mëdha shoqërore, ekonomike e kulturore. Në rast se ky kod do të ishte i shkruar dhe i dokumentuar, patjetër që dhe dasmat do të ishin më të pasura me elementë të humbur të traditës dhe folklorit, sipas trevave ku zhvillohen.

 Dhuratat, nusja fal shami e çorape leshi

Po cilat ishin zakonet për vizitat e para mes dy palëve të krushqve të ardhshëm?

Nga ana e burrit vinte xhaxhai dhe daja i dhëndrit, bashkë me kryefamiljarin. Pra, linja më e afërt e dhëndrit. Sigurisht, që krushqit e dhëndrit do ta bënin vizitën të parët në shtëpinë e nuses, ku do të kërkonin dhe dorën e vajzës për djalin e tyre. Ata duhej të rrinin jo më tepër se dy orë në shtëpinë e nuses dhe pas urimeve dhe gostisë, ktheheshin në shtëpi. Nganjëherë, sipas rastit, shkonin edhe për darkë. Si dhurata fejese, zakonisht çohej bukë me qiqër, çorape të leshta, këmishë, etj. Kurse nusja, sipas zakonit, i jepte shami fëmijëve dhe i puthte, dërgonte çorape leshi të bëra me duart e saj për dhëndrin, vjehrrin, kunetërit, xhaxhallarët dhe dajat e dhëndrit. Veç këtyre, çoheshin edhe jorganë, çorga, levenxa, veshmbathje, e kështu me radhë..

Paja e nuses

Paja, përveç mobilimit të dhomës së gjumit dhe kuzhinës, veshjeve të dhëndrit, por dhe të nuses, kishte dhe shpenzime të tjera në kohë, energji dhe para... Elefteria kujton, se “kur u bëra nuse, shpura në shtëpinë e dhëndrit pallto, manto', nja dhjetë fustane, peshqeshe të ndryshme, këpucë, 30 çorape dhe 30 këmisha, që u kisha qëndisur jakat e mëngët me duart e mia. Unë jam martuar para 63-vjetësh (1943)”. Më tej, ajo vijon të tregojë, se “kur u martova unë, shtëpinë e burrit e kisha shumë larg nga e imja. Jemi nisur me kuaj që në mëngjes dhe arritëm në darkë. Vajta atje e hipur mbi një kalë të bardhë dhe e shoqëruar nga 10 krushq. Para se të hipja në kalë, mamaja më vuri përpara një gjym të mbushur me ujë, të cilit duhet që t'i bija me këmbë e ta rrëzoja përdhe. Mbasandaj, vëllai me xhaxhain më shoqëruan, duke më mbajtur njëri nga një krah e tjetri në anën tjetër. Kur u nisëm, burrat shkrehën pushkët dhe, edhe kur arritëm në shtëpinë e dhëndrit, pushkë të tjera u shkrehën në ajër nga ata që na prisnin. Para se të hyja në shtëpinë e burrit, më erdhi një fëmijë i vogël, të cilit i dhashë një shami që e kisha qëndisur, ca lekë dhe një palë çorape. Pastaj, pa hyrë akoma në shtëpinë e burrit, ata shtruan poshtë një pëlhurë të bardhë, që duhet ta shkelja me këmbën e djathtë, për të sjellë fat e mbarësi në shtëpinë e re. Siç hyra brenda, takova familjarët. Te porta doli vjehrra që më leu duart me mjaltë, pastaj faqet dhe buzët. (Qesh). Kjo bëhej që të ëmbëlsoheshim të dyja: nusja me vjehrrën... Më hodhën edhe oriz...”. 

