Komiteti i Janinës u formua në Janinë në 3 Maj të vitit 1877, në krye të të cilit u vu Abdyl Frashëri, një nga ideologët, diplomatët dhe organizatorët më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Në këtë Komitet bënin pjesë personalitete, që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat e vilajetit të Janinës, si Mehmet Ali Vrioni (Berat), Mustafa Nuri Vlora (Vlorë), Sulejman Tahiri (Tepelenë), Myslim Vasjari (Kurvelesh), Sabri Gjirokastra (Gjirokastër), Mihal Harito (Zagori), Mehmet Goroshiani (Përmet), Vesel Dino (Prevezë) etj.
Komiteti i paraqiti një memorandum qeverisë së Stambollit, ku shtronte ndaj Portës së Lartë kërkesën për bashkimin e të gjitha krahinave të banuara prej shqiptarëve në një vilajet të vetëm. Komiteti i Janinës bëri përpjekje të lidhte një aleancë ushtarake me qeverinë greke, në bazë të së cilës pala shqiptare përkrahte shtetin grek, që të shtrihej në tokat e Tesalisë, Maqedonisë dhe Trakës, ndërsa qeveria e Athinës do të mbështeste formimin e principatës së pavarur shqiptare. Qeveria greke nuk e përkrahu idenë e principatës së pavarur shqiptare dhe nuk hoqi dorë nga synimet e saj pushtuese në Shqipërinë e Jugut.
Më hollësisht (për ata që ju pëlqen historia)
Komiteti i Janinës dhe projekti i kryengritjes çlirimtare kundërosmane (1877)
Lufta ruso-turke krijoi një gjendje të re për të gjitha kombet e shtypura nga Perandoria Osmane dhe për të gjitha monarkitë e Gadishullit Ballkanik. Kudo sundonte bindja se kjo luftë do të përfundonte me disfatën e Portës së Lartë. Të gjitha shtetet ballkanike u vunë në lëvizje për të plotësuar në përfundim të kësaj lufte bashkimin e tyre kombëtar dhe, ca më shumë, për të përmbushur aspiratat e tyre aneksioniste në dëm të kombeve të tjera të gadishullit.
Për çështjen shqiptare fillimi i luftës ruso-turke krijoi një gjendje më të ndërlikuar se ajo që ishte më parë. Qarqet politike shqiptare, edhe pse nuk e dinin marrëveshjen e fshehtë të Budapestit, nuk kishin asnjë dyshim për katastrofën që e priste Shqipërinë, në rast se luftën do ta fitonte Rusia dhe në rast se pas luftës do të triumfonte diktati i saj. Në këtë rast Shqipërinë e priste copëtimi i saj territorial dhe, për pasojë, vdekja e saj politike.
Dëshmia e fundit për këtë ishte proklamata që lëshoi cari rus më 24 prill 1877, me të cilën ai ftonte të gjitha kombësitë e krishtera të Gadishullit Ballkanik të rrëmbenin armët krahas ushtrive ruse, pasi për ta tashmë kishte ardhur dita e çlirimit nga shtypësi mysliman osman. Theksi i saj fetar tregonte se Rusia nuk kishte hequr dorë nga platforma e panortodoksisë dhe se në projektin e saj për rregullimin e ardhshëm të Ballkanit nuk kishte vend për shqiptarët myslimanë si subjekt i të drejtave kombëtare. Por qarqet atdhetare shqiptare e shihnin me shqetësim edhe fitoren e Perandorisë Osmane, sepse kjo do të sillte forcimin e zgjedhës shekullore të sulltanit mbi atdheun e tyre. Mendimi i përgjithshëm që pushtoi opinionin publik të vendit në atë kohë ishte që Shqipëria të ngrinte sa më parë zërin për të drejtat e saj, përndryshe, po të qëndronte pasive dhe, ca më keq, po të rreshtohej prapa Stambollit, do të identifikohej me Perandorinë Osmane dhe do të quhej si një zotërim turk, si një pre në duart e fitimtarit.
