22/03/2016

22 MARS - 1913 COPTIMI I SHQIPERISE

22 Mars 1913. Shqipëria londineze; Konferenca e Ambasadorëve të 6 Fuqive të Mëdha mbledhur në Londër përcakton arbitrarisht kufijtë veriorë dhe veri-lindorë të shtetit shqiptar; e gjithë treva fushore e Kosovës i shkëputet shtetit të ri dhe i jepet Serbisë, edhe pse shumica e banorëve ishin shqiptarë; fiset shqiptare Hoti dhe Gruda iu dorëzuan Malit të Zi, ndërkohë që qytetet e rëndësishme tradicionalisht shqiptare Pejë, Gjakovë, Prizren dhe Dibër i kalojnë Serbisë ose Malit të Zi. Si rezultat i këtij përcaktimi kufijsh, i njohur si Protokolli i Londrës, u krijua e ashtuquajtura Shqipëria londineze (sinonim për Shqipëri të cunguar, e lënë pa fusha pjellore, pa rajone të pasura në minerale dhe burime të tjera). Në atë kohë, shteti i ri shqiptar kishte 800 mijë banorë, ndërkohë që rreth 500 mijë të tjerë u lanë jashtë kufijve të tij.
Me fillimin e konfliktit ballkanik, çështja shqiptare u vu në qendër të luftës diplomatike ndërmjet Fuqive të Mëdha. Më të interesuara në këtë çështje ishin tri Fuqitë: Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia. Secila sipas mënyrës së vet. Dy të parat ishin për një Shqipëriautonome ose të pavarur e me kufij sa më të gjerë, pornën ndikimin e tyre. Në rrethana të reja, të krijuara nga shembja e sundimit osman në Ballkan, Shqipëria merrte rëndësi të veçantë në politikën ballkanike:
– për Austro-Hungarinë, si një gardh që do të pengonte shtrirjen e sllavizmit në Gadishull dhe si një urë për të dalë në Selanik; ndërsa
– për Italinë, si një bazë për depërtimin e mëtejshëm drejt Lindjes.
Të dyja Fuqitë për njëfarë kohe bënë një front të përbashkët, që e fshihte deri-diku rivalitetin e tyre në Shqipëri.
Nga ana tjetër, Rusia cariste i bënte llogaritë e veta. Ajo përpiqej të shtrinte ndikimin e vet në Ballkan nëpërmjet zmadhimit të shteteve sllave. Ajo ishte për një copëtim të ri të tokave shqiptare dhe për ndarjen e tyre ndërmjet shteteve fqinje.
Përballë kësaj gjendjeje, kundërveprimi nga ana e Austro-Hungarisë ishte i pashmangshëm.
Të shqetësuara për fatet “e paqes evropiane”, kancelaritë e Fuqive të Mëdha zhvilluan bisedime të fshehta për afrimin e pikëpamjeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme. Gjatë bisedimeve në prapaskenë u përcaktuan grosso modo, zgjidhjet e kompromisit:
– Rusia hoqi dorë nga plani i saj për ndarjen e të gjitha tokave shqiptarendërmjet aleatëve fitimtarë (Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi) dhe u pajtua me idenë e krijimit të një shteti shqiptar. Ajo pranoi të mos ngulte këmbë për daljen tokësore të Serbisë në Adriatik, por të kënaqej vetëm me daljen e saj ekonomike në det;
– Austro-Hungaria u bashkua me kërkesën e Rusisë, të përkrahur aktivisht edhe nga Franca, për të krijuar një shtet shqiptar autonom të varur nga Turqia, gjë që ajo e kishte parashikuar qysh më parë, si një variant të mundshëm të zgjidhjes së çështjes shqiptare, krahas asaj të pavarësisë.
Rusia kërkonte që në përcaktimin e kufijve të Shqipërisë të merrej parasysh edhe “e drejta e kompensimit territorial” të aleatëve ballkanikë (Serbisë, Greqisë, Bullgarisë dhe Malit të Zi), si shtete fituese në luftën për dëbimin e Turqisë nga gadishulli.
Në këtë mënyrë, populli shqiptar dënohej të vuante pasojat e një lufte që, as e kishte shpallur, as e kishte humbur.

Falenderoj per kontributin
Alfred Madhin
 

0 σχόλια:

Post a Comment