Takimet e nuses me dhëndrin

Gjatë dasmës, deri natën vonë kur nisnin vallëzimi, as nusja as dhëndri nuk kishin ndonjë rol të madh, përveçse atij të manekinëve. Protagonistë ishin krushqit, dajat, xhaxhallarët, kunetërit e kunatat, vjehrrit dhe vjehrrat, pa harruar kumbarin që nuk duhej anashkaluar në asnjë rast. “Ne nuk bënim ndonjë gjë të veçantë dhe rrinin të ndarë, unë në dhomën e grave, dhëndri në atë të burrave”,- thotë Elefteria. Dhëndri me nusen takoheshin vetëm kur largoheshin njerëzit. Ata mundet që nuk njiheshin fare dhe nuk ishin parë me njëri-tjetrin. Madje, 80-vjeçarja kujton një tjetër episod gjatë bisedës sonë, të cilin na e thotë duke rrudhur ballin nga kujtimet dhe përjetimi i dhimbshëm i humbjes së bashkëshortit, e më pas, duke qeshur për ndodhinë e para 60-viteve. “Tani që m'u kujtua,- rrëfen e moshuara,- kur isha në natën e parë të dasmës, hyn im shoq në dhomën ku rrinim ne, që të ndizte cigare dhe unë u ngrita që të shkoja e t'i puthja dorën kur, ndërkohë, një nga gratë që kisha afër më bie me këmbë për të më ndalur dhe vetëm aty e kuptova se burri që kisha para meje ishte im shoq. Ç'të bëja, nuk e njihja?!... (Qesh). Dhëndri nuk kishte kostumin sepse ishte ndërruar, ndaj dhe unë nuk e njoha. Mua më kishin porositur, që kush ka një lule dhe shami në xhepin e kraharorit të palltos, është dhëndri, por siç duket nuk e vura re...”. Vjehrra e vinte nusen në provë: “Unë, si 17-vjeçare që isha, i pëlqeva vjehrrit dhe vjehrrës, sepse isha edhe shumë e pashme, madje u çuditën të gjithë dhe u gëzuan për mua”. 

Nata e parë, nusja me dhëndri flenë të ndarë

Natën e parë, asnjëherë nusja nuk flinte me dhëndrin. Pasi ajo hidhte vallen me dhëndrin e mbaronte dhe festa, shkonin e flinin; nusja në dhomën e grave e dhëndri në atë të burrave. Në lidhje me këtë rast, Marjeta Mile, 70-vjeçare nga Korça, pohon se “mbaj mend, por edhe me çfarë kam dëgjuar nga mamaja, se atëherë mblidheshin e më këndonin, shanin dhëndrin e lëvdonin nusen, kurse dhëndrit në anën tjetër, i shanin nusen ndërsa atë vetë e lëvdonin. Por nusen ama, e shanin më tepër, kurse me dhëndrin ishin më të përmbajtur...”.

Krushqit “hajdutë” telash për dasmorët

Një zakon i veçantë në zonën tonë ( Korçë) ka qënë ai i krushqve, që duhet të bëheshin hajdutë kur shkojnë gjatë vizitave të ndërsjella që bëhen nga të dyja palët, me rastin e shpalljes së fejesës së çiftit të ri, traditë kjo, që ka mbijetuar dhe gjen zbatim deri në ditët e sotme... Vjollca Zguro, me origjinë nga fshati Polenë, i njohur për traditat e shumta në trevën e Korçës, tregon se “fillimisht shkëmbehet nishani, bëhen ato që ne u themi “shkelkat”. Pastaj, kur vijnë krushqit e dhëndrit, rrëmbejnë ndonjë panoramë apo send tjetër në shtëpi dhe e fshehin duke e marrë me vete. Pastaj, kur krushqit e tjerë kthejnë vizitën, edhe ata bëjnë të njëjtën gjë dhe pas një jave i kthejnë gjërat e vjedhura. Por, ka edhe raste kur ndonjë krushk, me qëllim apo pa qëllim, harron sendin që ka vjedhur dhe nuk e kthen më. Kur u martova unë, krushqit e burrit na morën një panoramë, kurse njerëzit e mi morën disa gjëra të ndryshme; panorama, filxhanë, etj.”. Puna e vjedhjeve të sendeve gjatë këtyre vizitave, në kohën e regjimit, ka qenë tepër problematike, pasi pavarësisht traditës dhe qëllimit, përse ky veprim bëhej, mund të hapte telashe për familjet e dasmorëve. Kjo, pasi nëse vidheshin disa filxhanë ose gota, dhe ndodhte që të mos riktheheshin më mbrapsht, këto orendi mund të ishin tepër të veçanta e të rralla, për më tepër, duke pasur parasysh stadin ekonomik dhe varfërinë e përgjithshme, të marra borxh nga fqinjët apo të njohur të fisit... E pra, këto raste sillnin pastaj shqetësime më vete për organizatorët e dasmës që duhet të gjenin, ose krushqit “hajdutë” dhe të merrnin sendet e humbura, ose të përgjigjeshin para atyre që ju kishin mbetur borxhlinj, me shumë të madhe parash apo me të njëjtat orendi si ato që humbën. Sipas gjithë gjasave, ndoshta kjo traditë ka qenë pikërisht për të shtuar më tepër emocionet e dasmorëve, derisa sendet e zhdukura riktheheshin sërish atje ku ishin marrë me shkathtësinë dhe fshehtësinë më të madhe, m'u para hundës së dhjetëra njerëzve të shtëpisë mikpritëse.