Në këto rrethana qarqet atdhetare përparimtare e radikale shqiptare vendosën ta kërkonin shpëtimin e tërësisë territoriale të atdheut jo te lufta kundër shovinistëve ballkanikë, as te qëndrimi pritës, por tek organizimi i kryengritjes së armatosur çlirimtare kundërosmane që do të çonte në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Me këtë veprim edhe diplomacia evropiane do të vihej para një fakti të kryer.
Ideja e kryengritjes çlirimtare kishte, si edhe më parë, mbështetje në gatishmërinë e masave popullore. Ajo gjeti gjithashtu miratimin e forcave atdhetare të moderuara, të cilat tani u bindën se Perandoria Osmane nuk ishte më në gjendje t’i mbronte trojet shqiptare nga invazioni sllav. Por shpërthimi i kryengritjes çlirimtare dhe shpallja e pavarësisë sipas platformës së patriotëve më të përparuar ose e autonomisë, sipas asaj, të qarqeve të moderuara kërkonte paraprakisht zgjidhjen e disa problemeve themelore, siç ishin: formimi i një qendre të vetme drejtuese, përgatitja politiko-ushtarake dhe sigurimi i përkrahjes në arenën ndërkombëtare. Nismën për ta vënë në jetë idenë e kryengritjes çlirimtare kundërosmane e mori Komiteti Shqiptar, që u formua ashtu siç e theksuam edhe më sipër, në Janinë në maj të vitit 1877, në krye të të cilit u vu Abdyl Frashëri, një nga ideologët, diplomatët dhe organizatorët më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Komiteti i Janinës vendosi lidhje edhe me qarqet politike që vepronin në viset e tjera të atdheut, me të cilat shqyrtoi çështjen e përgatitjes së kryengritjes së armatosur. Në të njëjtën kohë ai ra në kontakt me oficerët shqiptarë që shërbenin në garnizonet osmane të vendit dhe që treguan gatishmëri për të marrë pjesë në kryengritjen e armatosur. Pas kësaj, shqetësimi kryesor i Komitetit u përqendrua në aspektin diplomatik të çështjes shqiptare.
Udhëheqësit e Komitetit të Janinës mendonin se tani që Perandoria Osmane ishte në rrezik të shembej plotësisht nga armatat ruse, fuqitë perëndimore nuk do ta linin Perandorinë Ruse që ta ndryshonte hartën politike të Gadishullit Ballkanik sipas planeve të saj ekspansioniste. Duke u kapur pas zërave që qarkullonin në shtypin ndërkombëtar, se fuqitë perëndimore do ta zmadhonin territorin e Greqisë për ta përdorur si barrierë kundër ortekut rus, ata shpresonin se po ato fuqi, për interesat e politikës së ekuilibrit në Evropën Juglindore, do të merrnin në konsideratë edhe idenë e një shteti shqiptar të pavarur. Sikurse shkruante disa muaj më vonë Abdyl Frashëri, Evropa do të bindej se qytetërimin e saj në Gadishullin Ballkanik nuk mund ta mbronte nga rreziku rus vetëm diga greke, por, së bashku me të, edhe diga shqiptare. Udhëheqësit e Komitetit të Janinës mendonin se në këto rrethana Shqipëria duhej të lidhte me Greqinë një aleancë politike e ushtarake për të hyrë bashkërisht në luftë kundër Perandorisë Osmane përpara se armatat ruse të zbritnin në jug të Gadishullit Ballkanik. Por ata kërkonin si kusht që Athina ta mbështeste idenë e pavarësisë së Shqipërisë dhe ta miratonte tërësinë e saj tokësore. Në rast se Athina do ta nënshkruante mbi këtë parim aleancën dypalëshe, do të konsiderohej e kapërcyer për çështjen shqiptare pengesa kryesore në plan ndërkombëtar.
