31/07/2016

Ky rrëfim, i vitit 1470, është më i hershmi që ka bërë ndonjë shqiptar, për gjendjen e vendit të tij

Pjesa më e madhe e Shqipërisë qendrore ishte nën kontrollin e venedikasve, përpara pushtimit otoman të shekullit të pesëmbëdhjetë. Fushatat ushtarake otomane të viteve 1466 dhe 1467 shkatërruan pjesën më të madhe të vendit. Ishte politika e sulltanit që të boshatiste vendin nga banorët vendas, nëse ata bënin rezistencë. Fior Jonima nga Shkodra, pinjoll i familjes së famshme shqiptare Jonima, që zotëronte pjesën më të madhe të tokave mes lumenjve Mat dhe Ishëm, i shkruajti këtë përgjigje autoriteteve venedikase të taksave, të cilat i kërkonin përse vallë vinin kaq pak të ardhura nga Shqipëria. Kronologjia e shkurtër e kataklizmave që Jonima përshkruan në këtë rrëfim, tregon se në atë kohë, Shqipëria ishte një tokë e rrënuar. Eshtë rrëfimi personal më i hershëm që ka dhënë ndonjë shqiptar, në lidhje me gjendjen e vendit të tij.
“Unë, Fjor Jonima, qytetar i Scutarit (Shkodrës) dhe në këto momente ambasador i këtij komuniteti, u pyeta, me urdhër të Lordit të Madhërishëm Administrator i të Ardhurave, se çfarë dija në lidhje me bëmat e turqve në këtë pjesë të Shqipërisë, për vitet 1466 dhe 1467.
Mund të deklaroj se në fundin e prillit 1466, Turku i Madh erdhi në këtë vend personalisht dhë dërgoi përpara kapitenin e tij, i cili siguroi vendin dhe e plaçkiti. Ai grabiti shumë kafshë dhe rrëmbeu shumë njerëz.
Kur u largua, Ballabani arriti të rrethojë Croian (Krujën). Ai gjithashtu grabiti dhe plaçkiti qytetet e Signorias, dhe rrëmbeu shumë njerëz.
Pak kohë më vonë, erdhi Sinan Beu, i cili solli edhe më shumë rrënim e shkatërrim. Ai kishte rrëmbeu kafshë dhe nejrëz dhe i vuri flakën vendit.
Pas kësaj erdhi Vojvodi i Serbisë, i quajtur Amur Beu, i cili shkaktoi shkatërrim të madh. Jo vetëm që grabiti një numër shumë të madh kafshësh, por edhe ai i vuri flakën vendit dhe rrëmbeu shumë njerëz.
Më pas erdhi Progon Dukagjini, i cili gjithashtu grabiti dhe i vuri zjarrin gjithçkaje që la pas.
Turku i Madh u rikthye në këtë vend në vitin 1467 dhe dërgoi Pashanë e Romanias (Rumelisë) me një ushtri të madhe për ta nënshtruar. Ai grabiti, plaçkiti, dhe mori me vete një numër të pafund njerëzish. Kur kish mbaruar me grabitjet dhe plaçkitjet, ai vazhdoi në rajonin e Scutarit, ku u përplas me njerëzit. Më në fund, arriti të hyjë në qytet brenda kështjellës, të cilën e grabiti dhe plaçkiti.
Më pas erdhi një vojvod i quajtur Feriz Beu, i cili gjithashtu grabiti dhe plaçkiti.
Më pas erdhi Nikolla Dukagjini, që grabiti, plaçkiti dhe rrëmbeu shumë njerëz.
Pas kësaj, Vojvodi i Serbisë erdhi për herë të dytë për të vjedhur, plaçkitur dhe rrëmbyer më shumë njerëz.
Më pas erdhi Vojvodi i Dibrës, që grabiti, plaçkiti dhe rrëmbeu shumë njerëz.
Si përfundim, unë mund të them së në periudhën në fjalë, ky vend u kthye në një tokë të shkretë. Kështu ka mbetur deri sot. Kanë ikur jo vetëm vendbanimet, por edhe njerëzit, me përjashtim të atyre pak fshatrave që janë rindërtuar. Kështu që, do të ishte e nevojshme që të burgosurit, të cilët janë dënuar ose ndaluar, të falen dhe të rikthehen në këtë vend për ta ripopulluar atë.
28 Dhjetor 1470
[Nga Arkivi i Shtetit të Venecias, ribotuar në librin e  Oliver Jens Schmitt: “Das venezianische Albanien (1392-1479)”, Mynih 2001]

Marë nga Gazeta   bota.al