Kumbari, më i rëndësishmi ndër të gjithë

Asnjëherë nuk ndodhte, që kurora të vihej pa praninë e kumbarit. Madje, kur nusja merrej, ajo duhet të kërkohej në praninë e kumbarit dhe me mirëkuptimin e tij. 
E, teksa nusja rrinte në shtëpinë e saj në krye të këndit, kumbari ftohej që të enjten, tri ditë para se të bëhej dasma. Vjollca shprehet se: “Kumbari ishte kryesori dhe pa të nusja me dhëndrin nuk mund të vinin kurorë. Detyra e kumbarit ishte të shoqëronte çiftin në altar e të vinin kurorë. Gjithashtu, kumbari bënte peshqeshe, kujdesej që gjithçka të shkojë sipas rregullit... Kur njerëzit e dhëndrit nisen për të marrë nusen, ata duhet që të flasin në fillim me kumbarin e të bien dakord me të dhe së bashku, shkojnë e marrin nusen që të vënë kurorën. Njerëzit e nuses, janë të detyruar të shkojnë gjithmonë 2 më shumë sesa kanë ardhur njerëzit e dhëndrit tek nusja. Ne e kemi si traditë, që kumbarin e mbajmë në krye të këndit, tamam si njeri të shtëpisë”. 

Maskat trembin nusen, para valles në mesnatë

Një veçanti tjetër që e kishin dasmat e zhvilluara kryesisht në fshatin Polenë të Korçës, ishte ajo e maskimit të dasmorëve dhe lojërave që bëjnë ata me krushqit dhe gjithë të pranishmit e tjerë, për të nxehur më tepër atmosferën, teksa afron dhe vallëzimi i parë i nuses. Në lidhje me këtë, Vjollca Zguro thotë se “diku andej nga mesi i dasmës, ka dasmorë që vishen me maska, si arap, ose si palaço, me fytyra e veshje të ndryshme grash apo burrash, për të bërë qyfyre e për të nxehur atmosferën, sepse pas këtij momenti, nusja ngrihet në vallen e parë. Kjo, zakonisht ndodh pas orës dy të natës”. 

Përplasja e dy dasmave dhe “Varri i Krushqve”

Kur ndodhte që të kishte dy dasma në të njëjtën ditë dhe karvanët e krushqve, bashkë me nusen kryqëzoheshin me njëra-tjetrën, askush prej tyre nuk hapte rrugë, se dasma i vinte ters, e veç të tjerash, hapja e rrugës do të ishte dhe një ulje për fiset që lëshonin fill në këtë mes. Lidhur me këtë zakon, ka dhe një legjendë, sipas së cilës, në disa fshatra afër Vithkuqit ekzistojnë disa varre, të cilat quhen “Varret e Krushqve”. Nuk dihet me saktësi nëse legjenda ka lidhje me të vërtetën, pasi këto kërkojnë kohë më të gjatë investigimi dhe punë shkencore, por ajo që na thanë, është se kishte ndodhur që në atë zonë, një ditë të bukur, dy karvanë dasmorësh që çonin nuset për në shtëpinë e dhëndrit janë përballur dhe asnjëra palë nuk tërhiqej prapa, askush nuk donte të hapte rrugë, gjë që solli një tragjedi dhe i ktheu dy dasma në dy varreza të mëdha.
Meqenëse këto lloj përplasjesh mund të ndodhnin për shkak se dasmat mund bëheshin midis dy familjeve nga zona tepër të largëta me njëra-tjetrën, e gjithashtu, dasmat zhvilloheshin në muajin e vjeshtës, atëherë, gjithkush nga shtëpia e dhëndrit që shikonte për së largu në horizont, karvanin me krushqit dhe nusen hipur në dorian teksa arrinin shëndoshë e mirë, jepte lajmin duke qëlluar në ajër. Krismat më tej pasoheshin nga dhëndri, që donte të tregonte se tashmë nusja dhe karvani, ishin të sigurtë nën mbrojtjen familjes së tij... 