Udhëheqësit e Komitetit të Janinës ishin të ndërgjegjshëm se qeveria greke nuk do të hiqte dorë aq lehtë nga qëndrimi i saj i vjetër, nuk ishte e prirur që të pranonte kërkesën e shqiptarëve për të përfshirë në shtetin e tyre krejt Shqipërinë e Jugut deri në Prevezë, sepse ishte pushtuar nga lakmia për të aneksuar krejt vilajetin e Janinës, deri te lumi Seman. Megjithatë ata shpresonin se përballë gjendjes kritike që ishte krijuar për Greqinë nga përparimi i ushtrive ruse, Athina mund të hiqte dorë nga platforma që kishte parashtruar vitin e kaluar dhe do ta shikonte me një sy realist propozimin e shqiptarëve.
Në të vërtetë opinioni publik grek ishte i tronditur nga politika ruse. Greqia, e cila priste prej kohësh shembjen e Perandorisë Osmane që të sendërtonte aspiratat e saj territoriale, tani e ndiente veten krejtësisht të braktisur. Për shkak të lidhjeve të Athinës me Anglinë e Francën, Rusia cariste nuk po i përfillte fare aspiratat e saj nacionaliste, ndërsa Anglia me Francën po e shtrëngonin Athinën që të qëndronte asnjanëse. Opinioni publik grek po bindej gjithnjë e më shumë se me qëndrimin asnjanës të Greqisë, Trakia dhe Maqedonia ishin në rrezik të përfshiheshin në kufijtë e Bullgarisë dhe të Rumelisë që do të krijoheshin sipas planit carist, kurse Thesalia dhe Epiri mund të mbeteshin përsëri brenda kufijve të Perandorisë Osmane, të cilën Anglia me Francën përpiqeshin ta shpëtonin nga katastrofa e plotë. Brenda në Greqi organizatat irredentiste helenike kërkonin me këmbëngulje të ndërmerreshin veprime energjike për të mos e humbur rastin e favorshëm që po krijohej nga shembja e Perandorisë Osmane. Por Mbretëria Helenike me rreth një milion banorë, me financa krejtësisht të rrënuara dhe me forca ushtarake të dobëta, nuk e ndiente veten në gjendje të ndërmerrte me sukses veprime të armatosura kundër Perandorisë Osmane. Në këto rrethana propozimi i Komitetit të Janinës për një aleancë shqiptaro-greke gjeti një pritje pozitive në qarqet qeveritare të Athinës. Qeveria greke pranoi të hynte në bisedime me shqiptarët.
Bisedimet u zhvilluan në mënyrë të fshehtë në Janinë gjatë gjysmës së dytë të korrikut 1877, ndërmjet Abdyl Frashërit, i cili shoqërohej nga Mehmet Ali Vrioni, dhe Epaminonda Mavromatis, një funksionar i Ministrisë së Jashtme greke. Qysh në fillim u duk se të dyja palët erdhën në takim me pikëpamje të papajtueshme. Abdyl Frashëri, që si nismëtar i takimit e nisi i pari bisedën, pasi argumentoi interesat jetikë të të dyja palëve për një luftë të përbashkët kundër Perandorisë Osmane e pansllavizmit carist, parashtroi zotimet dhe kushtet e palës shqiptare për lidhjen e aleancës politike e ushtarake. Shqiptarët zotoheshin që ta fillonin të parët luftën kundërosmane me anën e kryengritjes çlirimtare, e cila do të shpërthente në Shqipëri sapo të nënshkruhej aleanca. Ata merrnin kështu përsipër që pushtetin turk në Shqipëri ta asgjësonin me forcat e tyre të brendshme. Menjëherë pasi të shpërthente kryengritja e armatosur, deklaroi Abdyl Frashëri, do të shpallej pavarësia kombëtare e Shqipërisë. Ai kërkoi që, sapo të fitonte kryengritja në Shqipëri, Greqia t’i shpallte luftë Perandorisë Osmane. Shqiptarët zotoheshin gjithashtu ta ndihmonin ushtrinë greke që t’i pushtonte pa vështirësi Thesalinë e Maqedoninë, pasi oficerët dhe ushtarët shqiptarë, që shërbenin në garnizohet osmane të këtyre viseve, ishin në lidhje me Komitetin e Janinës, pra të gatshëm që, me urdhrin e tij, t’i dorëzonin qytetet pa gjakderdhje. Kundrejt këtyre detyrimeve pala shqiptare kërkonte si kusht nga qeveria e Athinës që ajo ta njihte zyrtarisht formimin e principatës së pavarur shqiptare në kufijtë etnikë të Shqipërisë, duke përfshirë Kosovën në veri, deri në Vranjë, dhe Çamërinë në jug, deri në Prevezë.