Lindja

Ekskluzivitetin e emrit të fëmijës, e kishte kumbari. Ai kishte të drejtë të bënte propozimin për emër dhe familjarët zgjedhin mes alternativave që u jepen. Zakonisht, kumbarët kanë parasysh emrat e gjyshërve dhe stërgjyshërve të fëmijës që lind, të cilat i shënojnë edhe në listë, për të mos i harruar. Asnjëherë emri nuk vihet pa rënë në mirëkuptim me kumbarin. Ditën e tretë pas lindjes, bëhen petulla dhe shpërndahen bashkë me lajmin nëpër lagje dhe në njerëzit e afërt. Pavarësisht se nëpër lindje nuk ka ndonjë diferencim përsa i përket mënyrës së festimit, nëse bëhet djalë apo vajzë, në përgjithësi, gëzimi është më i madh dhe gjithëpërfshirës, kur fëmija i parë lind mashkull, sepse kështu vazhdon vija e gjakut dhe trashëgohet mbiemri i familjes...

Vdekja

Me sa na treguan në Polenë, e ashtu si atje në të gjitha fshatrat e ngjashme me përqindjen mbizotëruese të banorëve të krishterë, (orthodoksë), kur vdes dikush në fshat, ndryshe nga qyteti, nuk është nevoja të lajmërohen të gjithë për varrimin dhe vizitat, sepse fatkeqësia merret vesh shpejt dhe njerëzit vijnë vetë. Pas kryerjes së varrimit me të gjitha zakonet fetare dhe sigurisht praninë e një prifti, vizita për ngushëllime bëhen ditën e nëntë dhe të dyzetë, pastaj në gjashtë muaj, një vit, një vit e gjysmë, dy, dy e gjysmë e deri në trevjetorin e vdekjes, kur i ndjeri kujtohet për të fundit herë. “Kur kalojnë nëntë ditë nga vdekja, ne ndajmë grurë me sheqer, u japim kafe atyre që vijnë, e bashkë me kafen, edhe një biskotë dhe një gotë konjak”,- thotë Vjollca. Ajo shton, se “në ndryshim nga fshatrat që kemi përreth, të cilët janë shumica të besimit musliman, gratë në anën tonë shkojnë në varrim. Mbaj mend në Qatrom dhe Ravonik, që janë dy fshatra afër Polenës, se në varrime shikoje vetëm burrat, ndërsa gratë rrinin në shtëpi. Pastaj koha ndryshoi dhe tani gratë mund të shkojnë, por atëherë kështu ishte tradita. Edhe diçka tjetër, të vdekurit në këto fshatra i linin lakuriq dhe i mbulonin vetëm me çarçaf, kurse ne i vishnim dhe vazhdojmë t'i veshim tamam sikur janë gjallë, duke ju vënë erëza, portokaje anash arkivolit, ndonjë lule në gojë dhe një monedhë”. Përsa i përket monedhës, i jepet të vdekurit me vete; ky është një rrit që e ka origjinën përtej Korçës dhe Shqipërisë, në tokën Helene... Sipas mitologjisë, kur dikush vdes, i duhet të kalojë në lumin e Ferrit dhe që ta bëjë këtë, duhet të hipë në varkën që transporton të vdekurit dhe të paguajë vozitësin për rrugën, ndaj, në bazë të kësaj filozofie, ka mbetur dhe zakoni i vendosjes së një ose dy monedhave, në sytë apo gojën e të vdekurve, para se ata të përcillen drejt banesës së tyre të fundit... 

Këto janë pak a shumë Traditat e Dasmave Korçare, them pak a shumë pasi kishte disa ndryshime sipas zonave të cilit i përkiste çifti dhe familjet, por në thelb janë pak a shumë të njëjta

30/08/2013

Hafiz Ali Korça

Hafiz Ali Korça (1874-1957) lindi në Korçë, më 1874 dhe vdiq në Kavajë, më 1957.

Midis hoxhallarëve të përndjekur nga pushtuesit, nga fanatikët dhe komunizmi për idetë, pikëpamjet dhe veprimtarinë e tyre është dhe Hafiz Ali Korça. i rritur në një mjedis patriotik, fetar e kulturor Korçar të pastër, ai u brumos me bindje dhe parime bazë, që e ngriten lart emrin e tij. Për këto ai, në vitin 1893, kur ishte në moshën 20 vjeçare, u internua në Sinop, sepse ndërsa udhëtonte me trenin Sofie-Stamboll, iu kapen librat shqip, atëherë të ndaluar. Më 1900, u internua në Anadoll, për aktivitetin në mësonjëtoren e Korçës. Pas Kongresit të Dibrës ia shkatërruan shtëpinë. E gjejmë pjesëtarë nëKomisinë Shqyp në Shkodër. Më pas, Kabineti i Telat Pashës e dënoi me vdekje, por me ndërhyrje u fal. Më 1924 u përjashtua nga Këshilli i Lartë i Sheriatit. Më 1925 botoi në Tiranë pamfletin "Bolshevizma a çkatërrimi i njerëzimit". Hfz. Ali Korça zhvilloi një veprimtari intensive në disa drejtime dhe kryesisht në fushën e kulturës, të fesë dhe të publicistikës. Ai ka shkruar një varg veprash origjinale në prozë e poezi fetare dhe laike. Ndër to shquhen: "Mevludi" (1900). "303 fjalë të Imam Aliut" (Botuar në Korçë më 1910). "Historia e shenjtë dhe të katër halifetë" (Botuar në Tiranë më 1931, fq.288). "Jusufi me Zelihanë" (Botuar në Elbasan më 1923). "Gjylistani", përkthim nga Saadiu, (1918). "Shtatë Ëndrrat e Shqipërisë", poezi, (Botuar në Tiranë më 1944). "Tefsiri i Kur’anit", (mbetur dorëshkrim, me një vëllim prej 2000 faqesh, R.Z.) punuar gjatë viteve 1920-1924. "Rubaijjati Khajjam"(Hajjam, përkthim nga O. Kajami, 1930- Ribotim 1942 në Tiranë). Një rëndësi të veçantë kanë gjithashtu edhe tekstet shkollore si : "Abetare shqip" (1910). "Fe Rrëfenjësi, morali" (1914). "Gramatika, Syntaksa shqip—arabisht edhe fjalime", (1916). Hafiz Ali Korça ka lënë edhe një numër të konsiderueshëm dorëshkrimesh e përkthimesh. Hafiz Ali Korça, duke përkthyer kryeveprat si "Gjylistani", "Rubairat" si dhe "Jusufi me Zelihane", i bëri të flasin shqip poetët e mëdhenj si Saadiun, O.Kajamin etj. Hafiz Ali Korça qe ndër mësuesit e parë të mësonjëtores së parë shqipe në Korçë dhe bashkëpunoi ngushtë me Pandeli Sotirin, drejtorin e mësonjëtores së parë shqipe të Korçës. Aty dha pa pagesë edukatë islame . Pas shpalljes së Pavarësisë, iu ngarkuan detyra të rëndësishme. Qe këshilltar i Ministrisë së Arsimit, Drejtor i Përgjithshëm po i kësaj Ministrie, Shef i Fetva-minit pranë Këshillit të Lartë të Sheriatit në Shqipëri, pedagog në Medresenë e Lartë të Tiranës etj. Gjatë jetës së tij Hafiz Ali Korça bashkëpunoi me një varg figurash që luajtën rol të rëndësishëm në historinë e kohës së re të Shqipërisë, siç janë: Kristo LuarasiJusuf Turabi KërçovaPandeli Sotiri,Gjergj FishtaLuigj GurakuqiMati LogoreciSali Nivica etj.
  • Mësues në Mësonjëtoren e Parë Shqipe të Korçës
  • Pjesëmarrës në Kongresin e Dibrës
  • Këshilltar dhe Drejtor i Përgjithshëm në Qeverinë e përkohshme të Vlorës të kryesuar nga Ismail Qemali (1914)
  • Pjesëmarrës në Komisia Letrare Shqipe në Shkodër(1916-1918)
  • Drejtor i Arsimit për DurrësinElbasaninDibrënMatin dhe Pogradecin(1916)
Po paraqesim disa prej thenieve te tij me te spikatura:
-O Mëmëz o halle-madhe ç'gjëmë e zezë të ka zënë Bijt 'e tu s'mentohen fare rrugëvet të kanë lënë Të pamëshirçmit s'të shohin , nuk kujdesen për ty fare Të kanë lënë të shkretë, xhveshur,zbathur e pa ngrënë.
Hafiz Ali Korça.