Pala greke nuk pranoi asnjë nga kushtet e parashtruara nga Komiteti i Janinës. Para së gjithash ajo e kundërshtoi krejtësisht idenë e një principate shqiptare të pavarur dhe ca më shumë përfshirjen në kufijtë e saj, qoftë edhe të një pjese të vogël të të ashtuquajturit Epir. Sipas tezës së saj, krejt Epiri, që nga lumi Seman deri te gjiri i Prevezës, ishte tokë greke. Si rrjedhim ajo nguli këmbë që Shqipëria e Jugut të rrëmbente armët nën flamurin grek dhe të kërkonte bashkimin e saj me Greqinë. Athina pranoi që kryengritja çlirimtare të kishte karakter shqiptar vetëm në veri të lumit Seman, por vuri si kusht që edhe këto vise të kërkonin bashkimin e tyre me Greqinë për të formuar një shtet dualist greko-shqiptar nën sovranitetin e mbretit të Greqisë. Abdyl Frashëri u përpoq ta bindte qeverinë e Athinës për absurditetin e pikëpamjeve të saj. Populli shqiptar, deklaroi ai, po ndërmerr revolucionin çlirimtar për të formuar shtetin e vet të pavarur dhe jo për ta zëvendësuar zgjedhën osmane me robërinë greke, për të ruajtur tërësinë e vet territoriale dhe jo për ta ndarë atë në tokë greke dhe në tokë shqiptare. Në bazë të udhëzimeve që mori nga Athina, Epaminonda Mavromatis nuk bëri asnjë tërheqje, madje mbajti gjatë takimeve një qëndrim arrogant dhe fyes ndaj shqiptarëve.
Ndërkaq, gjatë kohës që zhvilloheshin bisedimet e fshehta në Janinë, ngjarjet në frontin ruso-turk morën tjetër rrugë. Sado që Perandoria Osmane ishte shumë e dobët, invazioni carist ngjalli në popullsinë turke ndjenjën e atdhetarisë dhe rriti frymën e qëndresës së saj ushtarake. Si rrjedhim, pas sukseseve të shpejta që korrën gjatë dy muajve të parë të luftës, në fillim të korrikut ushtritë ruse u gozhduan në Plevnë të Bullgarisë. Qëndresa e Plevnës, e cila tregonte se Perandoria Osmane nuk ishte aq e dobët sa pandehej, e qetësoi deri diku qeverinë greke dhe e çliroi përkohësisht nga ngutja që kishte për të hyrë në luftë. Nga ana tjetër, Athina u bind se aspiratat e saj pushtuese ndaj Shqipërisë nuk mund t’i plotësonte me anën e Komitetit të Janinës. Shpresat për të aneksuar krejt vilajetin e Janinës ajo tani i vari te Komiteti Epirot, që ishte formuar në Korfuz nga disa emigrantë grekë, të cilët kërkonin bashkimin e vilajetit të Janinës (të Shqipërisë së Jugut) me Mbretërinë Greke. Këta morën përsipër detyrën që të organizonin në këto vise një kryengritje filoheleniste. Nën ndikimin e këtyre faktorëve në fund të korrikut bisedimet greko-shqiptare u ndërprenë.
Faleminderit për ndihmën , ALFRED MADHIN