-Për Shqipërinë u perpoqa sa flijova jetën time nuk tregohet se sa hoqa se shteti mi njihte krime.
(Hafiz Ali Korça në kryeveprën e tij 7 ënderrat e Shqipërisë)
-Shih pra nuk mbetën fare ndërtesa Ndër këmbë' u muar e shenjta besa, Xhami e kish s'lan' i rrënuan, E kësi punësh djajt i shënuan, Priftërinjtë e hoxhët si kec i grinë, Inteligjentët në dhet i shtrinë.
Hafiz Ali Korça "Bolshevizma çkatarimi i njerëzimit

-Nuk duhet të mbushim, gjuhën tonë ëngjëllore, me gjëmba e me ferra që nuk i qërojmë dot më vonë
Hafiz Ali Korça
Disa prej veprave, ndër të tjera, janë:
Treqind e tri fjalët e Imam Aliut, 1900.
Historija e shenjt dhe kater halifet, 1900
Mevludi shqip, 1900.
Jusufi me Zelihanë, 1900
Abetare, 1910
Alfabeti arabisht, 1914
Muslimanija, 1916
Gramatika dhe syntaksa, Shqip-Arabisht, 1916
Shtat ëndërrat e Shqipërisë, 1924
Bolshevizma çkatrrim i njerëzimit, 1925
Kur’ani i Madhënueshëm e thelbi tij, 1926
Gjylistani (Trëndafilishtja), e Sa’adiut, 1925
Rubaijjati (Katroret) e Umer Khajjamit, 1930…

18/08/2013

01/07/2013

LETRA E ORTODOKSËVE SHQIPTARË TË STAMBOLLIT

Letër e ortodoksëve shqiptarë të Stambollit drejtuar Kryetarit të Parlamentit Shqiptar Pandeli Evangjeli .

Letër e ortodoksëve shqiptarë të Stambollit drejtuar Kryetarit të Parlamentit Shqiptar Pandeli Evangjeli ku i ankohen për gjendjen e vështirë në të cilën ndodheshin anëtarët e kësaj kolonie

                                              Shkëlqesisë së Tij Kryetarit të Parlamentit Shqiptar z.Pandeli Vangjeli

                                                                                                                                            31 gusht 1929

Shkëlqesë,Ju faleminderit për letrën që patët mirësinë të na adresoni, si përgjigje e lutjes që ju bëmë për të vizituar qytetin tonë. U hidhruam tepër se letra jonë arriti vonë dhe kësisoj rasti nuk na u dha t’u prezantonim për së afërmi falënderimet si dhe mirënjohjen për interesin që dënjuat të ç’faqni për sa i përket çështjes të ortodhoksëvet të Stambollit.

Gjëndja kritike e kollofisë, vuajtjet tona, për të cilat shumë herë kemi bërë thirrje, mjerisht më kot, në shtyllat e gazetës “Shqipëria e Re” të Konstancës, na shtrëngojnë të adresohemi pranë Shkëlqesisë T’uaj, duke bazuar mbi ndjenjat patriotike të larta, që kurdoherë edhe në çdo rast i kini çfaqur, edhe t’u lutemi të  kini mirësinë të ndërhyni pranë Lartmadhërisë T’ij Mbretit Shpëtimtar të kombit Zog I si dhe pranë Shkëlqesisë së Tij kryeministrit Kostaq Kota, që kësisoj duke i dhënë çështjes tonë rëndësinë e duhur, të merren masat e duhura për të përmirësuar situatën tonë fort të rezikëshme.

Orthodhoksët e Stambollit një sasi prej 10 000 - 15 000 fryma të stabilizuar me vjetë në kët qytet, viktima të një traktati shumë të dëmshmë për ta, u detyruan me pak përjashtime të optojnë për nënështetësinë turke për të mos humbur pasurinë e tyre të tundur dhe të pa tundur, që e kishin fituar me kaqë vjetë mërgimi me kaqë vjetë mundime edhe vuajtje. Paniku dhe kriza ekonomike që e kishin burrimin nga çështja e këmbimit të popullsisë turko-greke, nuk u jepte dorë orthodhoksëvet shqiptarë të shitnin pasurinë e tyre me një vleftë shumë të unjur edhe nga ky shkak preferuan të mbeten natyrisht pa dashje nënështetas turk.

Me gjithkëto nuk na shkonte kurrën e kurrës në mëndje se masi të optonim për nënshtetësinë turke do të ishim të detyruar të ndëronim edhe origjinën tonë. Fatkeqësisht guverna turke duke marë parasysh vetëm fenë dhe jo nasionalitetin me gjith protestimet tona, na ka vënë në kategorin e grekërvet me gjith konsekuensat e saj. Gjithashtu orthodhoksët e mjerë nuk kanë të drejtë të blenë ose të shesin pasurin e tyre të pa tundur, janë të ndaluar të bëjnë udhëtim jashtë kufisë turke, me një fjalë ato masa të repta që janë marrë kundra elementit grek të qytetit tonë, gjith ato masa i përkasin edhe shqiptarëvet orthodhoksë.

Kujtojmë se Ministria e Punëvet Jashtme me në krye z. Rauf Ficon është fort mirë në korrent të këtyre ngjarjeve me qënë se e ka studiuar pozitën tonë për së afërmi kur ishte ministër në Ankara. Pyesim atëherë nga se vjen vallë ky desinteresim i plotë për orthodhoksët e Stambollit? - Cili është shkaku që ata janë lënë në fatin e tyre pa do një përkrahje pa ndihmë morale? Nuk janë edhe ata anëtarët e asaj familje të madhe që quhet Shqipëri? Apo me qënë se fati  i ka shtrënguar të largohen nga atdheu, nuk meritojnë të quhen edhe ata djemtë e Shqipërisë?

Ne pritnim nga qeverija përparimtare mbretnore një proteksë të veçantë për të mbajtur lart idealin tonë kombëtar dhe jo të na lërë krejt të demoralizuar, të dezorganizuar, të persekutuar nga gjith bota.

Por, si kur nuk na mjaftonin ndalimet e otoritetevet turke, na se ku faqet propagania greke me Patriakanën në krye, na se ku nepërkat e Sillogrit Vorioepirot vërtiten posht e lartë për të helmuar zemrat e bashkatdhetarëvet tanë. Në anë tjatër gazetat greke të Stambollit dita me ditën mbajnë artikulla kundra qeverisë kombëtare, kundra kishës autoqefale, të cilën duan ta prezantojnë para opinionit publik si një bllof të bërë prej disa aventurierëve pa dashjen dhe pa aprovimin e popullsisë shqiptare orthodhokse. Kuptohet fort mirë se sa dëme të mëdha i sjellin çështjes tonë këto lëvizje antikombëtare, të cilat profitojnë nga inakativiteti i Ministrisë të Punevet të Jashtme, që nuk ka marë asnjë masë kundra këtyre propagandistëve që punojnë për të bërë grekër mijëra shqiptarë orthodhoksë.